Grupi i kasafortave, zbardhen 9 supervjedhjet

Disa prej objekteve ku mbaheshin paratë janë vjedhur pasi janë thyer dyert me oksigjen, ndërsa kanë dështuar në dy raste
Në kërkesën për arrest të prokurorisë, të dyshuarit akuzohen për disa grabitje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal
TIRANË- Vetëm pak ditë para ndërrimit të moteve, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, arrestuan gjashtë të dyshuar për grabitje dhe një tjetër shpallën në kërkim për "vjedhje" të ndryshme në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë arrestimit të të dyshuarve, policia shoqëroi edhe 11 persona të tjerë të cilët, pas verifikimeve u lanë të lirë me urdhër të prokurorisë.
Sipas procedimit penal me nr. 59 akt të datës 26 shtator 2009, rezulton se të arrestuarit Sulejman Bakalli, Elton Lika, Sajmir Kuçi, Taulant Mataj, Euklid Habili, Dritan Duka dhe Admir Burri dyshohen se janë pjesë e një grupi grabitësish që funksiononin në formën e organizatës kriminale.
Sipas hetimit, pjesë nga e cila "Shekulli" ka siguruar, të pandehurit pushonin ditën dhe punonin natën, duke grabitur lokale banesa apo objekte. Pavarësisht pretendimeve të prokurorisë, avokatët mbrojtës të të arrestuarve i kanë kundërshtuar ato, duke i cilësuar të montuara nga prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Më poshtë, "Shekulli" boton një pjesë të dosjes që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përpiluar ndaj të arrestuarve që dyshohen se kanë kryer veprat penale të "Vjedhjes me pasoja të rënda"; "Krijimit, organizimit dhe drejtimit të grupit të strukturuar kriminal" dhe "Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal".
DOSJA
Nga aktet e ndodhura në fashikull, rezulton se të hetuarit Sajmir Kuçi, Sulejman Bakalli, Fatjon (Elton) I.ika, Taulant Mataj, Euklid Habili, Dritan Duka dhe Admir Burri, dyshohet se kanë kryer veprat penale të "Vjedhjes me pasoja të rënda"; "organizimit dhe drejtimit të grupit të strukturuar kriminal" dhe "Kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal" në bashkëpunim.
Regjistrimi i procedimit penal është iniciuar mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria e Policisë se Qarkut Tiranë, sipas të cilit personat e mësipërm në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë, në formën e grupit të strukturuar dyshoheshin se kishin kryer e vazhdonin të kryenin vjedhje të banesave dhe ambienteve të personave juridikë (kryesisht të bizneseve) në Tiranë gjatë muajve të parë të vitit 2009. Kështu në muajin shtator të vitit 2009 ka nisur ndjekja, vëzhgimi, përgjimi i komunikimeve telefonike të autorëve të mundshëm të kësaj veprimtarie, në vende publike me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë.
Nga shqyrtimi i akteve të ndodhur në dosjen penale të hetimit paraprak me Nr.6612009 të Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë rezulton se:
1. Me datën 22 shkurt 2009, shtetasit nën hetim Elton Lika, Sajmir Kuçi dhe Admir Burri dyshohet te kanë vjedhur, me thyerje te grilës së dritares ambientet e biznesit "Admiral", ne bulevardin "Bajram Curri", e në brendësi, pranë banakut kanë vjedhur një kasafortë me përmasa 30x40 me shumën prej 600 mijë lekë të reja.
2. Më datë 30 mars 2009, shtetasit Elton Lika, Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Admir Burri dyshohet se kanë hyrë pasi kanë thyer derën e objektit në ambientet e shoqërisë "A.T.H.S." në rrugën "Dedë Gjo Luli", ku është vjedhur kasaforta brenda së cilës ndodheshin shumat prej 33.600 euro, 2920 USD dhe 39 000 lekë të reja.
3. Me datë 28 prill 2009 dyshohet se shtetasit Elton Lika, Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Admir Burri të kenë hyrë në banesën e biznesmenit Ilirjan Çela, në rrugën "Hamit Shijaku", duke prerë me oksigjen derën e banesës së një kati më poshtë, e nëpërmjet saj në banesën e lartpërmendur ku është vjedhur nga banesa një kasafortë me shumën prej 340mijë Euro, 13.400.000 lekë dhe 5 mijë paund.
4. Me datë 2 tetor 2009 rreth orës 02:00 pas mesnatës shtetasit nën hetim Elton Lika, Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Dritan Duka dyshohet se janë futur në banesën e shtetasit Dritan Pashako, ndodhur ne Lagjen "Ali Demi". Aty kanë tentuar që në një ambient që përdorej si zyrë, të nxjerrin nga muri kasafortën dhe pasi nuk kanë mundur të kryejnë marrjen apo vjedhjen e saj, janë larguar nga objekti.
Faktet e mësipërme lidhen me rezultatet e përgjimit (burim prove) dhe raportit të shërbimit të policisë gjyqësore të datës 22 tetor 2009.
5. Më datë 23 tetor 2009, dyshohet se shtetasit nën hetim Elton Lika, Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Dritan Duka kanë hyrë në zyrat e Ambasadës së Danimarkës me seli në Tiranë, rruga "Dëshmoret e 4 shkurtit", rreth orës 03:00 pas mesnatës, nëpërmjet tarraces së një pallati ngjitur me të, pasi kanë vendosur një palë shkallë për të komunikuar. Në ambientet e brendshme të ambasadës dyshohet se kanë vjedhur një sasi prej 1000 Euro, dy kompjuterë "Laptop" dhe sende të tjera (vula për viza të kësaj Ambasade).
Nga veprimet e ndjekjes prej policisë gjyqësore rezulton se në të njëjtën ditë shtetasit nën hetim Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Dritan Duka kanë shkuar në qytetin e Korçës, janë takuar me dëshmitarin Maksim Xhixho, të cilit ia kanë shitur sendet e vjedhura në Ambasadë (vula).
Kjo lidhet dhe me rezultatin e përgjimit së shtetasit Elton I.ika dhe Sajmir Kuçi kanë hyrë në ambientet brendshme të Ambasadës ndërsa shtetasit nën hetim Sulejman Bakalli dhe Dritan Duka kanë ruajtur dhe kanë ndihmuar në transportin e autorëve dhe sendeve të vjedhura prej aty.
6. Me datë 3 nëntor 2009, shtetasit nën hetim Taulant Mataj, Euklid Habili në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, dyshohet se kanë vjedhur zyrat e shoqërisë "Merkaj" ndodhur në rrugën "Sulejman Delvina", pranë postës numër 8 në katin e dytë.
Ata kanë hyrë në zyrat e kësaj shoqërie nëpërmjet dritares nga pas pallatit, kanë marrë një kasafortë në këto zyra ku brenda saj ndodhej një sasi prej 1.000.000 (një milion) lekësh.
7. Me datë 11 nëntor 2009 shtetasit nën hetim Taulant Mataj, Euklid Habili në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar dyshohet se kanë tentuar të vjedhin zyrat e shoqërisë "Pasha Travel", Tiranë ndodhur në rrugën "Vaso Pasha", pallati ngjitur me kryqëzimin e rrugës "Avdyl Frashëri" kati i dytë.
Rreth orës 03:00 pas mesnatës kanë parkuar mjetin tip "Peugeot" pronë e shtetasit nën hetim Euklid Habili, kanë hyrë në zyrat e kësaj shoqërie duke shpërthyer me forcë derën e saj por nuk kanë gjetur vlera monetare apo kasafortë e janë larguar me makinë dhe në drejtim të rrugës "Perlat Rexhepi", kthehen për te rruga "Sami Frashëri" dhe parkon automjetin para pallatit të tij shtetasi Euklid Habi.
Ky veprim është i dokumentuar me raportin e vëzhgimit të Policisë Gjyqësore ku dy ditë më parë këta shtetas janë parë në atë vend. Vëzhgimi dhe raporti i shërbimit lidhet dhe me rezultatet e përgjimit të komunikimeve mes njëri-tjetrit.
8. Me datë 6 dhjetor 2009, shtetasit nën hetim Elton Lika, Sajmir Kuçi, Dritan Duka dhe një person tjetër i paidentifikuar dyshohet se kanë tentuar të vjedhin ambientet e brendshme të shoqërisë së ndërtimit "Fusha" sh.p.k. që ndodhet në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës.
Pasi kane thyer dritaren prej duralumini, në ambientet e brendshme të kësaj shoqërie, kanë tentuar të hapin kasafortën e shoqërisë me kaçavide dhe në pamundësi të hapjes së saj janë larguar.
9. Me datë 12 dhjetor 2009 rreth orës 03:00 janë vjedhur ambientet e shoqërisë turistike "Ferrotours", ndodhur në qytetin e Durrësit pranë Stacionit të Trenit, pronë e shtetasit Bernard Resom, që ndodhet në katin e dytë të një pallati.
Shtetasit nën hetim Elton Lika dhe Taulant Mataj në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar rezulton se janë nisur nga Tirana rreth orës 02:00 pas mesnate për në Durrës me mjetin tip "Benz" me targa TR 0287 T pronë e shtetasit Taulant Mataj.
Kanë hyrë në ambientet e shoqërisë nëpërmjet dritares duke e shqyer atë, kanë marr aty një kasaforte e kanë hedhur poshtë nëpërmjet ballkonit dhe e kanë vendosur në bagazhin e mjetit. Shtetasit Elton Lika dhe Taulant Mataj kanë hipur në mjetin e lart përmendur e janë nisur për në Tiranë.
Policia pas marrjes së njoftimit të kësaj vjedhjeje e ka ndjekur nga pas mjetin. Shtetasit e dyshuar në autostradën Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit për "Rinas", nuk i janë ndalur postbllokut të policisë. Nën ndjekjen e policisë ata kanë braktisur mjetin në rrugën dytësore përballë Drejtorisë së Transporteve dhe janë arrestuar pak metra më larg nga Policia ku shtetasi nën hetim Elton Lika edhe është plagosur nga policia.
Më pas nga policia u kryen sekuestrimi i mjetit me targa TR 0287 T e në bagazh të tij u gjet dhe u sekuestrua një kasafortë me përmasa rreth 70x50 cm metalike, me ngjyrë gri në të bardhë, e mbyllur me mbishkrimin "JUVE".
Është pikërisht kasaforta e vjedhur në Agjensinë "Ferrotours", në Durrës dhe gjatë hapjes së saj me çelësin që zotëronte i dëmtuari Bernard Reso, në të ishin 4000 Euro. Në këto kushte policia kreu arrestimin në flagrance të shtetasve Elton Lika dhc Taulant Mataj.