E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur gafat bëhen si unazat e një zinxhiri!

10-12-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Kur duan të ironizojnë një njeri që dëshiron të nxjerrë në pah vetveten, paçka se është i dështuar në të gjitha fushat e dijes njerëzore, përmendin Alqiviadhin e lashtësisë.
Në qytetin e tij të vogël, ky person që mbeti në histori për kotësitë e tij, bleu një qen që e kishte bishtin më të gjatë se të të gjithë qentë e atij vendi. Krejt thashethemexhinjtë dhe thashethemexheshat e mbanin në gojë qenin e Alqiviadhit. Doemos edhe të zotin e qenit! Dhe Alqiviadhi shkrihej nga kënaqësia me vetveten dhe ngrefosej si një pallua!
Por  ata që e mbanin në gojë, u lodhën me të njëjtin muhabet. Dhe  erdhi një kohë që njerëzit e drejtuan vëmendjen e tyre në lajmet e tjera të këtij lloji, të denja për ata që s’dinin të thoshin dy llafe për gjërat serioze. Së fundi gjindja e qyfyreve pa kripë, s’po ia varte më palloit tonë.  Atëherë  personazhit i polli mendja një”zgjuarsi” tjetër: Ia preu bishtin gjer në rrëzë qenit të tij bishtgjatë. Filluan sërish  ta mbanin në gojë njeriun që lezetohej me vetveten. E që donte patjetër të binte në sy!
Duket se edhe latinët kishin prototipa të tillë. Ata i quanin këta me një fjalë të vetme e cila, për fat të mirë, përdoret rrallë: ekzibicionistë. Vedati e ka dhënë fjalën “ekzibicionizëm” me një togfjalësh: shfaqje e pacipë. Madje me një kllapë: ( e ndjenjave më intime të njeriut). Kurse fjalën ekzibicionist, “njeri që kërkon të dalë lakuriq” (Fj. fr-shq. f.404). e ka thënë troç. Në fjalorët njëgjuhësh në fr. e shprehin edhe si njeriu që kërkon të duket, të dalë në pah.
Kësisoj këta njerëz, për të cilët flasim, janë ata që, duke qenë edhe narcizë, synojnë të nxjerrin në pah vetveten, të jenë protagonistë, të quhen shkrimtarë pa qenë të tillë, që përdorin fraza kilometrike! Shihni “Kurbanin” e tij: Një folëse televizive ka gjasa ta lërë periudhën përgjysmë, se do t’i merret fryma! Kurse lexuesi duhet të shkojë te kreu i fjalisë së stërgjatur, pasi ka ardhur te fundi i fjalisë, që të kujtohet se për çka është fjala!
Kështu frazat bëhen opake, jo të tejdukshme apo jo “transparente”. Këtë fjalën  fundit e ka në  krye të fjalëve vetjake paçka se, ajo që i mungon më tepër se gjithçka, është “transparenca”, që na ka sakatuar veshët për njëtrajtësinë e saj: “Më vodhën votat”! Me këtë togfjalësh magjik ai i mohon zgjedhjet në të cilat është i mundur, i dështuar. Veçse, meqë është gjithmonë humbës, merret me mend sesa dendurisht përdoret ky togfjalësh i përsëritur pambarimisht!
Kishte mundësinë (dhe të drejtën) të ballafaqohej në vetë të parë me kundërshtarin politik, në mënyrë të hapur, “transparente”, - që të përdorim fjalën e tij të mërzitshme, që e ka xhan e shpirt! Asnjëherë s’i ka dalë përballë kundërshtarit. Tani, që u bë si kofini pas të vjelit “shkrimtar” kërkon, pa qenë në fushatë zgjedhore, të ballafaqohet me kreun e PD-së, Dr. Berishën. Me atë të cilin, gjatë fushatës, e ka përmendur pa asnjë përjashtim: Saliu, Saliu (!).
Tani, që doli për herë të parë me program, sikur ka zënë qiellin me dorë! Kërkon që kundërshtarët e tij politikë (që i duken si armiq) të merren me të 10 pikat e tij. Por ai, që i njeh më mirë se  Rama këto punë, z. Kastriot Islami, e paralajmëroi se të dhjetë pikat e tij janë të shprehura, mirë e qartë, në sugjerimet e faktorit ndërkombëtar. Veçse korbi, që pëlqen vetëm zogjtë e tij, të cilët gjithmonë e më tepër u nxihen pendët, - në të tijën se në të tijën! Edhe atë ballafaqimin e harruar prej kohësh, tani s’e lëshon nga goja. Është bërë si ajo hija e një objekti. Kur objekti i afrohet, ajo i ikën. Kur objekti i largohet ajo e ndjek pas! Hall me bishtin e gjatë, hall me bishtin e rruar! (si puna e atij bandillit, Alqiviadhit!). Kështu askush nuk e kupton: A është ai antikomunisti i tejskajshëm i librit të parë, apo komunisti i përkushtuar i Pezës së 16 shtatorëve, me fotot e pambaruara të diktatorit E. Hoxha! A është ai që kërkonte ta nxirrte jashtë ligjit PS-në, si trashëgimtare e parinovuar e PPSH-së? Apo kryetari i dhunimeve të statutit të PS-së, për të qenë vetë kryetar i bash asaj partie, të anatemuar prej tij.
Njerëz të tillë janë edhe të gafave nga më ekstravagantet. Jo më kot personaliteti i lartë i BE-së, z. Daul, e quajti të sëmurë nga mendt e kresë, në punimet e të djathtave europiane!
Tani na u kthye nga Prishtina, pas një gafe që s’e ngré dot as Atllasi mitologjik: Kërkon takim me z. Ramush Haredinaj! Nuk e di endè se Haradinaj nuk shkëputet dot nga Haga! Pavarësisht nga letra esttetitikisht e përkryer, pavarësisht se z. Haradinaj është i pafajshëm, ai e ka të pamundur t’i largohet gjyqit të Hagës e të vejë në Prishtinë të takojë Ramën! Dëshmi e injorancës tërësore të halleve të Kosovës.  Epo E.Rama i ngjan paraardhësit të tij të admiruar (apo të mallkuar?), që Kosova ishte bërë e panjohur për shqiptarët, që duhej të mësonin në bankat e shkollës se ç’ndodhte në Bangladesh, por jo të dinin si vinin punët në Kosovë!
Një gafë tjetër e freskët taze është edhe ajo lista 33- emërore për kandidatët si avokatë të popullit, kur disa protestuan e thanë se as në mend e as në fiqir s’e kishin atë synim! Tani na e marrka fajin përsipër zonja Gjermeni, që thotë se emrat në listë i ka vënë në mirëbesim! Si ai i ngrati kryetari i PS-së së Tiranës, që e mori fajin përsipër për të larë Ramën që i humbi zgjedhjet për vendin e kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Kështu janë punët e (pa)hair të Ramës që kërkon të duket, të dalë në pah, si ai palloi, apo si ai bishti i qenit të Alqiviadhit! Zoti Fratini, miku i madh i Shqipërisë, ka thënë disa fjalë të rënda ndaj shefit opozitar, që po mundohet të marrë nëpër këmbë fatet e Shqipërisë! Por nuk po zgjatemi më tej... 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›