E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota e emigrantëve, midis demokracisë dhe poliarkisë

Ditët e fundit në tregun mediatik janë hedhur disa ide për pjesëmarrjen e emigrantëve në votime, nëpërmjet krijimit të kushteve që ata të votojnë në vendet pritëse. Në këto radhë do të përpiqem të trajtoj pamundësinë praktike të realizimit të këtij procesi.

1. Demokracia si poliarki: mëdyshjet teorike

Teorikisht, demokracia kushtëzohet nga mundësia e barabartë e qytetarëve për të influencuar vendimet kolektive të shoqërisë. Megjithatë, duke qenë se asnjë shoqëri nuk mund të garantojë barazi absolute në përzgjedhjen e individëve me influencë politike, praktikisht është e pamundur që parimi demokratik i barazisë politike të realizohet në mënyrë të kulluar. Pra, duhen pranuar kufizimet e demokracisë së pastër. Niveli demokratik i sistemeve politike vetëm i përafrohet idealit demokratik. Në këtë perspektivë, demokracia zhvillohet si një sistem poliarkik, me tendencë afrimi drejt demokracisë perfekte.

Evoluimi nga demokracia në poliarki nuk është një trill i politologëve, pasojë e karakterit të ndërlikuar të realizimit të standardeve demokratike në botën reale. Demokracia në praktikë është kompromisi ose bashkëjetesa e idealeve me standardet reale. Idealet demokratike sendërtohen në botën reale, në mënyrë jo të plotë dhe të pabarabartë për të gjithë qytetarët. Poliarkia shmang rrezikun e përqendrimit të pushtetit politik rreth një qendre të vetme, duke e zhvendosur atë drejt një ansambli individësh, grupesh e organizatash. Kjo shpërndarje centrifugale e pushtetit e bën poliarkinë formën më të mirë të mundshme të realizimit të demokracisë.

Demokracia poliarkike realizohet në dy forma: konkurrenca e partive dhe veprimtaria e grupeve të interesit. Në përpjekjet e tyre për të grumbulluar sa më shumë vota, partitë u drejtohen segmenteve të elektoratit, duke premtuar se do të realizojnë çështjet për të cilat ato janë më shumë të interesuara. Subjektet politike në poliarki janë më shumë të orientuara drejt politikave publike që garantojnë më shumë vota dhe jo rreth vlerësimit të shumicës. Prandaj grupet me interesa të përbashkëta organizohen për të influencuar politikat publike në funksion të tyre. Një shëmbëllim i poliarkisë shqiptare mund të shihet te shoqatat e ndërtuesve, prodhuesve, pronarëve, punëdhënësve, sindikatave etj., që në shkëmbim të votës, kërkojnë akses në politikat publike. Në këtë perspektivë zgjedhjet janë një vendim i votuesve për të zgjedhur administratorët e burimeve dhe financave publike.

A përfaqësojnë emigrantët një grup interesi? Nga pikëpamja socio-ekonomike, emigrantët nuk janë pjesë e përhershme dhe aktive e sistemit shoqëror. Rrjedhimisht ata nuk mund të zhvillojnë interesa në një sistem në të cilin nuk janë anëtarë aktivë. Emigrantëve u mungojnë instrumentet e vlerësimit objektiv të alternativave politike në tregun elektoral. Kjo situatë mund të prodhojë një rezultat të padëshiruar e të dëmshëm për emigrantët, të cilët e bazojnë votën në imazhin, faktorët emotivë apo preferencat ndaj liderëve.

Nga ana tjetër, emigrantët janë një grup me interesa të shumëllojshme. Ata nuk mund të realizojnë në praktikë ose sigurojnë me vështirësi kohezionin e interesave të tyre. Distanca jo thjesht fizike dhe përjetimi virtual i axhendave elektorale i shndërron ata, dashur pa dashur, në outsiders të sistemit politik. Është e vërtetë që në erën e sotme të komunikimit, dixhitalizimit dhe informacionit, emigrantët kanë mundësi të shumta për të qenë në korrent të asaj që ndodh në atdhe. Por nevojën e ndërtimit të një rruge apo ujësjellësi e ndjejnë jo njëlloj emigranti që google-on nga Milano, Kreta apo Kalifornia dhe qytetari që kthehet te fëmijët i llangosur në baltë dhe nuk gjen ujë për t‘u shpëlarë. Ndonëse në parim e drejtë, kërkesa e artikuluar për votimin e emigrantëve në vendet pritëse është e parakohshme.

2. Pamundësia praktike e votimit në vendet pritëse

Shumica e vendeve perëndimore ka gjetur mekanizma të ndryshme të garantimit të së drejtës së votimit shtetasve të tyre jashtë vendit. Mund të përmendim disa përvoja të votimit të emigrantëve në vendet pritëse.

