E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Nuk kam besim tek drejtësia në Shqipëri

Ish- ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në një intervistë për një të përditshme ka deklaruar se nuk ka besim tek drejtësia në Shqipëri.

Nuk kam aspak besim tek drejtësia në Shqipëri. Shitja e turpshme që i bëri Kolegji Zgjedhor rezultatit për Bashkinë e Tiranës më ka bërë të besoj se drejtësia në Shqipëri nuk i përballon dot presionet nga politika. Drejtësia ska për të marrë kurrë vendime të drejta kur bëhet fjalë për politikanë. Drejtësia bëhet gjithmonë me pushtetin, ashtu siç ndodhi me Kolegjin Zgjedhor. Ka individë tepër të ndershëm në sistemin tonë të drejtësisë, por shumica nuk janë të pavarur dhe ndikohen fort nga politika apo forca e parasë. Përsa i përket hetimeve të videos Prifti-Meta siç e quani ju, mund të them se jam i kënaqur që drejtësia nuk manipuloi provat që unë dorëzova, ekspertët certifikuan paprekshmërinë dhe origjinalitetin e videos që unë dorëzova. Për këtë pjesë jam i qetë. Provat e mia dolën të pamanipuluara, ndryshe nga akuzat që më bëri z.Meta. Se si do vazhdojë kjo histori, unë nuk e di. Kam dëgjuar shumë historira për gjyqtarë të caktuar në trupën gjykuese, por deri tani vendimet e kësaj trupe gjykuese kanë qenë korrekte dhe të pandikuara politikisht. Sigurisht do ta ndjek me vëmendje vazhdimin e këtij procesi, tha Prifti.

Ai deklaroi se nuk jeton me frikë ndaj Metës, por është i përgatitur për gjithçka.

Sigurisht që unë dhe familja ime ndjehemi të kërcënuar. Kam marrë shumë kërcënime gjatë vitit të fundit dhe akoma asnjë prej tyre nuk është zbardhur nga hetimet. Kam përballë në gjykatë ish zv/Kryeministrin, njeriun që edhe sot mban në pushtet këtë qeveri me 4 votat e tij në Parlament. Kam përballë gjithë pushtetin dhe qeverinë. Përveç kësaj, z.Meta është person që në rrethin e tij miqësor ka dhjetëra kriminele, njerëz të futur shpesh herë nëpër burgje deri edhe për vrasje. Njerëz pranë Metës flasin që ai sdo ma falë kurrë mua këtë që i bëra. Unë sjam superman dhe sigurisht që shqetësohem kur flitet për rrezik mbi jetën time dhe të familjes. Por nuk jetoj me frikë. Metës i kam thënë se çdo lloj goditje që mund të kem unë prej tij, ai do ta paguajë dhjetë herë më shumë. Jam i interesuar për marrëdhënie paqësore me atë, por jam i përgatitur për çdo gjë, u shpreh Prifti.

Duke komentuar një deklaratë të tij se Meta e Berisha po përgatisin një plan për të asgjësuar politikisht Ramën, ai tha: Nëse Rama nuk do fitonte me 10 vota betejën e Bashkisë së Tiranës tani do ishim duke parë aktualizimin e këtij skenari ogurzi. Ata që janë kundër Ramës në PS nuk e fillojnë dot luftën kundër Ramës, sepse ai nuk humbi. Ramës ju vodhën zgjedhjet. Ky skenar dështoi por mund të jetë duke pësuar mutacione dhe mund të shfaqet në ndonjë lloj forme në vjeshtë.

I pyetur nëse do votonte për Nanon president, siç kishte deklaruar më përpara, Prifti tha se do e mendonte një gjë të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›