E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur PS-së s’i “MJAFT”-on një Erion

Erion Veliaj, i njohur për shumë kohë nga publiku shqiptar si kreu i Lëvizjes “MJAFT” dhe tash së fundi si udhëheqës i “G 99”-s, ka vendosur që të bëjë një hap tjetër përpara për t’ju bashkuar tashmë haptazi Partisë Socialiste. Ai kishte kohë që flirtonte me përfaqësues të caktuar të kësaj force politike, por aktiviteti i tij u intesifikua së tepërmi menjëherë pas vendosjes në krye të PS-së të Edi Ramës. Madje Erioni mendon se ka një kontribut të veçant në këtë drejtim, duke e përdorur Lëvizjen “MJAFT” për të sulmuar në mënyrë kllouniste ish-kryeministrin dhe liderin historik të së majtës, z. Fatos Nano. Por ndikimi i tij, për rrëzimin e Nanos nga pushteti politik dhe ai ekzekutiv, ka qënë “zero”, pavarësisht se Erioni përpiqej të dukej sa më modern e orgjinal në akuzat dhe luftën e tij ndaj fenomenit të korrupsionit që kërcënonte seriozisht të ardhmen e vendit tonë në atë kohë. Kjo për faktin se veprimet dhe veprimtaritë që “MJAFT”-i i Erionit organizonte, më shumë se sa efekt politiko-social kishin efekt komiko-argëtues për qytetarët. Ato që Erioni i konsideronte si gjetje apo novacione politike s’ishin gjë tjetër veçse disa karagjozllëqe apo imitime të rëndomta të veprimtarive të OJF-ve në vendet e tjera të botës. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe ndërkohë që Erioni donte të mbante “dy kunguj nën sqetull”; -kungullin e shoqërisë civile dhe atë të politikës infantile. Ky hibritizim qëndrimesh publike nuk i shërbente “MJAFT”-ueshëm as profilit të një organizate joqeveritare dhe as profilit të një drejtuesi zerioz të saj. Aq më pak mund t’i shërbejë ai staturës së një force të rëndësishme politike, sikundër është PS-ja. Por kjo s’do të thotë se nuk i shërben karierës personale të Erionit, sikundër parashikohet të ndodh në të ardhmen, pas listimit të tij përkrah kantidatëve për deputet të së majtës Edvin-iste, të cilin kreu i “G 99”-ës e konsideron “politikë e re”. Por, se ç’fytyrë e ç’fryte konkrete ka kjo “politikë e re”, askush në PS apo “G 99” nuk të argumenton e nuk të jep fakte bindëse. Nejse…
Çdo ditë që kalon po e shpalos hapur strategjinë Ram-iste për shpërblimin e besnikëve dhe bashkëpunëtorëve të tij në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti, duke i përfshirë ata në krye të listës së kantidatëve për deputetë. Natyrisht në krye të kësaj liste do të jenë majtist të tipit “Erion” e “Mimi”, duke i lënë jashtë apo prapa liste “Erion”-ët e “Mrika”-t e grupit të sotëm parlamentar të PS-së, pse jo dhe shumë deputetë të tjerë me peshë në jetën partiake të kësaj force të rëndësishme politike. Kësioj Partia Socialiste nga forcë politike do të shndërrohet në një grupim “nëntëdhjetë e nëntshash”, për të kënaqur interesat e tyre personale dhe për të përgojuar e anatemuar këdo që punon për progresin europian të Shqipërisë. Dhe s’ka se si të ndodh ndryshe përderisa për ta fjala është jo vetëm “e para” por gjithëçka. Fjala në kuptim e premtim-mashtrimeve, pa esencë burrërie në përbërje të saj. E rëndësishme për krerët e sotëm të së majtës është që fjala të përdoret, jo vetëm për të deniguruar kundërshtrin politik, por edhe për të bindur e mbajtur të nënshtruar vegjëlinë e politizuar në mënyrë ekstreme. Nëse i kthehemi qeverisjes tetëvjeçarë të social-komunistëve në vitet ’97-’05 do të gjejmë shumë “fjalë të mira e gurë në trastë”, që fillojnë qysh nga “kthimi 100% i parave në format piramidale” e kulmojnë tek thirrja elektorale që u këshillon qytetarëve shqiptarë se, “votimi i Berishës në zgjedhjet e 3 korrikut ’05 është tradhëti kombëtare”. Asnjë hap i rëndësishëm përpara drejt integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike s’u bë në ato vite, sikur të ishim ende në kohën e izolimit enverist. Por ato dalin tërësisht “fjalë në erë” nëse shohim arritjet konkrete të qeverisë “Berisha” në këto 3 vitet e fundit, pavarësisht se Erioni i PS-së nuk pushon së shpifuri