E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur fisnikëria bujtë tek fisniku!

TIRANE- Nëse në mënyrë imagjinare do të ktheheshim katër dekada pas dhe do të merrnim rrugën për në lindje të Tiranës, në atë që quhej “Rruga e Porcelanit”, diku para se të mbërrije në fund të saj, gjithkujt që është me vite banorë në kryeqytet; do t’i kujtohet se atje ndodhej një qendër e madhe punëtorësh, gra e vajza kryesisht, që quhej ndërmarrja artistike “Migjeni”! Është e çuditshme sot të kuptosh se kush e kishte propozuar atë emër.
Poeti më modern shqiptar i të gjitha kohërave, një djalosh që me veprën e tij sfidoi sistemin mbretëror dhe kapërceu kohën, vinte si emblemë e një ndërmarrjeje pune të socializmit! Por se ajo qendër prodhimi kishte edhe një emër tjetër, ashtu si edhe ndodhë me çdo njeri që ka emrin që i kanë vënë, por edhe një emër që ai i vë vetes me punën që kryen dhe gjurmët që lë në jetë. Ajo quhej ndryshe, si edhe thoshin njerëzit aso kohe “punojë te Artistikja, ose punojë tek Hamit Mëzezi, i cili qe drejtori i asaj ndërmarrje artizanale”! Migjeni ynë i mrekullueshëm dhe Hamit Mëzezi, ky djalosh tiranas mund të kishin qenë vërsnik. Mundet patjetër që Hamiti t’i kishte lexuar vjershat e “poetit të mjerimit”, por nuk ka asnjë fakt që provon se ata ishin takuar me njëri tjetrin. Ajo që i bashkonte këta dy njerëz brenda kornizës njerëzore por në pavarësi të plotë dhe kohë të ndryshme, është “humanizmi”, dashuria për njeriun pa paragjykim dhe përjashtim, kruajua që për të mbrojtur njeriun, këtë institucion themelor ekzistencial, duhet të dilet hapur ndaj dogmave dhe sistemeve totalitare, duke pranuar “mbi shpinë” kosto jo të vogla për veten dhe familjen tënde! Pak ditë më parë u ndodha i ftuar nga familja Mëzezi dhe një organizatë civile me emrin “fisnikëria Tironase” sepse në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta, kjo organizatë qytetare kishte vendosur ta dekoronte pas vdekjes këtë burrë me vlera, me titullin e lartë “fisnikëria Tironase”! U trondita pozitivisht por edhe u mallëngjeva sepse solla në mendje me një herë ato kujtime të rralla që kisha pasur me të dhe familjen e tij. M’u rishfaq ai burrë shtatëlartë i heshtur dhe i kursyer në fjalë dhe aq stoik, sa që po të mos e njihje, të frikësonte me hijen e tij të rëndë! Dëgjon vlerësimet që i bëhen atij njeriu pas 30 vitesh kur ai është larguar nga kjo botë dhe gjëja e parë, që të vjen në mendje është se e “mira nuk humbet”, se ne kemi shumë nevojë për këtë lloj “ushqimi moral” sepse mirësia është thelbi i njeriut qytetar. Ajo shfaqet gjatë gjithë jetës si shpirti i gjerë, si humanizëm e dhimbsuri për çdo njeri, por para sa gjithash për njeriun në nevojë që, do të shpjerë bukën e përditshme në shtëpi te fëmijët që e presin, që ndjen mbi shpinë “luftën e klasave” ose damkën e të deklasuarit dhe lyp mjerisht një copë letër si garanci të pafajësisë së tij, si të thuash i duhet një “indulgjencë” që t’i shpëtonte persekucionit në breza! Dhe shumë nga ata që ishin quajtur si me “Ballin Kombëtar” apo ishin njollosur si “kulakë”, e merrnin udhën tek shtëpia e Hamit Mëzezit për të gjetur shpëtim. Ashtu të baltosur, ai i shtronte në sofrën e vet dhe jepte ndihmën sepse për Hamitin jeta e njeriut ishe pasuria më e madhe.

Jam i bindur, se në ato momente, kur për të në atë sallë solemne thuheshin ato fjalë të ndjera nga zëri i plotë dhe kumbues i Reshat Arbanës, aktorit tonë të shquar, shpirti yt Hamit Mëzezi u zgjua, e dëgjonte me atë urtësinë tënde karakteristike! Kam “frikë” se ashtu shkoqur t’i thoshe se, “nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe në këtë botë, thjesht detyrën si njeriu që ka dashur dhe respektuar njeriun, duke ju gjendur pranë në halle familjare, duke e dëgjuar deri në fund kur ai ka derdhur me lot në sy marazin e tij personal apo familjar, duke ndenjur i shqetësuar dhe pa gjumë në sy kur një shok apo mik, i afërm apo i njohur, ka qenë duke vuajtur nga sëmundja apo ka qenë hidhëruar nga një fatkeqësi familjare”.
