E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pashkët, lutje për Gërdecin

Lutjet nuk kanë si të mos i drejtohen edhe banorëve që humbën jetën tragjikisht në fshatin Gërdec, vetëm pak kilometra larg Tiranës. Imzot Rrok Mirëdita u lut për shpirtrat e pafajshëm të viktimave, si edhe për ata që i mbijetuan katastrofës. "Amen". Në përulësi u lutën edhe besimtarët e pranishëm në meshë. "Zoti qoftë me ta në rrugën drejt përjetësisë". Kjo ishte lutja e besimtarëve katolikë drejtuar shpirtrave të humbur, ndërsa uruan që të tilla tragjedi të mos ktheheshin më kurrë në sytë tanë.
 
Moti jo fort i favorshëm, nuk i ka ndalur besimtarët katolikë t'i drejtohen Katedrales së Shën Palit, në meshën e ringjalljes së Krishtit mesnatën duke e gdhirë e diela e madhe e Pashkëve. Të veshur si jo më mirë, besimtarët e mbërritur nga të gjitha anët e vendit, kanë gëzuar së bashku ringjalljen e Krishtit mbret. Ata kanë mbushur sallën e madhe të Katedrales, shumë më përpara se të çelej zyrtarisht fillimi i meshës, që do të simbolizonte edhe jetën e re. Në mes të besimtarëve katolikë që prisnin ardhjen e Krishtit, nuk kishin si të mungonin edhe figura të njohura të botës së artit dhe politikës, si aktori i mirënjohur Lazer Filipi, apo ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka i shoqëruar nga bashkëshortja. Ashtu siç edhe ishte lajmëruar, mesha e drejtuar nga Imzot Rrok Mirdita, është çelur në orën 11:00 të së shtunës. Ajo ka nisur me ritualin e bekimit të zjarrit, një moment ky tejet sublim, ku të gjithë besimtarët luten pas të Premtes së Zezë për shpirtin e Krishtit. Në sallën e meshës, dritat qëndrojnë të fikura ndërsa qetësia mbizotëron kudo. Është ky një çast ku besimtarët luten për faljen e mëkateve dhe mbërritjen e jetës së re. Bekimi i zjarrit drejtohet nga vetë Imzot Mirdita. Në këtë ritual, marrin pjesë edhe meshtarët. Ata qëndrojnë rreth zjarrit dhe luten ashtu sikurse edhe besimtarët e tjerë të pranishëm në Katedralen e Shën Palit. Rituali i bekimit të zjarrit, zgjat për afro 10 minuta. Ai ndiqet më pas nga procesioni i Dritës së Krishtit, që simbolizon dritën e gëzimit dhe të shpresës. Procesioni drejtohet nga Imzot Mirdita. Në sallën e meshës, qetësia ka pushtuar gjithçka, ndërsa meshtarët i drejtohen me hap të ngadaltë altarit ku do të kryhet mesha e ringjalljes. Asgjë nuk pipëtin, ndërsa qetësinë e prish zëri i një meshtari të ri, i cili fton besimtarët të ndezin qirinjtë. Ndezja e qirinjve është edhe momenti i solidarizimit midis besimtarëve, të cilët ftojnë njëri-tjetrin të bashkohen pranë dritës së ringjalljes. Mesha ka marrë udhën e saj të natyrshme, ndërsa procesioni i Dritës së Krishtit i ka lënë vend psalmeve dhe këngëve që ofrojnë ardhjen e Krishtit mbret. Lutjet nuk kanë si të mos i drejtohen edhe banorëve që humbën jetën tragjikisht në fshatin Gërdec, vetëm pak kilometra larg Tiranës. Imzot Rrok Mirdita u lut për shpirtrat e pafajshëm të viktimave, si edhe për ata që i mbijetuan katastrofës. "Amen". Në përulësi u lutën edhe besimtarët e pranishëm në meshë. "Zoti qoftë me ta në rrugën drejt përjetësisë". Kjo ishte lutja e besimtarëve katolikë drejtuar shpirtrave të humbur, ndërsa uruan që të tilla tragjedi të mos ktheheshin më kurrë në sytë tanë. Mesha ka mbërritur në pikën e saj kulminante. Ora shënon 12:00. Jemi në vigjilje të Pashkëve. Ka trokitur e diela e madhe. Imzot Rrok Mirdita lajmëron besimtarët se Krishti u ngjall. Gëzimi për mbërritjen e jetës së re shikohet qartë në sytë e besimtarëve. Të ngritur në këmbë, të gjithë shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin duke shqiptuar fjalën e aq shumë dëshiruar, "paqe", fjalë që simbolizon dashurinë dhe respektin për njeriun. "Aleluja, Aleluja, Krishti u ngjall! Krishti vërtet u ngjall!". Me këto fjalë, besimtarët pritën mbërritjen e Krishtit, si ngadhënjim të dritës mbi errësirën dhe fitore të mirësisë mbi të keqen. Mesha ka arritur në pikun e saj kulminant. Orët kanë kaluar si pa u ndjerë. Imzot Rrok Mirdita fton të gjithë besimtarët, të cilët kanë kryer sakramentin e shenjtë, të pagëzohen me ujë të bekuar. Me ujë të bekuar, Imzot Mirdita spërkat edhe besimtarët në sallë. Rituali i fundit i meshës së ringjalljes është kungimi, ose lutja që besimtarët i drejtojnë Zotit për ndihmë dhe shpëtim apo shërim. Pas këtij procesioni, Imzot Mirdita shpalli të mbyllur meshën e ringjalljes, duke uruar të gjithë besimtarët katolikë, Pashkë të gëzuara dhe sa më shumë dashuri për njëri-tjetrin.
Papa uron Pashkët në shqip
Papa Benedikti i 16-të ka uruar besimtarët katolikë për Pashkët, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ati i Shenjtë ka uruar në 63 gjuhë të botës, mes të cilave edhe në shqip. "Për shumë vjet Pashkët" ka shqiptuar Papa Benedikti i 16-të, përpara dhjetëra-mijë vetëve që ndodheshin në shesh, që sfiduan motin e keq dhe shiun, duke marrë pjesë në ceremoni. Po kështu Papa Benedikti i 16-të ka kërkuar që të gjendet zgjidhja për paqen në botë. Ai e ka cilësuar si të patolerueshme gjendjen në disa rajone të botës, të cilat gjendjen nën kërcënimin e armëve. "Si mund të mos mendosh, në këto momente, për disa rajone të veçanta si Darfuri dhe Somalia në Afrikë, Toka e Shenjtë, Iraku dhe Libani në Lindjen e Mesme, Tibeti në Kinë, rajone për të cilët inkurajoj zgjidhjen që do t'i shërbejë paqes",- është shprehur Papa, në meshën kushtuar festës së Pashkëve, duke kërkuar në këtë ditë të shënuar edhe njëherë, sa më shumë paqe midis njerëzve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›