E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kievo kërkon Bogdanin, shqiptari ëndërron “La Champions”

Koha sa vjen dhe ngushtohet për skuadrën italiane të Serisë A, Kievo, që pas disa ditësh do të bëjë ballafaqimin e parë historik në Ligën e Kampioneve. Përballë italianëve në turin e tretë eliminator të Champions do të jetë kampionia e Bullgarisë, Levski e Sofjes. Por betejat e mëdha kanë nevojë për lojtarë të mëdhënj, dhe një nga këta për stafin teknik të Kievos është edhe sulmuesi shqiptar, Erjon Bogdani, që konsiderohet edhe si objektivi numër një për Kievon.
Ylli i dy sezoneve më parë më Veronën në Serinë B, goleadori i Sienës gjatë sezonit të kaluar në Serinë A, Erjon Bogdani i ka të gjitha treguesit për të qënë i kërkuar me ngulm, nga një ekip që kërkon të prezantohet dënjësisht në Ligën e Kampioneve. Bogdani ka qenë një nga emrat më të kërkuar në merkaton brenda kampionatit italian. I kërkuar me ngulm nga Udineze, por e pa realizuar për shkak të pretendimeve të shqiptarit në lidhje me rrogën (750 mijë euro), Bogdani preferoi të qëndronte në Toskana. Por deri kur?. "Në Verona do të rikthehesha me vrap", ka thënë shpesh ai. Kievo do të jepte mundësinë për të sulmuar në Europë, pasi vitrina e Ligës së Kampioneve është shumë e rëndësishme.
Siena kërkon për të 4 milionë euro, një cmim që për Kievo duket i pranueshëm. Edhe vetë Bogdani, shkruan larena.it, është i interesuar të dijë se cfarë do të bëjë Kievo në Kupë. Një tratativë, që duket se do të nisë pas 23 gushtit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›