E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur drejtësia i shërben anti-kombëtarizmit

Ashtu si ka pasur jo pak gjyqtarë të ndershëm që kanë sakrifikuar jetën dhe familjen për drejtësi, në të gjitha kohërat e në të gjitha sistemet ka pasur edhe gjyqtarë dhe trupa gjyqësore që mund të shiten e të blihen, që marrin ryshfete e benefite, duke bashkëpunuar hapur a fshehur me pushtetarët, me grupet mafioze, me organizatat kriminale, me korrupsionin dhe trafiqet, etj. Duke dhënë padrejtësi në vend të drejtësisë. Ndërsa tek ne po ndodh një mbrapshti e pa parë dhe e pa dëgjuar: Jo një, po disa trupa gjyqësore, thuajse gjithë hierarkia gjyqësore, që nga shkalla më e ulët e deri te Gjykata e Lartë, që nga përmbaruesi e deri te Kolegji Zgjedhor, punojnë qetësisht e paqësisht kundër interesave kombëtare, kundër shoqërisë, kundër të ardhmes, kundër integrimit, kundër vetë drejtësisë, kundër të drejtave të njeriut, kundër paqes dhe harmonisë sociale, duke mbjellë vetëgjyqësi e pabarazi, duke rrënuar përditë e më shumë besimin e qytetarëve jo vetëm te gjykatat, te Ligji, te ndershmëria profesionale, te e drejta, por edhe te sistemi demokratik e mundësia që edhe vendi ynë, i shumëvuajtur, të mund të bëhet Evropë… Fatkeqësisht, vitet e fundit, punët po venë keq e mos më keq sa prej krerëve të lartë të politikës konfliktuale, aq edhe falë veprimtarisë së organeve tona të (pa)Drejtësisë.
Kjo që them mund të duket e rëndë dhe e tepruar. Vetëm se faktet dhe provat tregojnë që ndodh pikërisht kështu, ndoshta edhe më për zi nga ç’na shohin sytë e dëgjojnë veshët. Madje kam frikë se nuk është e nevojshme të kryhen as sondazhe nga ndërkombëtarët për të kuptuar se si e përcjell qytetari i Bulqizës apo i Bathores lajmin e arrestimit të një mjeku në Sarandë që mori ryshfet 25 mijë lekë (të vjetra), dhe mbylljes së gjyqit (për “procedura”, çfarë shpikje!) të abuzimit me mbi 200 milionë euro në rrugën e Kombit; si e përcjell mosndëshkimin e krimit të Gërdecit apo vrasjen te dera e qeverisë të katër protestuesve nga Garda dhe arrestimin e djalit që prej fukarallëkut dhe mizerjes rreh e vret babanë “për punë lekësh”. Kurse sa për lirimin e trafikantit ndërkombëtar turk, apo për videon Meta-Prifti të “manipuluar”, jam i bindur, tashmë nuk e vret mendjen kush, aq më tepër në këto ditë kur na ka pllakosur dëbora, izolimi, acari…!
Nuk është e nevojshme të kenë apo mos kenë imunitet deputetët dhe gjyqtarët, sepse jemi ne, qytetarët, opinioni publik, i imunizuar nga çfarëdolloj skandali e krimi shtetëror! Nëse hajdutët dhe kriminelët ordinerë prej vitesh ikin në drejtim të paditur, zyrtarët përherë ikin në drejtim të ditur: Ata ngjiten lart e më lart në karrierë e në lavdi, përditë do të dalin nga një ekran e do të shkojnë te tjetri, duke u hakatur të na shpjegojnë rregullat e demokracisë dhe funksionimin e drejtësisë.
Nëse deri ca vite më parë kemi pas kujtuar e besuar se për gjendjen tonë kritike në këtë tranzicionin pa fund e pa anë e ka pasur fajin klasa politike, e padenjë dhe e papërgjegjshme, sot kjo barrë mëkati ka rënë e tëra mbi organet e drejtësisë. Jo vetëm se këtë e thotë BE, e cila dy herë radhazi na ka lënë jashtë derës për shkak të “drejtësisë pa drejtësi”, porse tanimë këto organe kanë fituar edhe të drejtën ekskluzive të vendosin ku ka shkuar vota jonë, pra kujt i takon pushteti, ashtu si mund të ligjërojnë dhe të shpallin të pafajshëm edhe një ministër kur bën pazar milionash në zyrë sepse “janë organe të pavarura” dhe sepse kështu “ndodh në çdo shtet të së drejtës”.
