E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur duhet të vuash atë që paralajmërove

Nga Altin B. Kodra

"…Periudha kalimtare e pushimeve dhe ajo e fazës përgatitor janë më delikatet dhe, ndoshta, në kushtet e futbollit tonë, nga më të vështirat. Por, në të njëjtën kohë, është edhe themeli ku ngrihet e gjithë puna e ardhshme, pra, është baza për arritjen e objektivave të përcaktuara; me një fjalë, suksesi apo dështimi i ekipit, klubit, apo edhe vetë FSHF-së… …Dhe dihet që, "pas", vjen faza e pjesëmarrjes në Kupat e Evropës dhe rifillimi i sezonit të ri. Thuhet që, cdo vit, duhet bërë dicka më e mirë se ai që iku dhe kjo, në bazë të analizave, masave më të arrira dhe plotësimin me gjithcka që duhet për një sezon pozitiv. Ai që është mësuar me gjellën gati të njëjtë, që e servirin mediat (kupto, që këto janë gatuar në kuzhinën e klubeve), e kupton menjëherë se ekipet anë gati të gjitha në udhëkryq, nuk ka asnjë program serioz të paraqitur nga presidentët, nga stafi teknik apo të dëgjojmë që filan ekip bëri një analizë të sezonit, qoftë teknike e qoftë organizative-financiare, ku të parashtrohen e të parashikohen të gjitha lëvizjet, të gjitha objektivat dhe kushtet stërvitore me bazë të nevojshme materiale dhe didaktike… …Nisur vetëm nga ky këndvështrim, duke parë, në të njëjtën kohë, edhe në c'nivel paraqiten ekipet tona deri tani, shtrojmë pyetjen: si do të veprohet nga ana e trajnerëve; do të rinovohet ekipi me lojtarë të rinj, apo do të kërkohet të rinovohet loja me përbërjen e sezonit të kaluar, plus dy a tre lojtarë me aftësi mbi mesataren, për të bërë ndryshimin në aspektin e lojës? Është për të ardhur keq që, të gjithë, mendojnë se ka kohë. Po ashtu, është faktori "kohë" që, shumë padrejtësisht, nënvlerësohet nga vetë ata që duhet ta vlerësonin e ta konsideronin atë flori. Pse?..." Paragrafët e mësipërm janë marrë nga një artikull i botuar në gazetën "Standard" në ditët e para të qershorit, por duken më tepër se aktualë kur na ndajnë dicka më shumë se dy javë nga fillimi i sezonit të ri. Dhe, për ironi të fatit, autori i këtyre paragrafëve, ish-trajneri i Kombëtares dhe opinionisti i gazetës "Standard" për gjysmën e parë të 2006-s, Neptun Bajko, po vuan aktualisht atë që kishte paralajmëruar vetë. I rikthyer te Partizani para pak javësh, Bajko e gjen veten në një pozicion mjaft delikat, pasi, një pjesë e titullarëve të aktivizuar te Partizani sezonin e shkuar, kanë shkuar ta kërkojnë fatin gjetkë, ndërsa veteranit të pankinave shqiptare i duhet të mbështetet tek ata titullarë të mbetur, si dhe te një numër lojtarësh të rinj, të cilëve gjithsesi u mungon përvoja. Ndonëse Bajko mund të marrë frymë lehtësisht nisur nga fakti se vetë presidenti i klubit, Albert Xhani, ka deklaruar në numrin e djeshëm të së përditshmes sportive, "Panorama Sport", se synimet e Partizanit për sezonin e ri ishin një vend në renditje që të mos ishte jashtë gjashtëshes së parë, trajneri e ka të qartë se, për vetë emrin dhe historinë e tij, nga të kuqtë e kryeqytetit pritet gjithnjë një trofe, ose, më së paku, një vend nderi. Por, me një grup lojtarësh me një moshë mesatare relativisht të re, me lojtarë të cilët i kanë munguar stërvitjes prej afro një muaji, me kohën e pamjaftueshme në dispozicion, sepse kampionati fillon më 26 gusht, gjërat në hortizontin e kuq duken të zymta. Të gjithë shpresojnë te magjia e Bajkos… Por, edhe magjistarit më të madh i nevojiten njerëz, mjete punë dhe kohë e mjaftueshme. Gjithsesi, futbolli shqiptar i tillë është…

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›