E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: BSH, kujdes për qëndrueshmërinë e lekut



Konfindustria, në kushtet e pasqyrimit të pasojave të krizës ndërkombëtare financiare në ekonominë shqiptare, i kërkon Bankës së Shqipërisë të ndërhyjë në tregun e valutave vetëm në rastet kur zbulohen veprime me natyrë spekulative, duke e lënë në çdo rast tjetër përcaktimin e vlerës së monedhës kombëtare kundrejt monedhave të tjera në raportin kërkesë/ofertë. Çdo shmangie nga ligjësia e mësipërme do të thotë, që në rastin më të mirë të shpenzohen pa arsye rezervat valutore të vendit pa asnjë ndikim të prekshëm në afatgjatë në vlerën e monedhës kombëtare dhe me pasoja negative në dobësimin e qëndrueshmërisë së mëtejshme makroekonomike të vendit. Është e papranueshme për çfarëdo arsye, që të kërkohet zhvleftësim i sforcuar i lekut, në kushtet kur asnjë institucion shqiptar nuk është në gjendje të kryejë analiza afatgjate të ndikimit të politikave monetare në ekonominë kombëtare dhe kur është e qartë se politikat e mëdha të zhvillimit në tregjet botërore përcaktohen nga vendet e tjera, ndërsa ne jemi vetëm pritës të pasojave të tyre. Konfindustria vlerëson si pozitive qëndrueshmërinë e lekut kundrejt euros dhe dollarit amerikan gjatë 5 javëve të fundit me një kah të lehtë forcimi pas zhvleftësimit të ndodhur në fillim të vitit 2009. Analiza e përgjithshme tregon se ka shenja të besueshme, që leku të jetë i qëndrueshëm edhe në muajt në vazhdim. Kështu, viti mjaft i mirë hidrik në vazhdim ka balancuar rënien e të ardhurave të emigrantëve, ndërsa rënia e ndjeshme e çmimeve të importeve bazë si karburantet, hekuri, drithërat etj., ka zvogëluar ndjeshëm pasojat e rënies së eksporteve shqiptare, kur dihet se deficiti tregtar i vendit është historikisht mjaft i thellë në favor të importeve. Konfindustria njëkohësisht kërkon nga ekzekutivi shqiptar t’i përmbahet me rreptësi ruajtjes së parametrave të deficitit buxhetor të planifikuar, duke treguar kujdes në sigurimin e të ardhurave dhe në realizimin e shpenzimeve në grafikun kohor të përcaktuar, sidomos në investimet e mëdha publike në vazhdim, që duhet të përfundohen me çdo kusht dhe në një kohë sa më të shpejtë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›