E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portugalia niset drejt çerekfinaleve

Portugalia ka filluar të mendojë që tani për çerekfinalet e EURO 2008, pasi ka arritur fitoren e dytë radhazi në grupin A. Ekipi i drejtuar nga Luis Felipe Skolari ka mposhtur me rezultatin 3-1 Çekinë, duke shkuar në kuotën e 6 pikëve që sigurojnë pjesëmarrjen e saj në fazën tjetër të turneut. Nga ana tjetër, skuadra e Brykner nuk ka arritur të marrë të paktën një barazim, ndonëse ka zhvilluar një lojë shumë të bukur përballë favoritëve të grupit.

Që në fillimin e ndeshjes ishin portugezët që kërkuan me më ngulm golin e avantazhit, i cili erdhi në minutën e 8-të. Çeh bën mrekullinë dy herë radhazi përballë Kristiano Ronaldos dhe Dekos, por më pas mesfushori i Barcelonës arrin të dërgojë topin në rrjetë me tentativën e tretë. Mirëpo Çekia reagon menjëherë duke rrezikuar me anë të Barosh e Sionkos, por në të dyja rastet pa gjetur kuadratin e portës së mbrojtur nga Rikardo. Çekët shfrytëzojnë armën e tyre më të fortë, goditjet standarde dhe në minutën e 17-të vendosin baraspeshën në shifra me anë të Sionkos, i cili devijon saktësisht në rrjetë një goditje nga këndi të Jankulovskit. Loja e portugezëve zbehet dhe vetëm dy gjuajtje nga distanca të Kristiano Ronaldos janë shumë pak për skuadrën që cilësohet si pretendente për të fituar EURO 2008. Megjithatë, as çekët nuk arrijnë të gjejnë të çara në mbrojtjen kundërshtare, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet në barazim 1-1.

Me rikthimin në fushë të dy skuadrave, Çekia shfaqet menjëherë e rrezikshme falë depërtimeve të Sionkos dhe Barosh, por ky i fundit gabon dy herë në kontrollin e topit. Portugezët kundërpërgjigjen me dy raste të Nunjo Gomesh, por sulmuesi ndalet fillimisht nga Çeh e më pas nga mbrojtësi Rozehnal, duke mos arritur të gjejë golin e avantazhit. Për të zgjidhur problemet e Portugalisë mendon përsëri dyshja e yjeve Deko-K. Ronaldo, ku në minutën e 63-të është i pari që jep një pasim perfekt nga e djathta, ndërsa ylli i Mançester Junajtid dërgon topin në rrjetë me një gjuajtje të rrufeshme që befason Çeh. Brykner nuk ka çfarë të humbasë më dhe hedh në fushë edhe gjigandin Koler, duke kërkuar të shfrytëzojë lojën në ajër. Menjëherë vijojnë disa raste radhazi për ekipin çek, por Rikardo arrin të devijojë gjuajtjet e Barosh dhe Sionkos. Edhe Jankulovski provon të shënojë me një goditje dënimi, por gardiani i portugezëve shfaqet në një formë të shkëlqyer duke shpëtuar portën e tij në një moment mjaft të vështirë. Prishja e ekuilibrave në skemën e lojës bën që çekët të lënë hapësira në prapavijë dhe në minutën e 91-të, Portugalia ndëshkon përsëri Çekinë. Pas një goditje dënimi të ekzekutuar me shpejtësi, topi shkon te Kristiano Ronaldo, i cili shfaqet me shpejtësi para Çeh, por pason te Kuarezma, i cili nuk e ka të vështirë të devijojë sferën në portën e boshatisur, duke vulosur fitoren 3-1 të skuadrës së tij.

Verdikti

Turqia 90 minuta shpresë,

Zvicra jashtë turneut

Në "St. Jakob Park", si Zvicra, ashtu edhe Turqia, kërkonin pikët e para në "Euro 2008", por ishin këta të fundit që në fund të 90 minutëshit festuan, pas triumfit 2-1. Me këtë rezultat skuadra e Fatih Terim ka edhe 90 minuta shpresë për t‘u kualifikuar, ndërkohë që Zvicra bashkorganizatore e sheh veten jashtë turneut, pavarësisht se ka edhe një ndeshje me Portugalinë. Zgjedhjet taktike i dhanë të drejtë Terim, që kishte aplikuar ndryshime radikale në skuadër, duke lënë jashtë formacionit katër prej titullarëve që u dorëzuan 2-0 me Portugalinë. Që prej minutave të para, përballja është kondicionuar nga reshje të dendura shiu, që e kanë bërë pothuajse të pamundur zhvillimin normal të lojës. Edhe pse turqit luajnë më mirë, janë zviceranët ata që rrezikojnë të parët me Inler, por Volkan Demirel neutralizon. Pak çaste më vonë tenton edhe Trankuilo Barneta, që nuk arrin të shënojë. Në të 29-ën, Arda Turan shkakton drithërima në portën zvicerane, duke goditur shtyllën, megjithatë, pas këtij episodi skuadra e Kuhn gjen golin e avantazhit me Hakan Jakin, që nuk e ka të vështirë të shtyjë në rrjetë pasimin e 19-vjeçarit Derdiok. Zviceranët kërkojnë golin e dytë, por në të 57-ën ndëshkohen nga devijimi me kokë i Shenturk, që barazon vetëm pak minuta pas aktivizimit. Takimi mbyllet mes emocioneve, me të dyja skuadrat që tentojnë të shënojnë golin e fitores, por janë turqit ata që marrin më të mirën, pasi në të 93-ën Arda Turan shënon golin e fitores për skuadrën e Terim.

Grupi A

Portugalia 6 2 2 0 0 5-1

Rep. Çeke 3 2 1 0 1 2-3

Turqia 3 2 1 0 1 2-3

Zvicra 0 2 0 0 2 1-3



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›