Një ligj nataliteti antishqiptar
Kohët e fundit, qytetarët shqiptarë e kanë të vështire të përcjellin numrin enorm të ligjeve të disfavorshme për shqiptaret, të cilët për një kohë shumë të shpejtë u miratuan në Parlamentin e Maqedonisë. Ky trend tani shkoi në një faze të re të degradimit, pasi Parlamenti filloi të nxjerrë edhe ligje diskriminuese. Një prej shembujve tipikë është ligji i ashtuquajtur për stimulim, rritje të natalitetit, i cili është i dedikuar ekskluzivisht për një kategori qytetarësh (jo shqiptarë). Sado që të mundohemi të zgjedhim fjalë më pak të rënda për të interpretuar propozim-ligjin në fjalë, nocioni i vetëm adekuat është së bëhet fjalë për propozim ligj klasik Apartheidi, diskriminues, i cili nuk përkon as me kohën në të cilën jetojmë, as me aspiratat e këtij vendi.
Studiuar nga retrospektiva historike: të dhënat për lindshmërinë e popullsisë në Maqedoni datojnë që nga vitet tridhjetë të shekullit XX, me një ndërprerje të shkaktuar si pasojë e L2B. Ato tregojnë së në përgjithësi lindshmëria e popullsisë së Maqedonisë ka shënuar rënie. Shkaqet e zvogëlimit të shkalles së natalitetit në Republikën e Maqedonisë janë të shumta por kryesisht determinohen nga zhvillimi social-ekonomik dhe shoqëror i vendit, standardi jetësor, shkalla e papunësisë, emancipimi në përgjithësi, e në veçanti i femrës, etj.
Këtij trendi, fatkeqësisht nuk i ka shpëtuar as nënqielli ynë, ose ai i Pollogut, edhe pse nuk zhvillohet me të njëjtin intensitet si në pjesët tjera të Maqedonisë. Në vitin 1971 shkalla e natalitetit në Pollog qe 31.7, kurse ai i Maqedonisë 22.90. Në krahasim me mesataren e Maqedonisë, në Pollog kanë lindur nëntë foshnja të lindura të gjalla në 1000 banorë. Mirëpo hulumtimet e vitit 1998 tregojnë se shkalla e përgjithshme e natalitetit në rajonin e Pollogut është 21.4, që në krahasim me vitin 1971 paraqet një rënie prej 10.3 promilash ose në përqindje rënieje prej 32.5 për qind (ky numër me siguri në ditët tona është akoma më i shprehur).
Të gjitha këto janë tregues të mjaftueshëm, të cilët na alarmojnë që në këtë drejtim duhet të jemi maksimalisht të fokusuar, të mos lejojmë sjellje të akteve të këtilla normative dhe të gjithë së bashku: partitë politike, shoqatat joqeveritare, intelektualët, të marrin masa preventive që të mos na ndodhë shembulli, fenomeni ose fatkeqësia e Manastirit dhe shumë qyteteve tjera ku shqiptarët, prej popullatës shumicë u shndërruan në popullatë pakicë.
Ja një shembull që të shërbejë si ilustrim: Gjate viteve 1930-1940, Manastiri, si një prej qyteteve me të rëndësishme shqiptare numëronte 35 000 banorë, Shkodra 25 000, Shkupi 15 000, Prishtina 10 000, Tirana 7000, Tetova 5000, etj., në të gjithë këto qytete nuk do mend se shumicë ishte popullata shqiptare. Në nivel të vilajetit të Manastirit, sipas statistikës të vitit 1912 nga gjithsej 694 800 banorë, shqiptarë ishin 375 900 ose 54.1%, pastaj vinin maqedonasit me 27.3%, vllehët 7.4%, turqit 5.8%, serbët 2.1%, të tjerët 0.1%. Sa për kuriozitet po sipas statistikës nga viti 1912, në pjesën e Maqedonisë lindore si: Shtip, Radovish, Kocan, Kratove, Pekceve, Kriva Pallanke, të cilët bënin pjesë në vilajetin e Kosovës, shqiptarët përfaqësonin 61.4%, serbët 16.2%, maqedonasit 13.3%, turqit 9.1 etj. Gjërat, si u zhvilluan më vonë, krijuan realitete të reja demografike në viset e lartpërmendura. Në disa, shqiptarët u shfarosën tërësisht, në disa numri është simbolik, me tendencë të degradimit të mëtejmë.
