E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur është e nevojshme receta?

Jo të gjithë barnat blihen pa rekomandimin e mjekut specialist, pasi mund të përbëjnë rrezik për organizmin e të sëmurit. Farmacitë që shesin këto lloj ilaçesh pa recetë gjobiten me 100 mijë lekë të reja, deri në heqjen e licencës

TIRANË - Bëni kujdes kur të shkoni në farmaci! Nëse jeni sëmurë apo keni probleme të ndryshme shëndetësore, bëni mirë që në fillim t’i drejtoheni mjekut për të bërë diagnostikimin e sëmundjes dhe për të marrë vesh se cilët janë ilaçet që ju nevojiten. Jo rrallëherë njerëzit që kanë probleme shëndetësore, përpara se të këshillohen me mjekun specialist iu drejtohen farmacistëve, të cilët shpesh iu japin ilaçe pa recetë, që janë të rrezikshme për shëndetin. Rrezikshmëria e këtyre ilaçeve konsiston në faktin se, personi që i blen këto ilaçe pa e bërë akoma diagnostikimin e sëmundjes së tij, mund të qëllojë që të marrë ilaçe, të cilët nuk i korrespondojnë sëmundjes. Kësisoj, ilaçi mund të bëjë reaksion dhe të rrezikojë seriozisht organizmin e të sëmurit. Janë një kategori ilaçesh që konsiderohen të rrezikshëm në qoftë se nuk jepen me recetën e mjekut dhe shitja e tyre ndalohet me ligj, në qoftë se personi që i blen këto ilaçe nuk është pajisur më parë me recetë nga mjeku specialist. Gjatë një prononcimi që dha dje për “Korrierin” drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj, shpjegoi se janë vetëm një kategori ilaçesh, të cilët lejohet të jepen pa recetën e mjekut, ndërsa pjesa tjetër e   medikamenteve që nuk bëjnë pjesë në këtë listë, mund të merren vetëm me recetë. “Llojet e ilaçeve që bëjnë pjesë në regjistrin e barnave ATC lejohen të jepen pa recetë, ndërsa medikamentet e tjera që nuk janë në këtë regjistër, mund të jepen vetëm në qoftë se personi është i pajisur me recetë nga mjeku specialist”, tha Jakaj. Sipas tij, arsyeja se përse kjo kategori barnash nuk lejohet të shiten pa rekomandimin e mjekut, është se ato mund të paraqesin rrezikshmëri për shëndetin e pacientit. “Në qoftë se i sëmuri i drejtohet farmacistit pa e bërë diagnostikimin e sëmundjes tek mjeku, ekziston mundësia që ky i fundit t’i japë ilaçe që mund të përbëjnë problem për shëndetin e të sëmurit”, tha drejtori i QKKB-së. Dhe nuk kanë qenë të pakta rastet kur janë evidentuar këto lloj shkeljesh nga ana e farmacistëve. Jakaj shpjegoi se është bërë evidentimi i disa rasteve, kur farmacistët, në kundërshtim me rregulloren e Ministrisë së Shëndetësisë, iu kanë shitur ilaçe personave që nuk kanë qenë të pajisur me recetën e mjekut. Këtu bëhet fjalë për ilaçet që nuk janë në regjistrin e medikamenteve që mund të jepen pa recetë. Sipas Jakajt, në të tilla raste janë marrë masa kundër shkelësve. Masat e marra ndaj farmacistëve që shesin ilaçe pa recetë, në rastet kur kjo është e ndaluar, është gjobitja e tyre deri në 100 mijë lekë të reja. Por në qoftë se këto raste përsëriten, masat janë më të rrepta, të cilat mund të shkojnë deri në heqjen e licencës.

Të gjithë ilaçet përveç atyre ATC, janë të rrezikshme në qoftë se shiten pa recetë. Këtu bëjnë pjesë ilaçet e sëmundjeve të rënda, siç janë ato reumatizmale, infektive, hepatitet, sëmundjet e zemrës etj., shitja e të cilëve duhet të bëhet vetëm në rastet kur janë të rekomanduara nga mjeku specialist. Disa prej barnave që bëjnë pjesë në këtë kategori janë ranitali, plaquenili, metatroksati, amitriptilina, mabthera, ultrakorteni etj. Ndërsa barnat e tipit ATC, ku bëjnë pjesë paracetamoli, aspirina, aulina, pikovit, advit, alveolen, vitamina të ndryshme dhe barna të tjera të këtij lloji, mund të shiten pa recetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›