Kur bashkia kërkon të nxjerrë para nga romët: 100 mijë lekë që tu kthejë karrocat
Bashkia e Tiranës, e cila prej javësh të tërë ka nisur një aksion ndaj romëve për ti ndaluar që të mbledhin kanaçe, duket se nuk ka ndërmend që të rreshtë në aksionin që ka ndërmarrë ndaj tyre.
Sipas një reportazhi të A1 Report, policia bashkiake është duke vijuar dhunën ndaj romëve, duke i ndaluar ata që të mbledhin kanaçe dhe shishe plastike, i vetmi mjet mbijetese për ta.
Jo vetëm kaq, por punonjësit e policisë bashkiake kanë kërkuar nga romët 100 mijë lekë të vjetra, për tu kthyer karrocat e konfiskuara.
Policia bashkiake na kërkon 100 mijë lekë çdo personi për të na kthyer mbrapsht karrocat e sekuestruara më parë.- tregon një banor për kameran e Tv A1 Report.
Jo vetëm kaq, por atyre u është kërkuar të punojnë në pikën e grumbullimit të mbetjeve në Sharrë tre ditë pa lekë, si provë, dhe më pas të punësohen zyrtarisht. Na duan të punojnë 3 ditë pa lekë. Po unë që punoj me djalin, i bie të mos marr 60 mijë lekë për tre ditë. Ça është kjo. Po unë me se të jetoj atëherë- dëshmon një grua e komunitetit rom.
Organizata e njohur për të drejtat e njeriut, Amnesty International, ka kritikuar ashpër këtë aksion të bashkisë ditë më parë, që duket se çoi edhe në shkarkimin e drejtorit të policisë bashkiake, Florenc Hoxha dhe emërimin në vend të tij të Vullnet topallit.
Mendohet se prapa gjithë këtij aksioni qendron kunati i kryebashkiakut Lulzim Basha, që kërkon të marrë në zotërim përpunimin e mbledhjes dhe përpunimit të objekteve plastike.