Ashtu është por se kjo mirësi njerëzore nuk paskërkish qenë aq e lehtë. Ja duke rrëmuar në kujtimet e tua zbulova se ishte fund viti 1945-1946. Disa shqiptar që “lufta e klasave” i gjeti në anën e të mundurve dhe ishin në burg për të vuajtur dënimin në zonën e Shijakut, madje disa syresh prisnin vdekjen, të thërritën e të kërkuan në mirësi shqiptari, që t’u jepje mundësinë të shkonin të festonin Bajramin në shtëpitë e tyre. Ndoshta për shumicën prej tyre ai do të rezultonte i fundit, ose “një lloj kurbani fatal” sepse hanxharët e “diktaturës së proletariatit” ishin mprehur keqas! Ti me kurajë dhe në besë të tyre ua dhe lejen dhe ata nuk të turpëruan. Të nesërmen jo në orën katër të mëngjesit si edhe kishit rënë dakord, por qysh në tre e gjysmë, ata “fakir” ishin atje ku duhej të ishin sipas ligjit. Nuk ishte e lehtë për ty Hamit burri! Ti dhe familja jote nuk mund të harronte që fashistët italianë e varrën në litar vëllanë tënd Hamdiun bashkë me djaloshin tjetër Ferid Xhajkon, sepse ata kishin ndjenja atdhetare antifashiste. Por ja që brenda teje dhe edukatës familjare që kishe marrë, “gurë themeli” kishte qenë dashuria për jetën dhe njeriun dhe jo urrejtja dhe shpagimi ndaj tjetrit”. Sot kemi i dashur Hamit Mëzezi rreth 20 vite në demokraci, njerëzit janë të lirë të lëvizin, të mendojnë me kokën e tyre dhe të shprehen lirisht. Ja p.sh, ty të kujtohet ai djaloshi imcak dhe i ëmbël tironas Refik Halili, që ishte punëtor i dalluar por që kishte edhe një zë të ëmbël e këndonte aq bukur. Ai që kishte “njollën në biografi” dhe nuk mund të dilte në skenë. Ti me kurajë e ngjite atje duke rrezikuar veten dhe familjen. Nuk ishte thjesht një kënaqësi artistike. Ishte një sfidë ndaj parimeve të sistemit ideologjik dhe klasor. Ai sot është një njeri i suksesshëm i biznesit, por se atë dashuri që kishte për këngën e shpërbleu me një veprim publik mjaftë kuptimplotë. Publikisht i dhuroi një autoveturë ish mësuesit të tij të muzikës, mjeshtrit Robert Radoja. Ky gjest nuk ishte thjesht tregues i bollëkut materiale. Përkundrazi flet për një pasuri shpirtërore që dikur privohej ideologjikisht nga sistemi!
Dhe hijet përgjuese mbanin shënime dhe spiunonin në zyrat e errëta të sigurimit. Mblidheshin fakte për ty se nuk zhvilloje “luftën e klasave” madje e kishe zbutur atë. Këta sikofant (sikofant quheshin në Athinë ne Greqinë e lashtë spiunët profesionistë, të cilët kur nuk kishin fakte shtrembëronin fjalët e thëna për të kapur në rrjetë gjahun e tyre të spiunllëkut) të kohëve moderne kishin planë-detyrë për të goditur njeriun e ndershëm, por që nuk këndonte “këngën e diktaturës”!