e së mohuari gjithëçka në emër të “politikës së re” socialisto-edviniste. Të njëjtën prerje llafazanërie ka edhe Erioni i “G 99”-ës, i cili e shfaqi hapur ambicjen e tij për të zvendësuar adashin e vet në PS-së. Por Partisë Socialiste i “MJAFT”-on një Erion për të broçkullosur qytetarët në emër të kësaj force politike, duke i treguar ëndërra në diell apo duke i thënë çdo ditë të “bardhës” - e “zezë”. Kësisoj ndryshimi i emrave, madje edhe dublimi i tyre në listën e kantidatëve për deputet të PS-së, më shumë se sa për “politikë të re” tregon për “panik të ri” në javët e mbetura, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të 28 qershorit ’09. Ndaj alternativa qeverisëse është zvendësuar me alibira propagandistike, për të krijuar një imazh të deformuar e jo real në sytë e qytetarëve. Një emër i ri në stafin drejtues të PS-së apo dhe në krye të kësaj force politike, qoftë ky edhe i “kredituar” nga “G 99”-a, nuk sjell asgjë të re për të ardhmen tonë, e cila s’ka asnjë lidhje me karierën personale të Edvin-ëve apo Erion-ëve. Thjeshtë është një tendencë për makiazh në një fytyrë të rreshkur. Por kjo tentativë do të ishte e dështuar edhe sikur qeverisja tetëvjeçare e të majtëve në vitet ’97-’05 të na ofronte shembuj arritjesh e rezultatesh mbreslenëse, jo më të në kushtet kur ajo është cilësuar tërësisht e dështuar dhe e korruptuar. Ndaj për të ndryshuar këtë situatë do të ishin të  pa “MJAFT”-ueshëm edhe 99 Erion, jo më një prej tyre.
Erioni është “zero, fyl”, pavarësisht se pretendon të ketë pas vetes mijëra anëtarë e simpatizantë partiakë që jo shumë kohë më parë luanin “shtëpiash” me njeri-tjetrin. Kjo është një e vërtetë e padiskutueshme, pavarësisht se me rastin e pagëzimit të “MJAFT”-it në  P “G 99”, ai u prezantuar si lider i një “forcë të re politike” për të mbështetur fitoren e PS-së në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare. Kësisoj ai mendon të shërbejë si një “KOS”, i importuar nga eksperienca e shoqërisë civile në vendin tonë. Një lëvizje e tillë ka embrionuar edhe në periudhën e para fushatës elektorale të zgjedhjeve të 3 korrikut ’05. Ndërkohë që kishte dalë në skenë Komiteti i Orjentimit të Politikave (KOP) pranë Partisë Demokratike, qarkulluan fjalë se edhe Partia Socialiste po krijonte një organizëm të ngjajshëm për promovimin e politikave të reja ekonomiko-qeverisëse të quajtur “KOS” (Komiteti i Orjentimit Socialist). Por shumë shpejt u morë vesh se “KOS”-i nuk ishte më shumë se një thashethem mediatik, i cili u shfrytëzua për të lançuar politikisht disa figura të njohura të artit kulturës e sportit si Luiza Xhuvani, Kiço Londo, Igli Tare, etj., të rreshtuar majtas. Dhe s’kishte si ndodhte ndryshe kur jo vetëm lidershipi socialist ishte totalisht i painteresuar për konkretizimin e iniciativave të tilla reformuese, por mungonte njëkohësisht edhe lënda, pse jo dhe tradita e mirë, me të cilën do të konturohej një strukturë e tillë politiko-intelektuale. Mungonte pra, lënda e arritjeve ekonomike gjatë 8 viteve të qëndrimit politik në pushtet. Nga ana tjetër, një faktor frenues në ndërmarrjen e kësaj iniciative ishte dhe eksperienca negative në manipulimin e zgjedhjeve, e cila e shtynte udhëheqjen socialiste drejt mënyrave bizantiniste të marrjes së pushtetit, sikundër kishte ndodhur për 8 vjetë rresht në të kaluarën. Gjithashtu, të majtët ishin defiçitarë edhe në elementin konkurues, pasi sado të shquar në fusha të tjera t’i gjenin elementët e “KOS”-it, ata ishin “marksist-leninist” në fushën  e zhvillimit ekonomik. Por mbi të gjitha këta elementë mungonin realisht në tregun politik, edhe përtej këtyre emrave të njohur, pasi në të kundërt do ta kishin thënë fjalën e tyre me vepra konkrete gjatë viteve të qeverisjes së majtë. Nga ana tjetër, zgjidhje të tilla për PS-në janë të pamundura, pasi nuk funksionojnë si forma organizimesh efiçiente por si mënyra “nëntëdhejtë e nëntshash” për të siguruar pushtet të pamerituar, të paktën për klanin e “Njëshit” të tyre.
