Ferrari dominon në Bahrein, buzëqesh Masa
Piloti i Ferrarit, Felipe Masa, fitoi Çmimin e Madh të Bahreinit dhe hedh pas krahëve atë fillim të dobët të Botërorit 2008 në Formula 1. Braziliani ka regjistruar triumfin e parë sezonal në cirkuitin e tij të preferuar (vitin e kaluar ishte nisur nga "pole position" dhe kishte fituar pa vështirësi garën). Masa, i nisur nga vendi i dytë pas pilotit të BMW Sauber, Robert Kubika, ka marrë menjëherë kryesimin e garës dhe arriti të mbante pas vetes deri në finish (të distancuar me afro 3 sekonda e gjysmë) shokun e skuadrës dhe liderin e ri të botërorit, Kimi Raikonen. Në fund të garës, ai deklaroi: "U nisa mjaft mirë, ndryshe nga Robert (Kubika). Në fillim gara ishte paksa e vështirë, pasi në pistë kishte shumë vaj dhe duhej të tregohesha i vëmendshëm. Gjithsesi, gjatë garës makina funksionoi shumë mirë. Nuk e sforcova makinën në maksimum. Në javët e para të këtij sezoni kam qenë në vështirësi. E kemi të qartë se kemi një makinë shumë konkurruese dhe të shpejtë. E dashuroj cirkuitin e Bahreinit. Kjo është fitorja ime e dytë radhazi në këtë pistë. Gjithmonë kam qenë një rival shumë i fortë këtu". Ky ishte triumfi i gjashtë i Masës në karrierë dhe 10 pikët e marra të dielën e fusin brazilianin në garën për titull. Kampioni i botës në fuqi, Kimi Raikonen, u klasifikua i dyti. Finlandezi i Ferrarit, i cili regjistroi podiumin numër 50 në karrierë, tashmë kryeson kampionatin me 19 pikë, tre më shumë se Hajdfilld. Hemilton, Kovalainen dhe Kubika kanë nga 14 pikë. Raikonen u shpreh i kënaqur me rezultatin e marrë dhe deklaroi: "E gjithë fundjava ka qenë relativisht e vështirë. Nuk kam arritur të kem makinën në gjendje optimale. Vendi i dytë, pas një fundjave të tillë, nuk është një rezultat i keq. Tashmë kryesoj edhe botërorin për pilotë, pra mund të them me plot gojë se jam i lumtur". Kubika, i cili kishte dalë i dyti në Çmimin e Madh të Malajzisë, të zhvilluar dy javë më parë, e përfundoi garën në vendin e tretë, përpara shokut të skuadrës të BMW Sauber, Nik Hajdfilld. Skuadra gjermane është e vetmja që në tri garat e para të këtij kampionati ka arritur gjithmonë që të ketë një pilot në podium. Në konferencën për shtyp, Kubika u paraqit mjaft i lumtur për vendin e tretë: "Ky ishte një rezultat mjaft i mirë për skuadrën, që tashmë kryeson botërorin për konstruktorë. Mund të them se kaluam një fundjavë të mirë". Finlandezi i MekLarenit, Heiki Kovalainen e përfundoi garën aty ku e kishte nisur, në vendin e pestë. Ndërkohë, shoku i tij i skuadrës, Luis Hemilton, u rendit i 13-ti, pas një starti shumë të keq, edhe pse në vijën e nisjes ishte i katërti. Jarno Truli me Tojota, Mark Veber i Red Bull dhe Niko Rosberg i Uilliams plotësuan tetë vendet e para, duke marrë pikë. Rezultat aspak i kënaqshëm për dy herë kampionin e botës, Fernando Alonso, që me Renaultin e tij nuk shkoi më shumë se vendi i nëntë.