Kur na dëgjon qeveria
Editorial nga Ardit Rada
Një javë më parë Shekulli u sulmua. Kjo ndodhi kur zyrtari i qeverisë paditi Shekullin dhe gazetaren Lindita Çela vetëm pse kjo e fundit iu referua një dokumenti zyrtar të servirur po prapë nga zyrtarë të kësaj qeverie. Dokumenti në fjalë, sikurse e dini, fliste për drejtorin Gjovalin Prenga si i përfshirë në kurset e Ministrisë së Brendshme të diktaturës.
Në këto radhë nuk është rasti të bëjmë historikun e investigimit tonë por për tiu referuar një lufte me të vërtetën që jo vetëm nuk na trembi por na nxori fitimtarë. E them këtë pasi zoti Gjovalin Prenga e tërhoqi padinë e tij, jo vetëm për shkak të presionit të opinionit të brendshëm e të jashtëm.
Ne besojmë se një rol të rëndësishëm pozitiv ka luajtur kryeministri i cili pak muaj më parë deklaroi se nga administrata e tij nuk do të paditet asnjë gazetar.
Në javën që lamë pas, Shekulli sulmoi. Dokumentet ekskluzive që gazetarët siguruan në lidhje me emërimin e komandantit të Flotës Detare, krahas punës së përditshme profesionale, u kthyen në kauzën e javës për gazetën dhe jo vetëm për të servirur një gjetje ekskluzive por për të mbrojtur atë të cilën e përdhosin përditë zyrtarët dhe qytetarët: Ligjin themelor, Kushtetutën e Republikës.
Dje, ministri i mbrojtjes Arben Imami u tërhoq nga emërimi i Ferdinand Kreshpanit në krye të Flotës duke rinjohur kështu kompetencat e presidentit.
Ne e përshëndesim tërheqjen dhe urojmë që ajo të jetë e sinqertë.