E Diel, 1 Nëntor 2026

Pakti i ujërave, Meta: Respektojmë vendimin e gjykatës

Autori i Lajmit: Redaksia

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta fton socialistët të heqin dorë nga ato që ai i quajti grupe ekstremiste lidhur me marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë. Ashtu si disa ditë më parë, Meta tha se do të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese por si ministër i Jashtëm ai shtoi se nuk mund të heshtte përballë përpjekjeve për të helmuar marrëdhëniet Shqipëri- Greqi. “Absolutisht që jemi të detyruar ta respektojmë dhe do ta respektojmë vendimin e kësaj Gjykate. Si ministër i Jashtëm unë nuk mund të hesht kur elementë ekstremistë në politikën shqiptare, që për fat të mirë janë në pakicë, përpiqen të helmojnë marrëdhëniet midis dy vendeve dhe midis dy popujve”, - u shpreh numri dy i Qeverisë. Por ai shtoi se për të sqaruar gjithçka me vendimin e Kushtetueses duhet të pritet zbardhja e plotë e vendimit në mënyrë të që sqarohen dhe shkaqet e tij. Meta garantoi se nga takimet që ka zhvilluar në Londër me zëvendësministrin e Jashtëm grek nuk ka pasur reagime që mund të cenojnë këto marrëdhënie. Ministri i Jashtëm deklaroi gjithashtu nënshkrimin e një marrëveshje të re me Greqinë. “Ndërkohë që angazhimi kryesor i Shqipërisë është anëtarësimi e saj në Bashkimin Evropian. Greqia është një nga mbështetësit kryesore të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor për tu anëtarësuar në BE dhe për liberalizimin e vizave me zonën Shengen. Unë në këtë drejtim nuk mundem dot të hesht. Por vendimi i Gjykatës, siç e kemi thënë që në fillim, është tjetër çështje dhe ne do ti respektojmë gjithnjë vendimet e gjykatave, edhe atëherë kur na pëlqen, por edhe atëherë kur mund të mos na pëlqejë. Ky është dallimi me përfaqësuesit e Partisë Socialiste”, - ritheksoi ai. Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufijve detarë me Greqinë, duke e deklaruar atë si të papajtueshme me Kushtetutën. Qeveria shqiptare e kishte mbrojtur fort marrëveshjen në fjalë , ndërsa Athina zyrtare u shpreh se edhe pse nuk ishte e kënaqur për këtë zhvillim do të respektonte padyshim vendimin e Gjykatës Kushtetuese shqiptare.

Ky lajm është publikuar: 01/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›