Krimet e luftës në ish-Jugosllavi, në pranga Stojan Zupljanin
Serbia ka arrestuar shefin e sigurimit serbo-boshnjak, gjatë kohës së luftës në Bosnjë, Stojan Zupljanin dhe pritet tani ta dërgojë atë në Gjykatën penale të Kombeve të Bashkuara në Hagë, ku edhe do të gjykohet për krime lufte. Zupljanin ishte një ndër katër më të shumëkërkuarit e Gjykatës së Hagës për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë, në vitet ‘90-të dhe arrestimi i tij konsiderohet si një hap përpara i Serbisë në përpjekjet për afrim me Bashkimin Evropian. "Stojan Zupljanin është arrestuar në afërsi të Beogradit. Agjentët e policisë dhe forcat e sigurimit kanë marrë pjesë në operacion. Ai duhet të ekstradohet tani në Hagë, brenda 72 orëve në vazhdim", tha Bruno Vekariç, zëdhënës i zyrës së posaçme të prokurorit për krime lufte. Ai tha se Zupljanin, 56 vjeç, u gjet në një apartament, rreth 8 kilometra larg qendrës së Beogradit dhe do të dilte fillimisht para gjykatësve hetues në gjykatën e krimeve të luftës në Beograd, para se të ekstradohej në Hagë. "Nuk bëri rezistencë gjatë arrestimit", thotë Vladimir Vukçeviç, Kryeprokurori serb për krimet e luftës, që koordinoi operacionin. "Ky arrestim tregon qartazi se ne po bashkëpunojmë seriozisht me Hagën dhe se ka vullnet politik për bashkëpunim të plotë". Ai shtoi se ka pasur edhe më herët përpjekje për të arrestuar Zupljanin në qytetin jugor të Serbisë, Nish, por ajo kishte dështuar dhe i dyshuari ia kishte dalë mbanë të largohej. Ai nuk tha se kur ishte zhvilluar ky operacion. Ndërkohë, një zëdhënës i Gjykatës së Kombeve të Bashkuara në Hagë tha se edhe gjykata ishte njoftuar në lidhje me arrestimin dhe priste tani ekstradimin e të shumëkërkuarit. Pas mbërritjes në Hagë, brenda një apo dy ditësh, ai do të bëjë edhe daljen e parë para gjykatësve dhe do të ketë mundësinë të shprehet në lidhje me akuzat. Zupljanin, një komandant në qytetin e Banja Llukës gjatë luftës së Bosnjës së viteve ‘92-‘95, akuzohet tani për vrasjen e civilëve myslimanë dhe kroatë. Zupljanin është akuzuar fillimisht nga Gjykata e Hagës, në vitin 1999, për krime kundër myslimanëve dhe kroatëve në zonën perëndimore të Bosnjës, të njohur si krahina boshnjake. Akuza u bë publike në 2001-shin dhe menjëherë nisi kërkimi i tij. E ndërkohë, 13 vjet pas përfundimit të kësaj lufte, janë ende në kërkim komandanti i ushtrisë serbo-boshnjake, Ratko Mlladiç, lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Goran Haxhiç, një lider lokal serbo-kroat. Arrestimi i tyre dhe dorëzimi në Hagë ka qenë një kusht për avancimin e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. "Bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës është një parakusht që Serbia të fillojë integrimin e saj në BE", thotë analisti politik, Marko Blagojeviç, nga qendra e pavarur për zgjedhje të lira dhe demokraci. "Ky është padyshim një hap përpara për Serbinë", shton ai.