E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur masazhatori bëhet... portier

Është e pabesueshme ajo që mund të ndodhë në një ndeshje futbolli. E nëse goli falë një tullumbaceje i Sandërlendit kundër Liverpulit, apo goli i tifozit të Barnsleit ndaj Mançester Junajtid, e kanë bërë Premier Ligën një kampionat argëtues edhe përsa i përket ndodhive interesante, mund të gjesh sërish raste të tjera, që shkojnë deri në kufijtë e të pabesueshmes.

Një i tillë ka ndodhur në Hollandë para disa vitesh, në ndeshjen finale të Kupës midis Nec Nijmegen dhe De Treffers. Sulmuesi i ekipit vendas, Van de Bogart, gjendet i vetëm përballë portierit dhe shkarkon të majtën e tij me një gjuajtje që portieri i skuadrës gjysmë-amatore nuk arrin ta kontrollojë plotësisht.

Por pak para se topi të përfundonte në rrjetë, nga fundi i fushës shfaqet një figurë që me kokë largon topin nga vija fatale, duke e inatosur sulmuesin. Në shikim të parë, dukej si një tifoz i skuadrës mike, që, i shtyrë nga dëshira për të mos e parë skuadrën të pësojë gol, largoi topin nga porta.

Por nëse vërehet me kujdes, vihet re që personi në fjalë është Jan Mas, masazhatori i De Treffers. Por për fat të keq, me gjithë dëshirën e mirë dhe aktin “heroik”, masazhatori nuk arriti të shpëtojë ekipin e tij nga humbja 5-1 në atë ndeshje.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›