E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur duhet ti drejtohemi kirurgjisë plastike

Autori i Lajmit: Redaksia

Jam 28 vjeçare kam 2 lindje. Gjatë lindjes më është plasariur barku dhe ka filluar të rritet. Dua të di, se a mundem ti largoj këto rrudha dhe celulitin, që barku të më bëhet siç ka qenë para lindjes? Sa zgjat mjekimi për këtë trajtim të barkut? Ju faleminderit për mirëkuptim.
PËRGJIGJE:
Rrudhat e tepërta të barkut të cilat paraqiten si pasojë e shtatzënisë, apo pas humbjes së peshës trupore për një kohë të shkurtër, mund të largohen me operacion plastik-estetik, e ndërsa me këtë operacion largohet edhe celuliti i atij regjioni. Mjekimi postoperativ zgjat gjithsej 2 javë. 4 ditë duhet të qëndroni më shumë shtrirë, 2 deri 3 drena që do ti keni, largohen ditën e 4-të, pastaj filloni të lëvizni më shumë. Ditën e 10 hiqen penjtë dhe pas 2 jave mund të dilni në punë. Do të mbani rroba kompresive deri 6 javë pas operimit, prandaj ky operim preferohet të bëhet ditëve jo shumë të nxehta por në pranverë, vjeshtë apo dimër. Edhe një këshillë e imja: nëse Linda ju planifikoni të keni edhe fëmijën e tretë, atëherë ju rekomandoj së pari të përfundoni lindjet, sepse sërish do të fitoni tepricë lëkure dhe çarje më të theksuara.

E nderuara doktoreshë. Jam 32 vjeç, para 10 viteve kam bërë operacion në tru për largimin e tumorit. Pas operacionit si pasojë kam një deformim të vogël në fytyrë, njëra anë e fytyrës duket paksa e varur, dmth gjysma e buzës në njërën anë është pak e lëshuar. Më intereson a ka mundësi me intervenim të ngrihet pak buza dhe a do të kishte pasoja në të ardhmen? Ju faleminderit
PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Po, ka mundësi që me anë të intervenimit (ndërhyrjes) kirurgjik estetik të bëhet ngritja e buzës, por kuptohet do të ngelë një çiktrikse-shenjë, e cila me kalimin e kohës do të bëhet e padukshme, ndërsa sa i përket lëkurës, ende je e re për tërheqje të saj. Kjo varje është pasojë e operimit në tru dhe është si ngecje e zhvillimit jo simetrik të fytyrës, po megjithatë ejani njëherë në konsultë e pastaj do të vendosim së bashku.

Jam 16 vjeçe dhe kam problem me gjoksin tim, ngaqë nuk zhvillohet sikurse tek bashkëmoshataret e mia. Desha të di arsyen dhe a ka mundësi të ndihmohem ta zhvilloj pa operacion?
PËRGJIGJE:
Zhvillimi i gjoksit tuaj varet nga disa hormone, prandaj duhet të prisni deri sa të përfundoni periudhën e rritjes, pra deri në moshën 18- vjeçare nuk preferohet asnjë trajtim hormonal, sepse do të keni pasoja shëndetësore. Prandaj, kini durim se ka kohë ende për rritjen e gjoksit tuaj.

Përshëndetje dr.Violeta. Kam dëshirë të bëj një ndërhyrje estetike në hundë, por desha të pyes se nëse pas operacionit nuk janë rezultatet ashtu sikur i paramendon, a ka mundësi të përsëritet operacioni edhe a duhet sërish të paguhet edhe hera e dytë. Ju flm, Afërdita.
PËRGJIGJE:
Nëse kërkesat tuaja janë reale, atëherë edhe operacioni do të ketë sukses, pse po niseni nga supozimi se do të jeni e pakënaqur. Duhet të dini një gjë, se hunda juaj duhet të operohet në proporcion me fytyrën tënde, e jo ta krahasoni hundën tuaj me hundën e ndonjë artisteje. Po ka mundësi riintervenimi edhe nga 2-3 herë.

