E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur jeton në një shtëpi me rrota

Bashkëmoshatarët dhe veçanërisht bashkëkohësit nuk mund t‘i shikosh kurrë me indiferencë, aq më tepër kur i ke të përafërt në profesion, interesa intelektuale dhe kur mëson se janë nga i njëjti komunitet. Madje, po të zgjasësh një pjergull nga tarracë e Sasjt, mund ta mbështetësh i sigurt në fronin apo trapezën e Piqerasit. E kam marrë vesh vonë se kritiku, studiuesi dhe krijuesi Miho Gjini ishte gjiton me mua. Latinët i quanin "nistratis" vendëthit e një pellgu. Por bashkëvendësit që bëhen kolegë në fushën e letrave, e shikojnë me shumë interesim njëri-tjetrin. Aq më tepër kur përfshihen në të njëjtat situata social-politike, kur mësojnë shpejt se duhet t‘i matin fort fjalët, se duhet të ndjekin në çdo shkrim e ligjëratë atë maksimën e mençur, që ka të bëjë vetëm me pjesëtarët, apo rrobaqepësit: "Mat dhjetë herë e prit një herë". Ndryshe, të presin kokën, gjuhën, të folurën.

I kam në raftet e bibliotekës librat e hershëm të Mihos për teatrin: "Trokitje në dyert e teatrit" (1967), "Pas shfaqjes" (1975), "Teatri dhe koha" (1975). Botimet kritike për sfera të veçanta të artit edhe aktualisht janë të rralla e të pakta te ne, jo më atëherë kur mungonte tërësisht atmosfera e lirë për ta shfaqur mendimin siç e ndieje, kur parimet strikte të detyronin të ecje frikshëm nëpër shina të rrezikshme. Studiuesi Miho Gjini shkruante dhe ligjëronte për teatrin dhe dramën, art pa tradita të konsoliduara, art që vëzhgohej me përqendrim të vazhdueshëm dhe ku vlerësimet, pëlqimet dhe mospëlqimet vinin më së shumti nga lozhat qendrore. Është meritë e madhe e Mihos dhe dy-tre të tjerëve, që në ato vite kur teatri bënte hapa të sigurt përpara, afrimoheshin individualitetet në aktrim, regjisurë dhe skenografi. Miho Gjini e kryente këtë mision me përkushtim. Ndiqte që të gjitha aktivitetet dhe premierat në teatro dhe estrada, në festivale dhe takime, madje së shpeshti edhe në proceset e punës për daljen e premierave. Ndihmonte me shpirt për përsosjen e tyre, por duke ditur midenë e autoriteteve, me finesë, takt dhe mençuri sugjeronte heqjen apo ndryshimin e konteksteve skenikë, që mund të sillnin telashe të rënda për kolektivat teatrorë dhe individualitetet e teatrit.

Librat e tij kritikë do të kenë vazhdimisht vlerë për historianin e sotëm dhe të nesërm të dramës shqipe dhe të teatrit kombëtar. Ato përbëjnë kritikë konstruktive, por edhe kronika sistematike për tërë dukuritë më të rëndësishme të jetës teatrore nga fillimi i viteve ‘60-të deri në fillimet e viteve ‘70-të, kur stina teatrore ishte në lulëzim të plotë dhe jepte mundësi të shumta trajtimi kritik-estetik. Janë pikërisht të këtyre viteve përpjekjet e Mihos për të afirmuar vlerat më relevante, përmes monografive studimore, kushtuar "Artistit të Popullit", Mihal Popi, dhe "Artistit të Popullit", Naim Frashëri. Me siguri të plotë do të kishim nga Mihoja aso kohe dhe në vitet në vazhdim dhe libra të tjerë me monografi aktorësh të shquar. Po uraganet e dhunës dhe kufizimeve të lirisë goditën fort rëndë dhe mbi dramaturgjinë dhe teatrin kombëtar, edhe mbi individualitetet e guximshëm, novatorë, në regjisurë, skenografi dhe kritikë. Miho Gjini është një pemë e rrëzuar, e tronditur fort nga ky uragan. Nga viti 1973 deri më 1990 ai s‘ka më asnjë të drejtë dhe mundësi botimi. Është i përndjekur, i internuar, i burgosur, por asnjëherë i privuar nga vetëdija krijuese-artistike. Librat e tij të mirëfilltë artistikë, të botuar në stinën e lirisë janë një fakt shumë-shumë kuptimplotë se Miho Gjini, kudo që ishte, sido që ishte, jetonte njëherësh edhe krijuesin, artistin, shkrimtarin. "Vdekja e Mjellmës" (1995), "Adio, Xhulia R." (2000), "Arratisja e kujtesës", "Dëbimi..." e "Vdekja e Artistit" janë vlera të vërteta të letërsisë demokratike shqiptare. Të mbushura me humanizëm, të ngjeshura me vitalitet dhe shpirt qëndrese të paepur, ato janë refleksion përjetimesh tronditëse, jo vetëm të autorit që i ka shkruar, por edhe të qindra bashkëvuajtësve që përshkruhen në rrëfime rrëqethëse, tragjiko-dramatike, me situata të lemerishme, me poshtërime dhe fyerje asgjësuese, me deformime e gjymtyme therëse, që të kallin datën. I kam lexuar me shumë dhimbje këto proza ekstremisht realiste dhe kam thënë me vete: përse shqiptari të bëhet i tillë për shkrimtarin.

Në librin e dhimbshëm të burgologjisë sonë, siç e ka pagëzuar poeti Visar Zhiti, këtë cikël rrëfimesh nga botë e ferri diktatorial, librat-film të Miho Gjinit do të kenë përherë vendin e tyre të merituar, do të lexohen me emocion dhe do t‘u shërbejnë njerëzve brumënxirë si një katharsis, që ata të maten fort mirë kur vihet në pyetje çështja e lirisë dhe të drejtave njerëzore.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›