Ishte raportuar për ty Hamit, sepse ti përkrahje çifutin Batino dhe “zemerekun ekonomik” të ndërmarrjes ja kishe besuar atij. Dhe ç’farë njësie ekonomike? Kur krijua në 1967 kishte vetëm 170 punëtorë dhe kur dole ti në pension kishte 4500 punëtorë. Me keqardhje po të them Hamit se “artistikja” nuk ekziston më. Humbi ajo traditë Hamit Mëzezi, kur guri, druri, bakri, floriri, argjendi, alabastri, shajaku, leshi, mëndafshi, bezja e të tjera materiale, nga “duart e florinjta”, të atyre vajzave, grave dhe djemve, shndërroheshin jo thjesht në produkte ekonomike, por se përpos tyre mbahej e gjallë tradita artizanale, kostumografia dhe përvoja shqiptare në filigranë. Ruhej pra identiteti ynë kulturor dhe kombëtar. Ka vende që këtë traditë e kanë të lidhur edhe me “Muzeume të Kulturës Kombëtare” dhe bashkë me kulturën burimore e folklorike, kanë krijuar “Institute të Antropologjisë Kulturore”. Tanimë gjithçka burimore është përçudnuar aq sa te pazari i vjetër i Krujës, shiten për shqiptare produkte që blihen deri në Kinë! Më fal që po t’i them këto fjalë, por në kushtet që jemi nuk kam kujt “t’i qahem”! Godina e Artistikes çdo gjë është bërë, por emrin dhe punën e dikurshme nuk e ka. Ka humbur “pa nam e nishan”, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë! Po ju kujtoj shtetarëve të sotëm, se i gjithë prodhimi në kohën tënde shitej jashtë vendit. Shkoje Hamit në panaire jashtë shtetit dhe atje ekspozohej gama e gjerë e prodhimeve të “Artistikes”.I shisje eksponatet, lidhje kontrata për prodhimet tona artizanale, aq sa kur ktheheshe vije me detyrime kontraktuale që sillnin si mundësi që me këtë punë punëtorët të angazhoheshin të punonin edhe me dy turne, madje me kohë të pjesshme të punonin në shtëpi dhe gra e vajza të ndryshme të Tiranës. E gjithë kjo punë paguhej “extra” sepse ky mekanizëm sillte brenda vendit valutë. Me pak fjalë dhe shkoqur, Ti i dashur Hamit, kishe filluar të zbatoje parimet e “ekonomisë së tregut”! Madje për këtë të thirrën atje lart për të të “hequr kokën”, por nuk të “shkulën dot as veshin” sepse edhe asaj kohe pati nga ata që të kuptonin dhe mendonin si ty. Ti nuk u trembe, as kur mbrojte Meribanin, Sadedinin apo Hektor Kokalarin, që figuronin me biografi të keqe, madje këtij të fundit Diktatura i kishte pushkatuar të atin, ndërsa Ti e kishe caktuar atë të drejtonte sektorin delikat ku përdorej floriri dhe argjendi si lëndë e parë prodhimi. Ai i traumatizuar, habitej kur e thërrisje dhe në takime me të huajt, dhe i kërkoje pa pyetur nga drejtuesit partiak që të ekspozonte punën dhe teknologjinë që përdorej!
Dhjetëra e qindra njerëz atje provuan punën, gëzimin e jetës. Atje njerëzit u dashuruan dhe u martuan, u morën me art sepse “ansambli folklorik Migjeni” që u krijua nga mjeshtri koreograf Fehmi Shaqiri e vuri në sfidë të hapur edhe “Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve”! Sa familje apo familjarë përmes asaj pune të ndershme atje ritën fëmijët, i edukuan dhe i shkolluan, madje edhe i martuan. Hallet e jetës mund t’i dukeshin mal, por kur mendonin se qendrën e tyre të punës e drejtonte një burrë si Hamit Mëzezi, që ju dukej disave si gjyshi i tyre, disave si babë apo vëlla, qetësia ju kthehej. Për të gjithë ata një dritë shprese dukej në fund të tunelit të hallit njerëzor e familjar! Gjithmonë i preokupuar kur një aktivitet artistik i ndërmarrjes, më mirë me “thonë”, i shtëpisë tënde të vërtete “Ndërmarrjes Artistike Migjeni” ishte pragpremiere apo pjesëmarrëse në aktivitetet ndërkombëtare!

Po Hamiti ynë i shtrenjtë, i tillë ishe ti “njeriu i shqetësuar për njeriun”! Për ty si “tironas” nuk kishte fare rëndësi posti apo grada, sepse për “tironsit ka rëndësi zemra”! Kur ajo është e pastër, e hapët e vëllazërore; ti bartësi i saj pritesh pa “shejtanllëk”, sepse njerëzillëku tironas është gatuar i tillë në shekuj; i thjesht, human, modest dhe tolerant!