Jam 22 vjeçe, kam problem me qime në fytyrë, nën mjekër. Qimet kanë filluar të më dalin qysh në moshën 17-18 vjeçare. Tani qimet janë bërë të zeza dhe të forta dhe po shkojnë duke u rritur. Unë çdo ditë i heq qimet me pincetë. Në vitin 2004 kam bërë disa analiza, që të jem më e qartë po ua jap të dhënat: FSH 7.9, LH 36.8, estradiol 190.4, progesterone 2.3, cortizol 464.0, testosteron 149.3. Dëshiroj të di, a hiqen qimet gjatë gjithë jetës apo vetëm bëhet zvogëlimi i tyre. Me laser a hiqen përgjithmonë qimet e zeza, apo duhet me ju nënshtruar edhe operacionit plastik?
PËRGJIGJE:
E vetmja metodë për heqjen e qimeve është trajtimi me rreze laser, por duhet të dini një gjë, ky trajtim zgjat me muaj e nganjëherë edhe me vite, aplikohet në të 21-n ditë të muajit, pra duhet të keni durim dhe para. Ju aparatin nuk mund ta blini sepse ai kushton nga 100-200 mijë euro e pastaj ju duhet të trajnoheni për atë trajtim. E vetmja mundësi ju ngelet të shkoni tek ndonjë dermatolog, i cili ka aparatin. Besoj se do të gjeni një zgjidhje adekuate

Përshëndetje . Kam lindur një vajzë dhe tani kam probleme me venat në këmbë. A ka mundësi ti eliminoj? Pres përgjigje nga ju. Respekt.
PËRGJIGJE:
Venat janë më të theksuara, zakonisht pas lindjes dhe për këtë shqetësim duhet të konsultoni kirurgun vaskular, i cili varësisht nga stadi i paraqitjes së venave, aplikon edhe metoda të ndryshme kirurgjike apo jokirurgjike me injeksione.

Përshëndetje doktoreshë. Dua të di se a ka mundësi ti largoj qimet që i kam në gjoks dhe në bark, sepse më pengojnë jashtë mase?
PËRGJIGJE:
Largimi i qimeve, qoftë nga fytyra, gjoksi apo barku bëhet vetëm me rreze laser. Nuk ka metodë operative që i largon, por as me kremra.

Përshëndetje, jam 23 vjeç, kam menduar të bëj ndërhyrje në gjoksin tim, për ta zmadhuar. Desha të di, se pas ndërhyrjes e mundem ta ushqej beben me gji? Tina
PËRGJIGJE:
Përshëndetje Tina. Po, ju mund të operoni gjoksin tuaj, pra të bëni zmadhimin e tyre me proteza të silikonit dhe nuk do të keni problem me gjidhënien. Këto proteza nuk e pengojnë gjidhënien, ato kryesisht plasohen nën muskul, prandaj gjatë shtatzënisë me rastin e rritjes së gjëndrës së qumështit, proteza është nën muskul, nuk e pengon gjëndrën e qumështit.

E kam hundën pak të madhe, kam dëshirë ta operoj, sa javë më herët duhet të bëhet termini?
PËRGJIGJE:
Së pari bëhet vizita specialistike tek kirurgu, caktohen analizat e duhura dhe nëse të gjitha janë normale, operacioni caktohet brenda 10 ditëve.

Jam 28 vjeçare, kam 2 fëmijë binjak, jam e interesuar të bëj rritjen e gjinjve, por i frikohem pasojave pas operimit. Ju lutem, më tregoni, a mund të ketë ndonjë shfaqje të sëmundjes pas operimit.
Besa
PËRGJIGJE:
E nderuara Besa, rritja e gjinjve, pra augmentimi, bëhet vetëm me proteza, qoftë të mbushura me solucione ose proteza të silikonit. Protezat të cilat janë sot në tregun botëror, të cilat edhe ne i përdorim, janë aq të përsosura sa që mundësia e pëlcitjes së tyre është e pamundur. Me këtë operim, nuk provokohet kanceri i gjirit, me siguri mendoni për këtë sëmundje. Po të jetë i dëmshëm ky operim, besomëni, unë nuk do tia rekomandoja asnjë femre. Këtë operim e bënë çdo e treta femër në një vend të zhvilluar, me standard të lartë ekonomik. I vetmi komplikim apo pasojë është kapsulimi i protezës, qe do të thotë proteza ngjitet për gji, por edhe kjo ka zgjidhje, pra operohet sërish pacientja dhe lirohet kapsula.

Në mollëzat e fytyrës kam kapilare të pëlcitura, a mund ti eliminohen me operacion apo vetëm me anë të laserit ose ndonjë preparati tjetër. Ju faleminderit
PËRGJIGJE:
Tretmani i kapilarëve të paraqitur në fytyrë bëhet duke filluar nga aplikimi i disa injeksioneve të ashtuquajtura sklerotizant, e pastaj me rreze laser, ndërsa me operacion nuk trajtohen, pra nuk shërohen.