E para, votimi në qendra votimi të ngritura në njësitë administrative të vendit pritës. Sa është e mundur të realizohet kjo? Shqipëria nuk ka aktualisht një regjistër të emigrantëve. As qeveritë dhe institucionet e vendeve pritëse nuk e kanë një informacion të tillë, të plotë e të saktë. Si dhe sa kohë do që të realizohet regjistrimi i emigrantëve? Cila është kostoja e këtij aksioni? Sa të sakta e të pakontestueshme do të jenë rezultatet e regjistrimit? Kush do ta përballojë koston, shteti apo emigrantët? Edhe sikur ky informacion të ekzistonte, qendrat e votimit nuk do të mbulonin gjithë territorin. Një pjesë e emigrantëve do të përjashtohen nga kjo e drejtë. Edhe nëse do të ishte e mundur të krijohen kushte për votimin e emigrantëve legalë, do të përjashtohen nga kjo e drejtë klandestinët. Por klandestinët përbëjnë, si rregull, rreth 30% të numrit të përgjithshëm të emigrantëve. Pra, me gjithë dëshirën e mirë, mundësia për të votuar në vendin pritës do t‘u ofrohet, në rastin më të mirë vetëm rreth gjysmës së emigrantëve. Gjysma tjetër do të jetë e përjashtuar. Duke qenë se pjesëmarrja në zgjedhje vështirë se do ta kalojë 50 për qind, vetëm një pjesë e vogël e emigrantëve do ta ushtrojnë këtë të drejtë në vendin pritës. Pra, një analizë e kujdesshme kosto-përfitim e këtij procesi nuk do të inkurajonte hipotezën e votimit të emigrantëve në vendin pritës.

E dyta, le të imagjinojmë se shteti do të ngrejë qendra votimi në përfaqësitë diplomatike. Por jo të gjithë emigrantët do të kenë akses në shfrytëzimin e kësaj mundësie. Pjesa më e madhe e tyre jeton jashtë kryeqyteteve apo qyteteve ku janë shërbimet konsullore. Nga pikëpamja e distancave hapësinore, të votojnë shqiptarët në SHBA nuk është njësoj sikur të votojnë amerikanët në Shqipëri. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh që shërbimi diplomatik e konsullor është më afër qeverisë (nuk flasim vetëm për sot) votuesit emigrantë natyrshëm do të ngrenë dyshime mbi integritetin e procesit. Në këtë mënyrë, ekziston mundësia ose dyshimi që vota e emigrantëve do të përdoret kundër vullnetit të tyre. Për pasojë, në vend që t‘i kontribuojnë procesit demokratik, emigrantët shndërrohen, përkundër vullnetit të tyre, në dëmtues të procesit. Përveç kësaj, kush na siguron se një qytetar që është regjistruar si emigrant nuk është i regjistruar edhe në komunën apo bashkinë e vendlindjes?

E treta, referimi ndaj modelit të ndjekur nga disa shtete, nëpërmjet votimit me postë. Në vendet që kanë aplikuar këtë formë votimi, analistët e procesit kanë evidentuar mjaft pika të dobëta të këtij modeli. Kostoja e shërbimeve postare është shumë e lartë. Në mjaft raste është krijuar një treg i paligjshëm në shitjen e fletëve të votimit. Një pjesë e emigrantëve kanë raportuar se fletët e votimit nuk u kanë mbërritur ose kanë mbërritur me vonesë. Në raste të tjera ka pasur pasaktësi në identitetin e votuesve. Duke pasur parasysh nivelin e administrimit të procesit elektoral, emigrantët kanë të drejtë të dyshojnë në mosruajtjen e fshehtësisë së votës. Përfundimisht, zbatimi i këtij modeli, përveçse shërbime të posaçme që në rastin e Shqipërisë vështirë se arrihen, kërkon integritet e ndershmëri të lartë qytetare, politike dhe elektorale, të cilën as votuesit dhe as administratorët e zgjedhjeve nuk e kanë, të paktën tani për tani. Që ne nuk jemi engjëj në administrimin e proceseve elektorale, e kemi dëshmuar më shumë se njëherë. E pse duhet të përziejmë e të shfrytëzojmë për këto mëkate edhe emigrantët?

Rrugëzgjidhja?

Do ishte antidemokratike që emigrantëve t‘u mohohet e drejta për të votuar. Arsyetimet e mësipërme nuk kanë kurrsesi qëllim t‘u kufizojnë atyre të drejtat kushtetuese dhe elektorale. Fjala është për idenë e ofrimit të një mundësie. Ajo jo vetëm shkon përtej burimeve të shtetit shqiptar, por është praktikisht e parealizueshme, të paktën aktualisht. Pra, votimi i emigrantëve në vendin pritës nuk përbën një vlerë të shtuar për demokracinë shqiptare. Cila do të ishte atëherë rrugëzgjidhja? Emigrantët e kanë gjetur vetë: shteti t‘u sigurojë të drejtën e votimit në vendlindje. Nëpërmjet ardhjes në Shqipëri për të votuar, emigrantët demonstrojnë vullnetin e tyre për t‘u investuar për interesin publik. Nëpërmjet krijimit të kushteve për të votuar lirisht, shteti i tyre u njeh atyre këtë kontribut. Pra, shteti duhet të përfshijë emigrantët në listat e zgjedhësve, t‘u bëjë thirrje dhe krijojë kushte të vijnë e të votojnë në vendlindje. Pa retorika, pa spekulime.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›