E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore: Rritja ekonomike e Shqipërisë, më e larta në rajon

Ekonomia botërore pritet që këtë vit të nisë të dalë nga recesioni, i krijuar nga kriza e një viti më parë. Ndonëse ekonomia globale po rimëkëmbët ngadalë, ajo pritet që në vitin 2010 të ketë një premisë drejt rritjes. Banka Botërore në raportin vjetor për parashikimin ekonomik të globit, bën me dije se këtë vit bota do të ketë një rritje ekonomike në masën 2.7 për qind. Megjithatë, sipas bankës, kjo rritje do të jetë më e ulët nga fundi i vitit, kur të fillojë të zbehet efekti i masave stimuluese që kanë marrë qeveritë në vende të ndryshme. Për vendin tonë, Banka Botërore parashikon një të ardhme pozitive për sa i përket rritjes ekonomike. Shqipëria pritet të ketë një rritje ekonomike më të lartë se vendet e rajonit, ndonëse parashikimi i BB-së është më i ulët se ai që ka bërë vetë qeveria shqiptare, e cila në vitin 2010 parashikon rritje ekonomike prej 6%. Ndërsa raporti i Bankës Botërore për sa i përket Shqipërisë parashikon se në vitin 2010 do të ketë një rritje ekonomike prej 3 për qind, një nga më të lartat në rajon.
Banka Botërore vëren se një prej shteteve që ka nisur vrapin drejt rimëkëmbjes, është Kina. Ekonomia e saj është rikthyer në ritmet e rritjes dyshifrore, duke arritur nivelin e 10.7-përqindëshit. Kjo do të thotë se ekonomia kineze ia ka kaluar asaj të Japonisë dhe është e dyta në botë pas ekonomisë amerikane. Para një viti ekzistonte shqetësimi se rritja ekonomike në Kinë do të ishte shumë e dobët, ndërsa tani ka shqetësim se ritmet e rritjes ekonomike mund të forcohen më shumë se ç'duhet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›