Lidhja e ushqimit me grupin e gjakut

Të hamë ushqimet që “janë të shkruara” në kodin tonë gjenetik

Thelbi i ushqimit i cili e respekton grupin e gjakut është në atë se hahen vetëm ushqimet, që janë të shkruara në kodin tonë gjenetik, i cili në aspektin e evolucionit, është paraqitur në të njëjtën kohë kur është formuar edhe grupi ynë i gjakut. Ja se si do të duhej të dukej të ushqyerit sipas profilit biologjik.
Shumë studiues mendojnë se duhet planifikuar ushqimin varësisht nga grupi i gjakut. Lidhja mes ushqimit dhe shëndetit, bazohet në atë se grupi i gjakut – 0, A, B, apo, AB, e përcakton aftësinë e organizmit që të absorbojë nutrientët (përbërësot ushqimorë), të luftojë kundër sëmundjeve dhe të përballet me stresin.
Në të ushqyerit sipas grupeve të gjakut, ushqimet janë të ndara në 16 kategori të ndryshme: mishi dhe shpezët, frutat e detit, qumështi dhe vezët, vaji dhe yndyrat, frutat me lëvozhgë dhe farërat, fasulja dhe bizelet, drithërat, buka dhe prodhimet e furrës, perimet, pemët, lëngjet, mëlmesa, çajat e bimëve, koprat dhe pijet e përziera. Për secilin grup të gjakut, ushqimet renditen si të sugjeruara, neutrale apo ato që duhet shmangut.
Pas kësaj, formohen listat e ushqimeve që ndihmojnë në heqjen e kilogramëve të tepërt apo tek sëmundjet e ndryshme. Të ushqyerit sipas grupit të gjakut, nuk është ilaç magjik për të gjitha sëmundjet, por është një mënyrë me të cilën mundeni sërish të vendosni funksionet natyrale mbrojtëse të sistemit tuaj imun, që sërish të baraspeshojnë metabolizmin tuaj dhe nga organizmi të largojnë lektina të rrezikshme.
Grupi O: Të ushqyerit e personave me grupin e gjakut O, duhet të përbëhet nga ushqimet me prejardhje të kafshëve dhe perimeve. Ushqimet në të cilat duhet përqendruar vëmendjen, përfshijnë mishin e lopës, qengjit, bibës, pulës, mishin e përpunuar dhe peshkun. Po ashtu, janë të lejuara edhe të gjitha llojet e pemëve. Këta persona duhet domosdo të shmangin qumështin dhe prodhimet e qumështit, bukën, pastat nga gruri, lakrën, misrin.
Grupi A: Personat me grupin e gjakut A duhet të konsumojnë sasi më të mëdha të ushqimeve me prejardhje bimore, perime, sojën, fasulen dhe të gjitha drithërat. Po ashtu, boronicat dhe kumbullat janë të sugjeruara, ndërsa është e lejuar edhe konsumimi i kohëpaskohshëm i mishit të pulës dhe prodhimeve të fermentuara të qumështit. Nga të ushqyerit duhet eliminuar prodhimet e mishit, prodhimet e qumështit me yndyrë të plotë, specat, domatet dhe frutat tropikale.
Grupi B: Personave me grupin e gjakut B, u lejohet llojllojshmëria më e madhe e ushqimeve. Lirisht mund të konsumojnë peshk, mish pule, mish lope, prodhime të qumështit, perimet e gjelbra, drithërat dhe të gjitha llojet e pemëve, ndërsa duhet shmangur seriozisht guacat, proshutën dhe salsiçet. Duhet kufizuar konsumimin e grurit, thekrës, domates dhe misrit.
Grupi AB: Personat me grupin e gjakut AB, mund të hanë mishin e qengjit, bibës, prodhimet e qumështit, vezët, spinaqin, sojën, kumbullat, qershitë, ndërsa duhet shmangur mishin e tymosur dhe të kufizojnë ngrënien e mishit të lopës, grurit, misrit, pemëve tropikale dhe bananeve. Të ushqyerit që përjashton kategori të tëra të ushqimit, nuk mund tu sugjerohet fëmijëve, adoleshentëve, shtatzënave, nënave që ushqejnë fëmijët me gji dhe personave të moshuar. Po ashtu, është vështirë të planifikohet menyja për familjet, anëtarët e së cilës kanë grupe të ndryshme të gjakut, çka nuk është edhe e pamundur.

Ky lajm është publikuar: 01/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›