Letërsia dhe fabrikimi
18/06/2009 Midis botës së librit qëndron jeta e përditshme e çdo shkrimtari dhe çdo lexuesi e midis tyre letërsia mbetet retorika e përhershme, e cila përballet me kufijtë e përkohshëm të fabrikimit të librit dhe politikave për të fabrikuar letërsi.
Ky fabrikim, kjo tregti e librit ecën paralel me atë çka lexuesi kërkon?
Kur nisa të mësoja anglishten me shpresën për të hapur një dritare komunikimi me botën, arsyeja themelore ishte të lexoja kryeveprat e letërsisë të shkruara në këtë gjuhë të madhe e në një nga metodat e gjuhës më pati bërë përshtypje ky shembull:
Një studente i tregonte profesorit të saj për një libër të famshëm që kishte lexuar së fundi dhe po e pyeste nëse edhe profesori i nderuar e kishte lexuar librin. Profesori e pyeti se për cilin libër bëhej fjalë dhe ajo, gjithë entuziazëm, i tha se ishte një libër i famshëm, që ishte botuar për herë të parë disa muaj para e se ky na ishte një bestseller.
- Edhe unë kohët e fundit kam qenë duke lexuar një libër të famshëm, që nuk është aspak bestseller: “Komedinë hyjnore” të Dante Aligierit.
Studentja tha:
- Kur është botuar ky libër? Nuk kam dëgjuar që të jetë bestseller. Kush është Dante Aligieri?
Ky shembull ka anën e vet komike dhe tragjike, pasi ajo që besohet të jetë e famshme sot në brezin e studentëve dhe të të rinjve duhet të jetë patjetër bestseller dhe po ashtu në modë e, nëse nuk është në ekranet e faqet e shtypit, nuk ka mundësi të jetë libër i shkëlqyer.
Në fakt, unë nuk kam asgjë kundër këtyre që quhen “bestseller”, por ajo që reklama e fabrikimit të librit po i bën publikut, po bën përditë e më shumë që lexuesit e letërsisë të jenë profesorët seriozë, shkrimtarët seriozë, por edhe lexuesit, që janë vazhdimisht në kërkim të letërsisë, e ky lloj lexuesi është një lexues përtej të zakonshmes.
Na ndodh shpesh të kthehemi pas në kohë. Dhe unë, sa herë kthehem pas në kohë, kërkoj tragjedianët grekë, e konkretisht Eskilin. Është thënë se Eskili ka shkruar më tepër se tragjeditë që ne njohim sot e se numri më i madh i tyre kanë humbur. Nëse unë hyj sot në një librari dhe pyes: “Cilët janë librat që lexuesi kërkon sot?”, rezulton se shumë pak njerëz kërkojnë Eskilin, shumica kërkon atë që është në modë, qoftë edhe e lehtë. E ky libër i lehtë i modës është bestselleri.
Paralel me këtë mendimet e mia shkojnë te Servantesi e më konkretisht te Don Kishoti.
Shembull: Një shkrues po shfaqte në skenë një lojë interesante rreth dashurisë së një zonje me një kalorës, audienca po duartrokiste e shkruesi i skenës ishte i lumtur për suksesin dhe famën. Don Kishoti shfaqet këtu e lufton me shpatë e me fjalë, e ndërkohë shkruesi, i cili pretendonte të ishte komedia, e pyet se pse ai po i shkatërronte punën, famën dhe suksesin. Don Kishoti i përgjigjet: “Letërsia nuk është për të luajtur, e nuk është aspak e lehtë!”
Por çfarë është letërsia, në fakt?
Bota e sotme po merr një tjetër formë dhe me aq sa kuptoj unë, shkrimtari nuk është gruaja apo burri i skenës, apo gruaja dhe burri i famës. Të jesh në skenë, është krejt ndryshe nga të shkruash e të jesh shkrimtar në arenën e letërsisë të shkëlqyer.
Le të kthehemi më pas në kohën jo shumë të largët të vendeve të izoluara, ku libri dhe shkrimtarët drejtoheshin nga pushteti politik dhe ideologjik i diktaturave, apo qoftë edhe direkt nga shteti. Në këtë ftohtësi të menduari pas afro 20 vjetësh është fare e qartë se ka tri kategori: shkrimtarë që kanë krijuar letërsi të shkëlqyer në kushtet e absurdit e që vazhdojnë të jenë edhe në kohën e lirisë shkrimtarë të letërsisë së shkëlqyer; të tjerë që u fabrikuan si shkrimtarë e që libri i tyre nuk tejkaloi as kohën e ekzistencës së tyre fizike; dhe disidentë, që kanë libra për të cilët ende koha nuk ka folur.
Le të marrim një shembull:
Në Shqipërinë e vitit 1989, ende pa mbërritur vitet viti 1990, kur unë isha nxënëse e shkollës së mesme, ishim detyruar të lexonim dy autorë: një burrë dhe një grua, për të cilët na thuhej se ishin të mëdhenj e të famshëm. Duke mos qenë edhe shumë e sigurt për veprën e tyre, i kërkova mendim një njeriut tim të afërm. Ai nuk tha asnjë fjalë.
