E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli: Shqiptarët do lëvizin lirshëm, s’ka vend për protesta

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, deklaroi dje në Tiranë se “në prill do bëhet propozimi për liberalizimin e vizave”, prandaj opozita duhet të heqë dorë nga protestat e rrugëve, meqë kështu, ajo s’do t’i shërbente dot përshpejtimit të procesit. Fajon është në Tiranë në krye të një delegacioni europarlamentarësh, të cilët mbrëmë çertifikuan qendrën e shpërndarjes së dokumenteve të identitetit si ndër më të sigurtat e bashkëkohoret në Europë


Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, dënon politikën e rrugës të paralajmëruar nga opozita, duke deklaruar se vendi ndodhet në prag të një momenti historik, siç është liberalizimi i vizave. Europarlamentarja sllovene, e cila po viziton Shqipërinë në kuadër të një vizite private të delegacionit të PE-së, me në krye Eduart Kukan, shefi i Delegacionit për Ballkanin, për të parë nga afër progresin e shënuar, përsa i takon kritereve për heqjen e vizave, u shpreh se ngërçi politik nuk e ndihmon kurrsesi procesin e liberalizimit të vizave, madje, shton ajo, dëmton rëndë imazhin dhe prosperitetin e vendit. Sipas Fajon, në asnjë vend demokratik, protestat në rrugë nuk janë konsideruar të dobishme, duke theksuar me këtë rast, se politika e rrugës, e paralajmëruar nga Rama, penalizon Shqipërinë dhe aspiratën e shqiptarëve. “Nuk ka vend në botë ku protestat në rrugë janë të dobishme. Ajo që është e rëndësishme është gjetja e gjuhës së përbashkët mes partive të përfshira. Politikanët duhet të jenë të kujdesshëm duhet të shikojnë përfitimet e qytetarëve. BE beson se Shqipëria është një vend i besueshëm. Po përpiqem të bind edhe palët kundërshtare në PE ndaj na duhet më shumë qetësi”, u shpreh Fajon. Ajo vuri në dukje se Shqipëria duhet të ecë drejt BE-së dhe për këtë nevojitet bashkëpunimi i të gjitha forcave politike. Rruga e dialogut, tha ajo, është rruga e duhur dhe më fitimprurëse për shqiptarët. “Mendoj që është e rëndësishme që të kemi dialog mes qeverisë dhe opozitës, kjo situatë nuk e ndihmon vendin, nuk është mirë për imazhin e vendit. Shqipëria duhet të ecë drejt BE-së dhe të gjitha palët duhet ta kenë të qartë se është në përfitim të qytetarëve dialogu mes tyre. Duhet të sigurohet një situatë e stabilizuar. Nuk është e drejtë që palët të akuzojnë njëra-tjetrën për liberalizimin e vizave”, deklaroi në prononcimin e saj për shtyp, Tanja Fajon. Përsa i takon liberalizimit të vizave Shqipëri-BE, Tanja Fajon deklaroi se në mes të muajit prill pritet një raportim para PE-së mbi procesin e liberalizimit të vizave. “Në mes të prillit pritet një raport në parlamentin europian. Kemi bërë thirrje për propozimin e pranimit të kërkesës së liberalizimit të vizave sa me shpejt. Gjithë procesi është kërkues. Kriteret e sigurisë e kufijve dhe dokumentet. Vizitova qendrën e pasaportave biometrike dhe vura re se procesi është i mirë. është e rëndësishme që qeveria të bëjë një fushatë për të informuar njerëzit për liberalizimin e vizave”, u shpreh ndër të tjera, Fajon.


Liberalizimi i vizave, mbërrin në Tiranë delegacioni i parlamentarëve evropianë


Një delegacion i Parlamentit Evropian mbërriti dje në Tiranë, për të vëzhguar nga afër përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Delegacioni kryesohet nga shefi i Delegacionit për Ballkanin, Eduard Kukan. Në përbërje të delegacionit do të jenë deputetët Jelko Kaçin, Simon Busuttil nga Malta, hollandezja Marije Cornalissen si dhe raportuesja e Parlamentit për liberalizimin e vizave Tanja Fajon. Vizita konsiderohet private për Parlamentin Evropian edhe pse me ftesë zyrtare të autoriteteve shqiptare. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, eurodeputetët do të zhvillojnë takime sot me Kryeministrin Sali Berisha, Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta dhe presidentin Bamir Topi. Menjëherë pas mbërritjes në Tiranë dje, eurodeputetët vizituan zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›