E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur ndëshkohet ligji...

Shumë shpesh e kemi dëgjuar këto 18 vite shprehjen: "Kur ndëshkohet ligji...". Shpeshherë është reaguar. Media është munduar të jetë sa më oponente për të ruajtur demokracinë e fituar me aq mund.

Mora shkas për të shkruar nga rasti më i fundit në marrëdhëniet mes prokurorisë dhe një uniforme blu. Shefi i qarkullimit të kryeqytetit pezullohet nga detyra, sepse pati një kontradiktë me burrin e një prokuroreje. Vërtet përbën lajm. Një denoncim për uniformën blu. Vërtet një fakt interesant për t‘u shqyrtuar në Shqipëri. Gjykata vendos masë pezullimi për komisar Krenar Ahmetin, shefin e qarkullimit të kryeqytetit. Motivi: arbitraritet në veprime.

E di që komentet do të jenë të shumta, e di që shumë do të flasin për miqësira, e di që shumë duan mjegull dhe mungesë reagimi, e di që në këtë vend ekzistojnë individë, të cilët duan "rrumpallë" ligjore... Por unë nuk mund të rrija pa reaguar përballë një fenomeni vërtet të rrezikshëm për shoqërinë tonë. Nuk dua të qëndroj aspak në rastin konkret, nuk dua të mbroj e të akuzoj askënd, thjesht fenomeni që po përhapet çdo ditë e më shumë e që bëhet më shqetësues për ata që e duan sadopak këtë vend. Denoncohet një shef qarkullimi, sepse tejkaloi jashtë koncepteve respektimin e ligjit. Denoncohet nga një prokurore. Lufta brenda llojit qenka shumë e fortë. Si qytetar dhe drejtues mjeti respektoj autoritarizmin dhe fanatizmin, me të cilin është ruajtur e zbatuar kodi i qarkullimit rrugor në kryeqytet. Nuk dua të di se kush ishte dhe është personi që më detyron të zbatoj rregullat, nuk dua të di se përse nuk qarkulloj dot pa rrip sigurimi e kaskë, nuk dua të di se nuk mund të përdor një mjet të pa targuar... nuk dua të di, sepse nuk është individ, është zbatues dhe respektues i ligjit.

Nuk ka rëndësi emri, por ligji që respektohet dhe zbatohet. E vërtetë që do të ishte më mirë të jetohej në një anarshi totale ku çdokush bën ç‘të dojë, e vërtetë që askush nuk ka dëshirë të ndalohet dhe të gjobitet, e vërtetë është që askush nuk do të presë semaforin. Por jetojmë në një komunitet, prandaj u krijuan ligjet, prandaj respektohen ato. Përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë! Por nuk qenka e thënë. Zbatimi i ligjit në Shqipëri duket se është ndryshe për qytetarin dhe ndryshe për njerëzit e veshur me pushtet. Rasti i fundit tregoi qartë diferencimin e lidhjeve dhe njohjeve dhe qytetarit të thjeshtë të këtij vendi. Fryma e re e zbatimit të ligjit me çdo çmim goditet dhe sulmohet barbarisht. Morëm ftesën për NATO, kërkojmë anëtarësimin në familjen e madhe evropiane, por nuk pranojmë dot shtet ligjor! Nuk mund të ndodhë. Duhet që një ditë të kuptojmë se shteti funksionon.

Edhe ju, njerëz të veshur me pushtet momental, duhet të mësoheni se ligji është ligj edhe për ju. Me sa kurajo do të luftojnë krimin dhe korrupsionin uniformat blu nëse goditen?! Me sa kurajo do të deklarohet se jemi shtet ligjor dhe po ecim me hapa të vendosur drejt Evropës, kur kemi ende një "luftë brenda llojit", e cila po shkatërron këtë vend?! Dimë shumë raste dhe shembuj ndërkombëtarë që ligji vepron për të gjithë njësoj, pavarësisht pushtetit, por themi se ata janë ndryshe. Akoma do të vazhdojmë me mentalitetin e të fortëve të mbuluar nga koraca provizore e pushtetit? Personalisht shpresoj që jo. Ka ardhur momenti të vlerësohen dhe respektohen ata që sakrifikojnë për një shtet ligjor, ata që nuk njohin askënd përveç ligjit, ata që i rezistojnë korrupsionit. Kjo është vërtet një luftë. Ndershmëria vazhdon ende të goditet, por do vijë një ditë që do ta kërkojmë me ngulm. Nuk është zhdukur, thjesht nuk e lejojmë të lulëzojë. Nëse ndërpritet një burim korrupsioni, thahen shumë çezma. Dhe kjo është e papranueshme nga disa. Le t‘i japim pak frymëmarrje respektimit të ligjit, le të mësohemi edhe ne që shteti ka ligje dhe duhen respektuar nga të gjithë. Le të mësohemi edhe ne se mund të kemi shtet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›