Nga kjo retrospektivë historike, kthehemi në realitetin aktual dhe mund të konstatojmë se në vendin tonë me dallime të vogla mes etniteteve, në shkallën e natalitetit ka rënie të përgjithshme dhe se duhet marrë masa. Mirëpo në shtetin tonë këto masa nuk vlejnë për të gjithë njësoj dhe si shembull për këtë është pikërisht projektligji i propozuar nga Ministria e Punës dhe Politikes Sociale, i cili do të ketë për mision, stimulimin e natalitetit gj.gj., shtimin e popullatës, por vetëm të pjesës joshqiptare. Shqiptarët përjashtohen(!).
Ja në disa pika çka parasheh ky propozim-ligj: shteti do të paguajë kompensim material, stimulues, edhe atë në vlerë 30% të rrogës mesatare, ose rreth 5000 denarë për fëmijën e dytë. 8000 denarë ose 50% i rrogës mesatare për fëmijën e tretë në periudhë kohore dhjetëvjeçare. Ndërsa për të katërtin, ky kompensim kap shumën e 10 000 dinarëve ose 70% e rrogës mesatare në periudhë kohore 15-vjeçare. Nëse nëna e lind fëmijën e katërt gjatë kohës kur shfrytëzon kompensimin 50% përqindësh e fiton të drejtën e realizimit të përjetshëm (pensional) të shtesës prindërore në lartësi prej një rroge mesatare të Republikës së Maqedonisë. Ky kompensim do t’u takojë të gjitha nënave pa marrë parasysh a janë të punësuara ose jo. Komunat që përfitojnë nga ky ligj janë paracaktuar dhe komunat shqiptare që për momentin janë jashtë kësaj përfshirjeje, (ndoshta në të ardhmen, sa për ilaç, ndonjë prej tyre edhe do të përfshihet).
Këtu kemi jo vetëm ndarje etnike, por edhe territoriale, duke u anashkaluar komunat me shumicë shqiptare, anashkalohen nënat shqiptare, familja shqiptare nga benefitet që i parasheh ky propozim-ligj. Me fjalë të popullit, disa duhet të stimulohen që të lindin, kurse për disa kjo nuk vlen, për dikë fëmija duhet të jetë gëzim dhe lumturi pasi për të do të stimulohet me kompensim material nga shteti, kurse për një kategori vetëm se nuk është pjesë e një etnosi të zgjedhur, fëmija duhet të jetë barrë dhe shpenzim.
Duke mos zgjedhur mjete tentohet që në formë artificiale të krijohen realitete të reja, në radhë të parë demografike pastaj sociale, e kështu me radhë. Kjo na kujton një të hidhur të cilën e përmendëm me lart, a tentojmë që ta harrojmë. Këtu qytetarët ndahen në superiorë dhe inferiorë, në të vlefshëm dhe të pavlefshëm. Si të tillë, të dedikuar vetëm për një kategori, e konsiderojmë këtë ligj SEGREGUES, dhe se do të sjellë me tepër dëm se dobi, si për imazhin e vendit para faktorit ndërkombëtar po ashtu edhe për raportet e brendshme ndëretnike.
Konsiderojmë se popullata shqiptare nuk meriton këtë trajtim, pasi edhe ne jemi ndërtues të këtij shteti me të njëjtat obligime, por jo edhe përfitime eventuale, ata gjithmonë janë të rezervuara për të tjerët. Me tentativën për fundosjen, minimizimin e çështjeve që janë të rëndësishme për shqiptarët, pushteti fundos dhe minimizon të ardhmen e vet, dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim.
*Meral Yzeiri (Ferati) është Kryetare e Forumit të Gruas pranë PDSH-së (Maqedoni) dhe deputete në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë