Kur mund të ndryshohet adresa e shtëpisë

Ja dokumentet dhe procedurat që duhen ndjekur për regjistrimi e vendbanimit
Për arsye nga me të ndryshmet njerëzit janë të detyruar të lëvizin nga njëri vend në tjetrin, të ndryshojnë vendbanimin e tyre e për rrjedhojë edhe adresën e shtëpisë. Mungesa e një informacioni të tillë, si adresa e saktë e shtëpisë mund të sjellë edhe një sërë problemesh. Por si mund të regjistrohet banesa?
Mjafton që pranë zyrës së gjendjes civile, një person madhor të paraqesë një kërkesë më shkrim, nëpërmjet të cilës kërkon regjistrimin apo ndryshimin e adresës. Pas kësaj duhet të paraqesë dokumentin e pronësisë së banesës ose kontratën e qiramarrjes (huadhënies apo përdorimi), apo të banimit.
Gjithashtu duhet të paraqesë edhe letërnjoftimin e tij të shoqëruar me një kopje (kjo kopje mbahet në praktikën përkatëse). Në ato raste kur një pjesëtarë madhorë i familjes dëshiron të largohet nga familja dhe të shpërngulet në një tjetër vendbanim, ai më parë duhet të realizojë vçimin si familje më vete, pranë zyrës së gjendjes civile.
Por jo të gjithë personat në moshë madhore kanë të drejtë të ndryshojnë adresën e vendbanimit të tyre. Nga kjo e drejtë nuk përfitojnë të gjithë ata shtetas të cilët janë duke kryer shërbimin ushtarak apo janë në detyrë në Forcat e Armatosura, si dhe në rastin kur banojnë brenda territorit të Forcave të Armatosurat.
Gjithashtu nuk e kanë të drejtën e ndryshimit të adresës edhe ata persona të cilët janë duke kryer një dënim në institucionet e vuajtjes së dënimit si dhe ata të cilët janë një pritje në institucionet e paraburgimit. Po kështu nuk mund të kërkojnë ndryshimin e adresës, ata persona që qëndrojnë për një kohë të gjatë pa ndërprerje në institucionet shëndetësore.
Në një situatë të tillë institucionet ku këta shtetas ndodhen hartojnë një listë emërore dhe e dërgojnë atë në zyrën e gjendjes civile, ku më pas kryhen veprimet sipas rregullave të përcaktuara nga ministri që mbulon gjendjen civile.