E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Qeveria e PS-së do të punojë për shqiptarët

18/06/2009  Kreu socialist vijon takimet intensive në funksion të fushatës elektorale

KORÇË - Kryetari i PSSH, Edi Rama, i shoqëruar nga kandidatë për deputetë të kësaj partie në Qarkun e Korçës dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, dje në mesditë ka vizituar tregun industrial të Pazarit të Korçës. Ai ka biseduar me tregtarë dhe qytetarë të Korçës që ishin në treg. Tregtarët nuk kanë vonuar të shprehin shqetësimet e tyre, duke deklaruar se tregu vazhdimisht ka humbur blerësit e tij. Ndërkohë që kreu socialist, duke u njohur nga afër me problemet e tregtarëve, kërkoi mbështetjen e tyre për alternativën e PS-së. “Më 28 qershor shkoni në votime, duhet të votoni për veten tuaj, për familjen, për Korçën, për Shqipërinë. Të mos ndodhë më që e gjithë Shqipëria të punojë për familjen e kryeministrit dhe tërë Korça e vendi ynë të rrijë e të ngrohet në diell se s’ka punë”, - u tha Rama qytetarëve korçarë. Në bisedat tryezë më tryezë kryetari i PS-së ka biseduar me tregtarët se çfarë i shqetësonte në jetën e tyre, ku nga këto biseda u shfaq qartë gjendja e mjerueshme e tregut të Korçës sot. “Në këta katër vjet kryeministri Berisha ka punuar për familjen e tij dhe njerëzit që e rrethojnë. Nëse ju do të na votoni më 28 qershor, në krye të vendit do të jetë një qeveri që do të punojë për të gjithë shqiptarët, do të jetë qeveri e popullit e do të zgjidhë hallet e shqetësimet e tij.” Ndërkohë, duke mbështetur kryetarin e bashkisë që përfaqëson PS-në në këtë qytet, Rama është shprehur se “bashkia, e vetme, pa mbështetjen e qeverisë, mund të bëjë shumë pak, prandaj pas 28 qershorit PS-ja dhe bashkia e qytetit do të punojnë bashkë dhe do të ndryshojnë tërësisht Korçën”. Gjatë bisedave Rama u ka kërkuar tregtarëve dhe qytetarëve me të cilët u takua që më 28 qershor të votojnë ndryshimin për vete e për familjet e tyre, për Korçën dhe për Shqipërinë. Ndërkohë gjatë takimit të zhvilluar në Mallakastër kryesocialisti është ndalur te mbrojtja e votës, duke lëshuar një mesazh të ashpër për qeverisjen aktuale. “Nuk ka pushtet rrugaçësh dhe as rrugaçë në pushtet që mund ta prekin votën e ndryshimit më 28 qershor. Nuk do të ketë vrimë për t’u fshehur, cilido që do të guxojë të bëjë një lojë sado të vogël me votën e socialistëve më 28 qershor, sepse ne do të fitojmë. Ne do të fitojmë sepse e shkuara nuk mund të bëhet e ardhme dhe e ardhmja nuk mund të mbetet peng në duart e politikës së vjetër dhe të së shkuarës”, - tha ai.

Vepror Hasani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›