E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre shqiptarët që mbajnë peng SHBA-në

Autori i Lajmit: Redaksia
Pas arrestimit të personit të dytë që tashmë konsiderohej si një nga tre më të rëndësishmit e organizatës kriminale në SHBA, kanë nisur të dalin edhe detaje mbi mënyrën se si funksiononte organizata e quajtur “Mafia shqiptare”. Pa dyshim që të gjitha llojet e hetimeve mbi organizatën kanë strukturuar tashmë në krye të saj tre shqiptarët, dy prej të cilëve janë të vënë në pranga; njëri në Tiranë dhe tjetri në Toronto. Ndërkohë ai i quajturi “Timmy” vazhdon të jetë i lirë dhe njëkohësisht i kërkuar, duke bërë kështu të mundur që pothuajse gjithë FBI-ja bashkë me një sërë agjencish ndërkombëtare hetimi të jenë në kërkim të gjurmëve të tij të vërteta. Personi që sot mban mbi supe edhe emrin e një prej njerëzve më të kërkuar të FBI-së është pikërisht Kujtim Lika.
Si funksionon organizata
Ndryshe prej mafias dhe kulturave të organizimit të tyre që tashmë njihen në botë, organizata e shqiptarëve në Amerikë mësohet se nuk ka strukturë hierarkike. Në krye të saj gjenden tre shqiptarë: Myfit Dika, Gazmir Gjoka dhe Kujtim Lika, ndërsa pjesa tjetër që gjenden në organizatë veprojnë në plane paralele, duke mundësuar kështu të qenit të gjithë të njëjtësuar jo vetëm në aktivitete, po thuajse edhe në sipërmarrje dhe përfitime. Ndonëse ende nuk është zbuluar tërësisht skema se si funksiononte prej kohësh kjo organizatë, të dhënat e para që kanë dalë në të vërtetë nga grupi i personave që janë vënë në pranga në operacionin e marsit të vitit të kaluar, tregojnë se në organizatë veprohej me bazën e specialistëve, ndërkohë është operuar me thuajse të gjitha disiplinat e krimit që mund të operojnë organizatat. Është vërtetuar dhe tashmë edhe e pranuar se kjo organizatë që drejtohej nga Dika, Gjoka dhe Lika, është marrë që nga trafiku i armëve dhe i drogës e deri te pastrimi i parave, kjo e fundit si një nga linjat më të vështira të ushtruara në SHBA. Mirëpo akuza më e rëndë që mbartin shqiptarët, dy prej të cilëve të arrestuar tashmë, është ajo e mbështetjes së terrorizmit duke i konsideruar edhe si suport i kësaj dukurie famëkeqe.
Gjeografia e shpërndarjes
Janë një sërë komponentësh dhe gjurmësh që kanë mundësuar implikimin e një sërë shtetesh si të gjunjëzuara para veprimtarisë së kësaj organizate kriminale. Prokurorët e kësaj çështjeje, si një nga më të përfolurat në Amerikë prej më shumë se një viti, kanë identifikuar vendet me identitetet e personave që bënin pjesë në organizatë. Kështu janë të përfshirë në këtë hartë: Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Holanda dhe Kanadaja. Njëkohësisht janë edhe një sërë shtetesh të tjera në të cilat mendohet të kenë vepruar, por mungojnë implikimet në këto shtete, si Gjermania dhe Zvicra. Kalimi i veprimtarisë së tyre në këto shtete lidhet edhe me mundësinë e zhvillimit të aktiviteteve kriminale, si ai i trafikut të drogës, ku shumë mirë mund të kenë shërbyer vendet e rajonit tonë, si pika lehtësisht të njohshme prej krerëve. Gjithashtu Holanda dhe Kanadaja, përveç faktit që njihen mirë prej shumë nga pjesëtarët e bandës, edhe më së fundi u vërtetua se ishte vendstrehimi i njërit prej të konsideruarve koka e mafisë.
Njohja me mafian shqiptare
Grupi që po lindte në Brooklyn nuk kishte më përbërje italiane, madje nuk i dihej as prejardhja. Kamuflimi dhe shumëllojshmëria e përzierjeve individuale, bëri që për të zbuluar një prej grupeve më të mira të organizuara që punonin dhe investonin për vite me radhë në Amerikë, të nisnin të gjurmonin origjinën e tyre. E jo vetëm kaq, por të infiltroheshin, të blinin dhe të shisnin “mall” me çmime marramendëse, ndërsa që mundoheshin të gjenin jo vetëm krerët e organizatës së çuditshme, por edhe shtetet që furnizoheshin prej këtij grupi. FBI-ja dhe krerët e hetimit dhe të menaxhimit të infiltrimeve u shtangen kur mësuan se në shërbim të shërbimeve të grupit që ishte instaluar në tre shtete të SHBA-së, ishin dy avionë personalë...!
Alarmi i pasardhësve të “Cosa Nostra”-s
Ekspertët e FBI-së që sollën alarmin e “vendosmërisë” së shqiptarëve për të zëvendësuar “Cosa Nostra”-n treguan se që nga Nju-Jorku e deri në Detroit, shqiptarët e tre brezave ishin bashkuar në një qëllim të përbashkët. Amerikanët treguan se tashmë në rrjetin e fuqishëm kriminal gjendet edhe të ardhurit e pas viteve `90, ndërsa gjithçka kishte nisur shumë vite më parë. Atëherë u tha se ndërveprimi i hetimeve dhe të bashkëpunimeve do të niste pikërisht në planin e lokalizimit të këtyre familjeve që startin e parandalimit do ta kishin pikërisht në Shqipëri. U tha se mafia shqiptaro-amerikane ishte përqendruar në Nju Jork, Nju Jersy, Boston e Detroit, ndërsa në vendin tonë ishin jo aq shumë të shpërndara.

Ky lajm është publikuar: 01/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›