E Diel, 1 Nëntor 2026

Engel: Kriza politike? Duhet ti zgjidhni vetë problemet

Bashkëkryetari i grupit për çështjet shqiptare në Kongresin amerikan analizon situatën politike në Shqipëri

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ligjvënësi demokrat nga Nju Jorku, Eliot Engel, bashkëkryetar i grupit për çështjet shqiptare në Kongresin amerikan, bën thirrje që palët në Shqipëri ta zgjidhin vetë krizën politike. “Si një vend që kërkon të anëtarësohet në BE, në Shqipëri duhet të ketë stabilitet”, thotë ligjvënësi amerikan.

Shqipëria zhvilloi vjet zgjedhjet e para të përgjithshme, që pas anëtarësimit në NATO dhe është në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por zgjedhjet janë kundërshtuar ashpër nga PS-ja, e cila këto ditë ka filluar edhe një grevë urie. Si i shikoni ju zhvillimet e fundit politike në Shqipëri?

Besoj se shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë situatën e krijuar politike. Nuk besoj se amerikanët duhet t’u tregojnë shqiptarëve se çfarë të bëjnë. Zgjedhjet siç dihet përfunduan me rezultat të ngushtë. Shqipëria ka një sistem demokratik. Procesi demokratik funksionoi. Njëra palë sot kundërshton dhe thotë se rezultati nuk ishte i drejtë, pala tjetër thotë se ka siguruar mandatin për të qeverisur. Por këtë duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët, jo t’u thonë amerikanët si të veprojnë.

Por palët, siç shihet, nuk po arrijnë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet. Si ndikon kjo situatë për imazhin e vendit si një demokraci e qëndrueshme?

Do të ishte më mirë mos të kishte përplasje të tillë publike, pasi padyshim si një vend i ri anëtar i NATO-s dhe si një vend që kërkon të anëtarësohet në BE, do të ishte më mirë po të kishte stabilitet. Këtu në Amerikë ne patëm rastin e zgjedhjeve të vitit 2000, Al Gori ndaj Presidentit Bush, që u kontestuan deri në fund dhe në përfundim ishte Gjykata e Lartë, që me një rezultat tepër të ngushtë, 5 me 4, vendosi në favor të Presidentit Bush. Dikush më tha në atë kohë, që dallimi mes Shteteve të Bashkuara dhe shumë vendeve të tjera është se, nëse ajo që ndodhi në Amerikë do kishte ndodhur në ndonjë vend tjetër, tanket do të kishin dalë në rrugë. Në Shtetet e Bashkuara ne vendosim gjithçka përmes procesit kushtetues. Kjo duhet të ndodhë edhe me Shqipërinë. Kjo luftë publike nuk është e mirë për imazhin e Shqipërisë. Por përsëri unë nuk mund t’u them palëve çfarë të bëjnë. Ky nuk është roli im. Roli im është të siguroj sa më shumë ndihmë për Shqipërinë që të mundem, të bëj sa të mundem për të forcuar më tej marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, të siguroj fonde të qeverisë amerikane për Shqipërinë. Ky është roli im.

Një kolegu juaj, ligjvënësi Delahunt, kryetar i nënkomisionit për Europën në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, përmes një letre dërguar Kryeministrit Berisha, ngre shqetësimet e tij për gjendjen politike dhe ndër të tjera sugjeron edhe hapjen e kutive të votimit. Cili është mendimi juaj për këtë?

çdo ligjvënës mund të japë mendimin e tij, edhe ligjvënësi Delahunt po jepte mendimin e tij. Ai nuk flet në emër të qeverisë amerikane dhe nuk përfaqëson qëndrimin e qeverisë amerikane. Ai bëri të ditur qëndrimin e tij, por duhet të jetë e qartë se ai flet për veten e tij.

Po ju vetë keni ndonjë mendim lidhur me çështjen e kutive?

Nuk besoj se roli im është t’u them palëve në Shqipëri çfarë të bëjnë. Ka njerëz që thonë se ato duhen hapur. Ka të tjerë që thonë se socialistët duhet të kthehen në Parlament. Nuk më takon mua të përfshihem në këto çështje. Unë dua të vazhdoj të ndihmoj Shqipërinë pa marrë anën e njërit apo tjetrit në mosmarrëveshjet politike, ose të them se çfarë duhet të bëjnë shqiptarët. Kam plot shqetësime këtu në Shtetet e Bashkuara për t’i thënë qeverisë sime se cila është rruga e drejtë që duhet të ndjekë për një sërë çështjesh, që nga reformat shëndetësore e të tjera. Nuk mund t’i them një vendi tjetër, një vendi mik, se çfarë duhet të bëjë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›