Nuk kish se si të ndodhte ndryshe. Ky qytet si edhe thotë studiuesi dhe albanologu i shquar George Von Hann, erdhi nga një “ëndërr kur hëna zbriti në shpatullën e një hyzmeqari që kur u bë Vezir, njeriun e parë që ndihmoi ishte realizmi i dëshirës së ish sundimtarit të tij për ta ngritur Tiranën si qytet”! Tirana jonë është ndërtuar me një dashuri të pakufishme të banorëve të saj, njeri prej të cilëve në historinë shekullore është dhe “Fisniku” Hamit Mëzezi! Drejtues dhe anëtarë të “Shoqatës Tirana”, ju jepni një titull shumë kuptimplotë; “Fisnikëria Tiranase”! Është një formulim shumë i goditur! Brenda fisnikërisë ka gjithçka, ka dashuri njerëzore, ka mençuri të thellë që duhet mëndje e hollë që ta kuptosh, ka mirëpritje deri në sakrifice, dhe tironasit e kanë dhënë këtë gjë me shumë tepricë, deri aty sa edhe në prona i janë futë të tjerët, shqiptar sigurisht, por që kanë bërë “ boll dom”! Në “fisnikërinë tironse” ka durim dhe tolerancë jo si nënshtrim, përkundrazi si një ndjenjë dhe sjellje qytetare që, gjithkush që gabon ta kuptojë vet dhe duke kërkuar falje të largohet nga drejtimi i gabuar! Fisnikëri do të thotë të dish të falësh dhe kjo ndjenjë ka lindur bashkë me njeriun. Vetëm njeriu fal, këtë e thotë dhe zoti dhe morali! Tiransit falin me zemërgjerësi, nuk mbajnë inat e mëri dhe nuk shtyhen nga hakmarrja apo shpagimi pas shpine. Fisnikëri do të thotë të kesh miqësi me të vërtetën, ta thuash atë pa frikë e pa droje, por ta thuash me fjalë të zgjedhura, për të mos e lënduar tjetrin, por me i tregu se e do e dëshiron me gjithë zemër ta ndihmosh. Fisnikëri do të thotë që të mirën ta ndash me tjetrin se kështu ajo shtohet. Që “fukarait t’i japësh nga çapa jote”, që jabanxhiun të mos e përbuzësh, që të pastrehun ta bujtësh në “hastrën tënde” e ta vesh të flejë me robtë e shtëpisë tate! Fisnikëri do të thotë që hallin e fatkeqësinë që të tronditë thellë, ta ndash me tironsin tënd pa droje, por dhe fatkeqësinë që ka tjetri tironas apo jo ta pranosh të ndahet me ty sepse kështu ajo zvogëlohet!
Familja e Hamit Mëzezit patjetër, por edhe të gjithë ata që e kanë njohur atë, bashkëpunëtorët e afërt dhe punëtoret dhe punëtorët e “Artistikes Migjeni” i janë mirënjohës “Shoqatës Tirana”!
Por edhe ne që nga origjina nuk jemi nga Tirana jonë e dashur por kemi lindur dhe jemi rritur këtu dhe ndjehemi thellësisht pjesë e këtij qyteti, ju falënderojmë që e keni krijuar këtë titull kaq të kuptimtë!
Ju i keni vënë kurorë “mirësisë tiranase”. Ju falënderojmë thellësisht nga zemra që këtë titull më i bukuri dhe seriozi nga vlerat, Ju ia akorduat Hamit Mëzezit, këtij burri fisnik! Pa më të voglin dyshim, e them me zemër në dorë, se këtë titull e meriton gjithë “njerëzillëku tironas” i madh dhe i vogël, qysh nga ai plaku i moçëm që, ende “bon qelpiç” që të mos humbi tradita dhe deri tek korifejtë tironas, në të gjitha fushat. Kur fisnikëria bujtë tek Fisniku, ajo ndahet me të gjithë tironsit kudo ku janë, “mrena ene përjashta atdheut”, por edhe me të gjithë ata shqiptar nga veriu dhe jugu, nga bregdeti apo malësia që e kanë njohur Hamitin dhe kanë nderuar me të, qoftë edhe një përshëndetje, apo një duhan-cigare! Është njeriu me vlera që nderon titullin dhe nuk janë titujt që i japin shkëlqim njeriut!

Ja më duket se po kalon në trotuar në “Rrugën e Kavajës” dhe e shoh ashtu Hamitin shtatë lartë me ato syzet e errëta, tek ecën qetë-qetë dhe përshëndetet me kalimtarët e rrugës, pa vënë re se kush janë dhe ç’poste mund të kenë. Gjithkush që i drejtohej me gojë dhe me shkrim, e dinte formulën magjike për të hapur “drynin” e zemrës së tij. “Jam një hallexhi” ose “kam këtë hall”! Dhe duke rrëmuar në kujtimet e tua o “finsikëria tironase” gjejë këto fjalë të shkruara nga dora jote, nuk e di se në ç’rrethana, porse sigurisht në një kohë pa liri; kur i shkruan një mikut tënd:”Në këto dy vjet nuk kam mundur të merrem me formulat fizike, po për fat të mirë më duket se kam zbuluar një formulë shumë më të rëndësishme, formulën e jetës! Sipas zbulimit tim, jeta është një ekuacion i ndërlikuar, të cilin njeriu mund ta zgjidhi me një herë në rast se dinë të punojë e të pushojë, dhe ajo që është më e rëndësishmja, të shpërngojë fort gjuhën ndërmjet dhëmbëve”!
Ja përse fisnikëria i shkon hijshëm edhe sot pas 30 “viteve eter” atij burri! Ai “heshti me regjimin” dhe hapi dialog zemre e foli me njerëzit dhe shqetësimet e tyre, ndaj respektohej si të ishte një bamirës human! Personalisht ndjehem me fat që e kam njohur, kam ndenjur dhe kam biseduar me atë njeri që i bën nder fisnikërisë!
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›