Kur nuk i heq dot gjykata nga pushteti të korruptuarit dhe vrasësit, kur në të kundërt këta shpallen “me ligj” të pafajshëm, si mund t’i heqë nga pushteti uzurpatorët vota “e lirë dhe demokratike”? Kjo pyetje është më dramatike nga sa duket sepse nuk ka amalgamë më të rrezikshme, më dekurajuese e më dëmsjellëse për një shoqëri kur trupat gjyqësore arrijnë të bëhen njësh, d.m.th të bëhen një trup i vetëm me politikën, me zyrtarët e korruptuar e të gjithëpushtetshëm. Pikërisht, kjo ndodh në çdo diktaturë. Kjo “lidhje ligjore” u zgjat jetën diktatorëve, autokratëve, dhunës dhe padrejtësive mbi qytetarët.
Në një dokumentar të një regjisoreje bullgare pamë se si prokurorët dhe hetuesit e diktaturës sonë i justifikonin vendimet çnjerëzore kundër disa grave të huaja të arrestuara me postulatin aq shumë të përdorur edhe pas luftës së dytë botërore në Nyrenberg: “Ne kemi zbatuar ligjet e kohës”…Kjo do të thotë se nuk jemi ne fajtorët…Madje një ish-kryeprokurore guxoi e tha afërsisht këtë fjali “të pafajshme”: …Po të veproja ndryshe, do të isha unë në vendin e tyre! Kjo do të thotë: Më mirë ta pësonin ato gra, se ta pësonte familja ime. Kurse në një sistem demokratik nuk ka të drejtë e nuk mund të justifikohet dot kësisoj, as formalisht, asnjë gjykatës dhe asnjë trupë gjyqësore, pasi organet e Drejtësisë me Kushtetutë janë të pavarura. Në se, si kam dëgjuar, juristët, qofshin të mëdhenj, qofshin të vegjël janë frikacakë ndaj Ligjit, atëherë si shpjegohet që këta tanët të mos kenë as turp, as cipë, as përgjegjësi dhe as frikë nga ligjet dhe nga e nesërmja?
***
Sot nuk ka poshtërim më të madh se të detyrohesh të trokasësh në dyert e gjykatave. Po të duash të mallkosh një njeri, lutu: Paç punë me gjykatat! Nuk ka hall më të madh se të kërkosh pronën tënde, të drejtën tënde pasi e di që edhe pa shkelur në gjykatë, pra ende pa e bërë padinë e pa zënë një avokat rrezikohesh të jesh i humbur nëse nuk paguan; ca më keq nëse ai që të ka dëmtuar ka më shumë ndikim pushteti e ryshfeti. Krejt ndryshe ndodh me “vendimet e mëdha”. Qytetarët janë indiferentë ndaj tyre pasi nuk kanë pikë besimi te Drejtësia. Trupat tanë gjyqësore nuk kanë frikë nga Ligji, po nga Maliqi, dhe Maliqi si e dimë dhe si e pranojmë të gjithë në heshtje, është ai që ka në dorë qeverinë, fatin tonë, sjelljen tonë, gjithçka tjetër, pse jo edhe mënyrën tonë të të menduarit. Është ai që kur izolohemi nga dimri e nuk kemi asnjë ndihmë apo shpëtim, na këshillon, për të mirën tonë: Pastroni çatitë nga dëbora që të shpëtoni!
Pavarësia e organeve të Drejtësisë tani as si fasadë nuk shërben dot, kjo është një gënjeshtër që nuk e beson kurrkush. Aq fallco është imuniteti dhe pavarësia kushtetuese e këtij pushteti, sa edhe trupat gjyqësore të Gjykatës së Lartë nuk kanë nevojë të marrin urdhra e porosi direkte nga celulari i Berishës, që të votojnë “pesë me zero”, që të mbyllin filan dosje “për procedura”,etj, etj. Sepse ata, trupat gjyqësore, në unison tashmë, në emër të “pavarësisë” e dinë vetë se si duhet të veprojnë e votojnë. Kjo e bën tablonë më dëshpëronjëse! Në organet e Drejtësisë, ashtu si dje për çështje ordinere e për dosje kriminelësh, tash edhe për vendimet madhore, gjykatësit, edhe ata të Gjykatës së Lartë, asnjë nuk ka guximin e dinjitetin e mjaftueshëm të dalë kundër e të jetë, qoftë edhe formalisht, në “pakicë” për ta bërë vendimin “më të besueshëm”…Ja vlen vërtet një studim shkencor për të kuptuar se ç’a ka ndodhur në psikën e këtyre gjykatësve kaq të frikur e të tredhur, më të frikur se romët dhe kanaçembledhësit e mjerë të Vaqarrit. Dhe kur e ku? Në një sistem ku garantohet pavarësia dhe integriteti i tyre, në një shoqëri që pret të hyjë në BE.
