Makthi i bankave

Truri i Matrix 4, kosovari 20-vjeçar që po hetohet nga policitë e dy shteteve
TIRANË - Katër muaj pasi policia shqiptare arrestoi 17 persona, të cilët bënin namin me vjedhjen e kartave të kreditit, dalin në dritë të tjera të dhëna që të çojnë drejt Kosovës. E ndërsa organizatori i grupit për pjesën shqiptare u cilësua Endrit Gjergjani, 19-vjeçari nga Tirana, “truri” i të gjithë mekanizmit të klonimit dyshohet të jetë një 20-vjeçar kosovar. Lajmi bëhet i ditur nga një burim i besueshëm pranë grupit hetimor të kësaj çështjeje. Edhe pse identiteti i tij mbahet sekret, për shkak se ai është në hetim në lidhje me vjedhjet e kartave të kreditit, nga burimet mësohet se në renditjen botërore në fushën e krimit kibernetik, i riu kosovar vjen menjëherë pas një rusi.
DyshimetGjatë hetimeve ndaj grupit që po pakësonte llogaritë bankare të shqiptarëve, grupi hetimor ra në gjurmët e një personi, i cili i çonte hetimet drejt Kosovës. Pasi kishin arritur të identifikonin të rinjtë shqiptarë, të cilët arrinin të vidhnin llogaritë bankare me anë të klonimit të kartave të kreditit, kishin nisur edhe dyshimet e para se një metodë e tillë nuk mund të ishte krijuar nga personat nën hetim. Por gjatë punës që po bëhej, për herë të parë ka dalë në skenë edhe emri i 20-vjeçarit nga shteti fqinj, i cili për nga “aftësitë” si pirat kompjuterik ishte tashmë i njohur. Duket se ai kishte arritur që nëpërmjet ndërmjetësve në lidhje me kreun e pjesës së Tiranës, Gjergjanin, me të cilin kishin rënë dakord për bashkëpunimin mes tyre, të kryenin vjedhjet e kartave të kreditit. Dhe pasi u ka mësuar mënyrën sesi të fitonin para pa u hyrë asnjë ferrë në këmbë, dyshohet se ai ka marrë edhe përftimet më të mëdha nga vjedhjet e kartave.
Pse nuk u arrestuaNë kohën kur u bënë arrestimet në Shqipëri, në korrik të këtij viti, paralelisht policia kosovare shoqëroi dhe në mori në pyetje edhe 20-vjeçarin. Por pjesë e aftësive të tij nuk kishin qenë vetëm vjedhja e lekëve, por edhe shmangia nga kamerat e sigurisë. E ndërsa për të arrestuarit e “Matrix 4” policia pati prova të pakontestueshme, si filmime të kamerave të sigurisë, përgjime dhe vëzhgime, ndaj të riut nuk kishte as edhe një provë të vetme që mund ta mbante në qeli.
MekanizmiNëpërmjet ca kartave, të cilat përdoren në shtete të ndryshme për kryerjen e disa pagesave të caktuara dhe që kanë ngjashmëri me kartat e krediti “Visa”, 20-vjeçari kishte mundur të fuste aty kode kartash dhe numra serialë llogarish me shuma të mëdha parash. Nga hetimet e atëhershme rezultoi se komunikimet i bënin me anë të internetit.