E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazmend Sollaku emërohet drejtor i ri i stadiumit “Qemal Stafa”

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve emëroi Gazmend Sollakun si drejtor të ri të shoqërisë aksionere që administron Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”.
Lajmin e bëri të ditur dje pasdite këshilltari i ministrit të TKRS-së (njëkohësisht edhe pjesëtar i Këshillit Mbikëqyrës), Indrit Fortuzi, gjatë një konference për shtyp.
Arsyet
“Shkarkimi i drejtorit Perikli Dhale bëhet për shkak se ai lejoi fillimin e ndeshjes, edhe pse nuk ishin marrë masat e parashikuara në rregullore, sidomos ato të cilat duhet të siguroheshin nga OSSH-ja dhe që lidhen me furnizimin alternativ me energji elektrike”, - theksoi Fortuzi. Për sa i përket reformave që duhen marrë në këtë sektor, ish-futbollisti i Tiranës u shpreh se “është ngritur një grup pune me përfaqësues të MTKRS-së dhe Ministrisë së Ekonomisë, për të marrë në shqyrtim një reformë të thellë, e cila do të prekë dhe ndryshojë formën e administrimit të ambienteve sportive”.
Gazmend Sollaku
Këshilltari i ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Indrit Fortuzi, e ka cilësuar Sollakun si njeriun e duhur për të nxjerrë nga kjo situatë “Qemal Stafën”. Gazmend Sollaku (ish-futbollist i Dinamos) drejtori i ri i stadiumit “Qemal Stafa” pohoi se “ka ardhur koha të ristrukturohet stadiumi dhe se ai do të bashkëpunojë ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit”. Më tej Këshilli Mbikëqyrës i Fushave, i përbërë nga Vasil Bici, Viron Bezhani dhe Indrit Fortuzit deklaruan se “përgjegjës kryesor për këtë incident është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, (OSSH)”.
Rregullorja
Sipas rregullores së FIFA-s dhe UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve me ndriçim, sektorët përgjegjës duhet të sigurojnë së paku dy linja. Pra në qoftë se ekzistuesja pëson avari, menjëherë të aktivizohet e dyta, të cilën OSSH-ja, tashmë nën administrimin e çekëve, nuk e ka bërë. Gjatë takimit miqësor ndërkombëtar Gramozi i Ersekës – Real Madridi u ndërpre energjia elektrike në katër kullat ndriçuese, për 90 minuta, për shkak të djegies së transformatorit. Takimi i dy ditëve më parë filloi në 18:00 dhe u mbyll pas plot 3 orësh e gjysmë, duke u bërë kështu edhe ndeshja më gjatë në historinë e futbollit shqiptar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›