Ja pra përse jemi në një situatë më të vështirë, më specifike se çdo popull tjetër i Ballkanit Perëndimor. Ja përse tani përgjegjësia ka rënë, -sigurisht qëllimisht! - mbi organet e Drejtësisë. Sepse, tek e fundit, politika nëse nuk do të na jepet për herë të tretë statusi (me argumentin e mungesës së theksuar të Drejtësisë), ka plotësisht të drejtë të shfajësohet kësisoj: Ky është pushtet i pavarur, ne “me ligj” nuk kemi të drejtë të fusim as gishtin në vendimet e tyre, pra nuk është faji ynë që u përfunduam “delja e zezë” e BE-së!
***
Sigurisht që nuk është fjala vetëm për proceset e mëdha të dështuara si Gërdeci, 21 janari, vendimet e Kolegjit zgjedhor apo çështja Meta-Prifti, të cilat jo vetëm për shqiptarët, po edhe për ndërkombëtarët provuan se Drejtësia është një shpresë e kotë, e vakët, e largët, për të mos thënë edhe e dështuar. Një nga arsyet më serioze për mosdhënien dy herë të statusit të vendit kandidat në BE, - me të drejtë, - ka qenë mungesa e theksuar e drejtësisë, dyshimi që në Shqipëri organet e Drejtësisë më së shumti japin padrejtësi, pasi janë të korruptuara në themel e të kapura për brirësh jo dhe aq nga pushteti, se sa nga paniku i gjëmës së paparashikuar të Njëshit. Ligjet janë të mira, por ato, - na këshillojnë herë pas here dashamirët ndërkombëtarë, - më së pari i shkelin jo vetëm politikanët e lartë, por edhe drejtuesit e organeve “të pavarura e kushtetuese” të Drejtësisë, të cilët i lejojnë krerët e qeverisë të abuzojnë, të mashtrojnë, të vjedhin, të gënjejnë, n’daç edhe të vrasin, duke krijuar kësisoj atë që së fundi quhet me aq delikatesë diplomatike: “Kulturë e pandëshkueshmërisë”.
Dihet se në një shoqëri ku nuk jepet drejtësi nuk ka e nuk mund të ketë demokraci dhe anasjelltas, aty ku nuk ka demokraci funksionale zor se mund të jepet drejtësi e barazi. Këtë po e shijojmë ne shqiptarët në të gjithë dimensionin e kësaj rropame, sigurisht jo vetëm ligjore, politike dhe morale, por tanimë edhe kombëtare. Me apo pa qëllim organet tona të Drejtësisë po punojnë jo vetëm kundër interesave të një pale, po kundër interesave madhore kombëtare dhe kjo, besoj, nuk kërkon tashmë shumë mend e kulturë për t’u kuptuar e pranuar. Vendimet e fundit gjyqësore në proceset e mëdha, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, nuk tregojnë vetëm korruptim të disa gjyqtarëve, shitblerje të tyre, por të trupave gjyqësore, duke përfshirë këtu jo vetëm Kolegjet Zgjedhore, ato të Faktit, të Apelit, por edhe të Gjykatës së Lartë, për të mos thënë së fundi edhe të Kushtetueses.
Nuk është rastësi që qeveria vitet e fundit ka çuar, si deklaroi ish nën kryetari i dorëhequr i KLD-së para ca ditësh, asnjë nismë ligjore, për ta reformuar sadopak këtë pushtet. Por, si mund ta reformojnë pikërisht ata që e duan gjyqësorin herë si alibi dhe herë si “vrasës” me, ose pa pagesë, të demokracisë, të integrimit dhe të normalitetit?
Dyshoj se është tepër vonë tashmë për të kuptuar rrënimin e këtij pushteti jetik, i cili po na dhuron aq shumë kontribute anti-kombëtare.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›