E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur impresionizmi ishte sinqeritet



Pas 10 ekspozitave entuziaste mes qarqeve artistike dhe mediatike në Stamboll, piktori shqiptar 31-vjeçar, Lian Lutfija, rikthehet në Tiranën e fëmijërisë dhe rinisë së hershme të tij. Pas 15 vitesh karrierë jashtë vendit, me shprehjen e Xhon Lenon “Love and Peace”, artisti impresionist do të ekspozojë për herë të parë në atdhe në një ekspozitë vetjake në hollin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Me konceptin: “Fllad i ri në artin impresionist” do të paraqiten 25 tablo, kryesisht në përmasa të mëdha dhe të punuara në vaj në stilin impresionist, ku autori është vlerësuar edhe nga mediat prestigjioze turke si “me këndvështrime të reja pastruese”.

“Më tërheq impresionizmi, sepse mendoj që artistët e kësaj periudhe janë kuptuar më mirë. Sinqeriteti ka impresionuar veprat e tyre. Dhe në punimet e mia përpiqem të përdor sinqeritet, dritë, harmoni, reaksionet ngrohtë-ftohtë”, - shprehet Lian Lutfija.

Liani ka nisur të pikturojë që i vogël në rrethet e pikturës në Pallatin e Pionierëve apo në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Nga viti 1992-1996 kryen Liceun Artistik “I.A.A. Guzel Sanatlar Lisesi” në degën e pikturës në Stamboll. Në 1997 fiton konkursin në USA Milwauk Institute of Art & Design, ku u mbështet edhe me bursë.

Por nga 1997- 2004 kryen Universitetin e Arteve “Arkitekt Sinani”, dega pikturë po në Stamboll, ku kualifikohet “I pari”. Më pas karrierën e tij e ka zhvilluar kryesisht në Stamboll me ekspozita vetjake dhe kolektive, ku një prej të cilave është edhe pjesëmarrja në Bienalen e Stambollit. “Me kthimin tim në atdhe, dua t’u bëj thirrje artistëve të rinj me sloganin: “Që të jesh krenaria e një kombi, duhet në fillim t’i shërbesh atij””, - shprehet Liani. Ekspozita e tij e parë në Shqipëri hapet sot, ora 18:00 në MTRS dhe do të qëndrojë e hapur deri më 24 prill.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›