Socialistët shqiptarë, të përcarë apo të bashkuar, vazhdojnë akoma të vendosin “politikën në plan të parë”, si dikur në kohën e monizmit, duke menduar se ajo ka forcë çudibërëse. Por t’i hipësh gjithnjë “kalit” të politikës, pa përfillur kërkesat e kohës, do të thotë të jesh i paorjentuar në kohë dhe hapësirë, sidomos kur bëhet fjalë për interesat e përgjithëshme kombëtare. Këtë moment kishte parasysh Winston Churchill kur thoshte: “Socialistët janë si Kristofor Kolombi, nisen pa e ditur se ku shkojnë. Kur arrijnë nuk dinë se ku janë. E gjithëçka me paratë e të tjerëve”. Kujtoni si erdhën në pushtet të majtët shqiptarë në ’97-ën, duke inicuar “revolucionin demokratik të vonuar”, siç thoshte Qosja, pa e ditur apo më sakt pa i menduar fare pasojat tragjike që mund të shkaktonte dalja e tij jashtë kontrollit. Ata i hidhnin pa pushim benzinë zjarrit të revoltave, pavarësisht se flakët e krijuara digjnin deri në palcë trupin e Shqipërisë. Por e keqja e madhe nuk arriti të prekte fatin tonë vetëm për faktin se, forcat e djathta politike vunë interesat e kombit në plan të parë, dhe u tërhoqën në mënyrë vullnetare nga pushteti i fituar me votë, duke e ndarë atë me kundërshtarët politikë, për t’i frenuar ata në marrinë e tyre antikombëtare. Nga ana tjetër, të majtët e bashkuar sipas “idealeve komuniste e partizane”, siç ua kishte lënë amanet “Tarasi” i tyre i paharruar, edhe kur erdhën në pushtet në 29 qershor ’97, pas zgjedhjeve të militarizuara, ku vota ishte “plumb” kallashi për kundërshtarët politik,  nuk dinin se ku ishin. Megjithëse kishin marrë në dorë fatet e kombit dhe të vendit, ata vazhdonin të mendonin vetëm për interesat personale të njeri-tjetrit, duke e mbushur administratën dhe veçanërisht doganat, tatimet, policinë, prokurorinë, gjykatat e sektorë të tjerë të kësaj natyre me anëtarë të “komiteteve të shpëtimit kombëtar” e partiakë të ndryshëm ekstremist. Kjo ishte arsyeja që për 8 vjetë nën qeverisjen e majtë vendi nuk u zhvillua dhe korrupsioni arriti majat. Nga mestarisht 10% që ishtë rritja ekonomike gjatë viteve ’92-’96, në periudhën ’97-’05 ajo u përgjysmua. Kurse “taksa e rryshfetit” dhe veprimet e tjera korruptive për të gjithë periudhën e qëndrimit në pushtet të social-komunistëve mund të kenë hequr nga buxheti publik mbi 10 miliradë dollarë të ardhura, përderisa për një vit Banka Botërore llogariste që vlera e këtyre përvetësimeve mafioze arrinte në 1,4 miliardë dollarë. Përmasat marramendëse të abuzimeve financiare nga pushtetarët e majtë shqiptarë vërtetojnë në praktikë drejtësinë e pjesës së fundit të thënies së mësipërme të Churchill që, “gjithëçka ata e bëjnë me paratë e të tjerëve”. Edhe tashmë në opozitë social-komunistët po vuajnë nga virusi i “mosdijes se ku janë dhe çfarë bëjnë”. Pretendojnë të kthehen në pushtet duke mos bërë asnjë ditë rolin e opozitës serioze e të përkushtuar për fatet e vendit e popullit të tyre. Rritja e besimit dhe popullaritetit të PS-së nuk arrihet me dy Erion “në një derë” dhe as me një Edi në “dy dyerë”, por me reformim konkret të kësaj force politike që kurrë nuk e përdori një terapi të tillë shëruese. Kësisoj PS-së nuk po arrin të bëhet as e zonja e vehtes, jo më e zonja e Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, me largimin e Fatos Nanos nga drejtimi i PS-së, të majtëve po u ndodh si në fabulën e njohur të Ezopit: “Barku dhe pjesët e tjera të trupit”, ku thuhet: “Një herë pjesët e tjera të trupit u revoltuan kundëra barkut dhe i thanë: -Ti, o bark, e kalon jetën birinxhi. Asnjëherë s’ke punuar, ndërsa ne i bëjmë të gjithë, Nuk mjafton kjo, por të shërbejmë edhe ty për çdo gjë që të duhet. Kjo, dije, se s’ka për të ndodhur më; prandaj kujdesu vetë për veten tënde! -Kështu thanë e kështu bënë. Pjesët e trupit  e lanë barkun ta grijë uria. Por nuk kaloi shumë dhe e pësuan për vet. Trupi dhe pjesët e tij u dobësuan shumë dhe vetëm atëhere e kuptuan budallallëkun e tyre”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›