Diktatura ra e Shqipëria u bë një vend i hapur, njerëzit filluan të flasin lirisht dhe pas afër 20 vjetësh janë botuar dy libra të një poeti të ekzekutuar në Shqipëri gjatë diktaturës në vitin 1976 e është zbuluar dhe vërtetuar me dokumente se janë marrë nga shërbimi sekret shqiptar aktekspertizat letrare të dy autorëve, emrat e të cilëve tashmë s’kanë aspak rëndësi, dua të them të dy autorëve që brezit tim para viteve ’90 po i servireshin si të famshëm e që ne na kishin detyruar t’u lexonim librat, kishin ndërtuar karrierën e tyre letrare duke shkruar ekspertiza letrare për këtë poet.
Ky poet disident për të cilin po ju flas sot është Vilson Blloshmi, i cili u ekzekutua në luginën pranë fshatit të tij, i shpallur fajtor nga shteti shqiptar për poezitë që kishte shkruar dhe përkthimet që kishte bërë. Me këtë rast desha të theksoja mendimin se me sa duket ata dy personat që shkruan aktekspertizat letrare fabrikimi i politikës së shtetit të asaj kohe i bëri të tregtojnë jetën e një njeriu, të një poeti!!!
Por le të ndryshojmë atmosferën. Më lejoni të sjell midis nesh Don Kishotin!
Në një konkurs të rëndësishëm letërsie Don Kishoti i thotë një shkrimtari: “Nëse ti vlerësohesh me çmimin e dytë, kjo do të thotë se je shkrimtar, sepse çmimin e parë duhet ta marrë përgjithmonë një burrë i politikës, nuk është e rëndësishme që ky të jetë shkrimtar!”
Bota e librit duket se ka ende të njëjtën problematikë si në kohët antike, mesjetare apo edhe në kohën tonë moderne. Fabrikimi i famës prej politikave dhe influencave të politikës, preferencave të grupeve të interesit edhe në fushën e librit, ku libri tashmë është edhe tregti, duket sikur po orienton lexuesin drejt një produkti që nuk është aspak i shëndetshëm për botën shpirtërore. Përpjekja e fabrikimit të famës për bestseller të kësaj kategorie nuk ka asnjë lidhje me vlerat e letërsisë së shkëlqyer. Me aq sa shoh dhe kuptoj unë, me aq sa ka provuar edhe koha, kjo famë e ky luks bestsellerësh nuk shkon as përtej kohës fizike të autorëve dhe as përtej kohës fizike të politikave të tregtimit të librit nga grupe interesi të lidhura shumë ngushtë me politikën, sidomos në vende që kanë qenë të bllokut lindor si Shqipëria.
Historia e letërsisë dhe koha na kanë treguar pa mëshirë se vetëm letërsia e shkëlqyer ka arritur të thyejë kufijtë e kohës, madje edhe të ekzistencave të përkohshme fizike njerëzore të shkrimtarëve, pasi këta përveç se shkrimtarë janë edhe njerëz dhe natyrisht që kanë edhe një fat njerëzor.
A lexojmë ne ende targjedianët grekë, Dante Aligierin, Servanetsin, Ismail Kadarenë, Ibsenin, Franc Kafkën, Emili Dikinsonin, Kamynë, Xhojsin e Umberto Ekon? A kërkojmë ne ende letërsinë e shkëlqyer? A i kërkon edhe lexuesi veprat e tyre? Po.
Letërsia ka atë që romakët e quajnë “fortuna”. E pranojmë dot apo jo, letërsia është fati i atij që ka këtë “fortuna” për të qenë shkrimtar. Të jesh shkrimtar, është kaq ndryshe nga të ëndërrosh të jesh shkrimtar, por edhe të ëndërrosh të jesh shkrimtar është diçka e bukur, kur ke kuptuar dallimin midis letërsisë dhe asaj çka mund të jetë gjithçka tjetër, por jo letërsi.
Nuk di ndonjë shembull që fabrikimi i librit dhe politikave të fabrikimit të famës të gjithçkaje tjetër të kenë arritur letërsinë apo të kenë tejkaluar qoftë edhe kohën e vet fizike. Ajo që di është se fabrikimi i librit, dhe politikat e çdo kohe kanë luajtur në mënyrën më barbare dhe banale me letërsinë e shkëlqyer dhe shkrimtarët e shkëlqyer, lojën e përkohshme të intrigës të skenës, ose edhe të prapaskenës, pasi nuk kanë mundur asnjëherë të hyjnë në arenën e letërsisë, e cila, siç ka thënë Don Kishoti, nuk është aspak e lehtë. Ajo që unë di shkëlqyer dhe që bota di shumë mirë është se njerëzimi ka pasur fatin e madh të ketë midis shkrimtarët e letërsisë së shkëlqyer që nga dita e parë.
E me këtë rast dua të them se letërsia nuk mund të matet as me politikë, as me pozicione gjeografike e as me kufij gjuhësorë, sepse, kur ajo ndodh të jetë e tillë, të gjithë kufijtë gjuhësorë dhe gjeografikë shemben dhe se politika, qoftë edhe më absurdja, nuk mundet ta përmbajë atë. A nuk ka bota letrare shembuj të pafundmë, që na i kanë provuar këtë të vërtetë? A nuk është Ismail Kadare shembulli i shkrimtarit të shkëlqyer, i kësaj të vërtete të pamohueshme? Letërsia ka vetëm një fat: të jetë ose të mos jetë letërsi dhe për shkrimtarin e letërsisë të shkëlqyer, pavarësisht origjinave gjuhësore, gjeografike dhe kohës, atdheu i tij mbetet bota e letërsisë së shkëlqyer.
Raporti i lexuar në konferencën e PEN, Ohër, 12 qershor 2009