Kur do të ndalë rënia e dollarit?
Deri në çfarë caqesh do të vazhdojë të bjerë dollari? Apo ai ka rënë kaq pak, saqë tani sërish do të fillojë të rritet?
Për udhëtarët nga Evropa ose Azia, çmimet në SHBA janë tejet më të ulëta se në vendet e tyre. Kostoja e një dhome në hotel ose një vakti kryesor ngrënieje në Nju Jork në krahasim me çmimet në Londër, Paris ose Tokio është më e leverdishme. Dhe para kthimit në shtëpi, blerësit e huaj janë të ngarkuar më një gamë të gjerë produktesh.
Por, pavarësisht këtyre shembujve tepër të prekshëm, do të ishte gabim të arrihej në përfundimin se tani mallrat amerikane janë kaq të lira me kursin ekzistues të këmbimit, saqë dollari duhet të fillojë të rritet. Edhe pse mallrat dhe shërbimet, që blejnë udhëtarët, mund të kushtojnë më lirë në Shtetet e Bashkuara se jashtë, çmimi i përgjithshëm i produkteve amerikane gjithsesi mbetet ende shumë i lartë për të zhdukur zhbalancimin e madh tregtar mes SHBA dhe pjesës tjetër të botës.
Në të vërtetë, dollari që po bie në disa vitet e fundit i ka bërë produktet amerikane më komptetive dhe për pasojë ka rritur dukshëm vlerën reale të eksporteve të SHBA-ve në më tepër se 25%, tre vitet e fundit. Por deficiti tregtar në vitin 2007, sidoqoftë, arriti në më tepër se 700 miliardë dollarë ose 5% të PPB-së.
Deficiti i madh i tregtisë së jashtme dhe deficiti po aq i madh i bilancit të tregtisë (që përfshin të ardhurën investuese neto) do të thotë se investuesit e huaj duhet t’u shtojnë portofolave të tyre të letrave amerikane me vlerë 700 miliardë dollarë. Pikërisht mosdashja e tyre për ta bërë këtë me kursin ekzistues të këmbimit shkakton rënien e dollarit në raport me valutat e tjera. Duke rënë, dollari ul koston e letrave me vlerë në dollarë në portofolat e huaja kur ato llogariten në euro ose në valuta të tjera vendëse, duke pakësuar pjesën e dollarëve në portofolat e investuesve. Dollari edhe më i dobët gjithashtu, ul riskun e rënies së dollarit në të ardhmen, gjë që nënkupton se dollari duhet të ulet edhe më tej në të ardhmen, me qëllim që bilanci tregtar të shkojë në një nivel të qëndrueshëm.
Por ç’është ky nivel i qëndrueshëm i bilancit tregtar dhe dollarit? Përderisa ekspertët po rreken ta shprehin këtë me anën e bilanceve të portofolave, pika më fondamentale e përllogaritjes qëndron në faktin se deficiti tregtar i SHBA-ve nënkupton se amerikanët marrin më shumë mallra dhe shërbime nga pjesa tjetër e botës sesa i shesin; 700 miliardë USD më tepër për vitin e kaluar. Kjo diferencë u financua me anë të letrave me vlerë me kosto 700 miliardë USD. Interesi dhe dividendët për këto letra me vlerë do të paguhen me “copa letre” të radhës. Dhe kur të vijë afati i maturimit të këtyre letrave me vlerë, ato do të rifinancohen me letra me vlerë të reja.
Vështirë të përfytyrohet që sistemi ekonomik global do të vazhdojë të jetë indiferent dhe të lejojë që SHBA-të të importojnë më tepër mallra dhe shërbime nga sa eksportojnë. Në një moment të caktuar, SHBA-ve do t’u duhet të fillojnë të ripaguajnë një sasi tejet të madhe mallrash dhe shërbimesh, që u morën nga pjesa tjetër e botës. Për ta bërë këtë, SHBA-ve do t’u duhet një bilanc tregtar pozitiv.
Kështu, momenti kyç në përcaktimin e vlerës së dollarit në perspektivë afatgjatë do të jetë ai kur dollarit do t’i duhet të bjerë, aq sa të kthejë deficitin e sotëm tregtar të SHBA-ve në bilanc pozitiv. Kjo nuk ka për të ndodhur në ndonjë të ardhme të afërt, por ky është drejtimi, nëpër të cilin duhet të vazhdojë të lëvizë bilanci tregtar. Dhe kjo nënkupton se dollari do të vazhdojë të bjerë.
Një faktor me rëndësi në këtë proces do të jetë çmimi i naftës në të ardhmen dhe shkalla e varësisë së SHBA-ve nga importet e produkteve të naftës. Në çdo nga pesë vitet e fundit, SHBA-të importuan 3,6 miliardë barrela nafte. Me çmimin mbi 140 USD për barrel, kjo do të thotë se importi i kalon 500 miliardë USD. Sa më i lartë të jetë çmimi i naftës, aq më poshtë duhet të bjerë dollari për të reduktuar masën e bilancit tregtar. Kështu, një çmim në rritje i naftës i llogaritur në euro ose jenë, do të nënkuptonte një rënie më të madhe të dollarit dhe, për rrjedhojë, një çmim edhe më të lartë të naftës kur llogaritet me dollarë.
Në përcaktimin e vlerës së dollarit duhet patur parasysh edhe një konsideratë me rëndësi: normat e inflacionit në SHBA dhe jashtë. Deficiti tregtar i SHBA-ve varet nga vlera reale e dollarit; domethënë nga vlera e dollarit e rregulluar për diferencat në nivelet e çmimeve në SHBA dhe jashtë. Nëse në SHBA inflacioni do të jetë më i madh se te partnerët tregtarë të tyre, vlera nominale e dollarit duhet të bjerë edhe më poshtë për të ruajtur po atë vlerë reale.
Diferenciali i inflacionit mes dollarit dhe euros është tani relativisht i vogël - vetëm rreth një për qind në vit - por shumë më i madh në raport me jenin dhe më i vogël në raport me juanin dhe valutat e tjera me nivel të lartë inflacioni. Në perspektivë afatgjatë, gjithsesi, diferencialet e inflacionit mund të jenë forcë më e madhe në përcaktimin e fatit të dollarit.
* Titulli në origjinal: “What is the Dollar’s Sustainable Value?” (Ç’është vlera e qëndrueshme e dollarit?)
**Martin Feldstein, profesor Ekonomiksi në Harvard, ka qenë Kryetar i Këshillit të Konsulentëve Ekonomikë të Presidentit Ronald Reagan dhe gjithashtu President i Byrosë Kombëtare të Studimeve Ekonomike.
Përktheu: Vladimir Mustaqi