"Kur shteti të lë si alternativë o koburen, o paranë e madhe
U bënë kaq vite dhe administratën e shërbimit publik nuk e “shtetëzuan” dot realisht. Nëse të shpie halli në zyrat e shtetit, duhet të kesh me vete një kobure ose para të madhe. Shumë zhurmë bën qeveria për korrupsionin. Edhe kjo, edhe ajo që ishte më parë. Por unë mendoj se qeverive nuk u intereson ta ndërpresin, se me atë mbajnë pushtetin.
Ne e dimë që qeveria i ka nën vete të gjitha këto shërbime, po, me sa duket, nuk ushtron ndonjë kontroll mbi to. Janë më qindra hallexhinjtë që i kanë fituar të drejtat e tyre me vendime gjyqësore të formës së prerë, por kjo u mohohet nga strukturat e paafta të administratës. Po e ilustrojmë me një fakt, që qeverisë nuk i bën përshtypje edhe pse na flet për shtet ligjor.
Dy banorë, nga fshati Krushovë i Skraparit, i kanë fituar të gjitha shkallët e gjykimit, ku është njohur e drejta e pronës, sepse dokumentet arkivore ishin djegur. Mirëpo u duhet të bëjnë edhe një gjyq tjetër, sepse përgjegjësja e zyrës së kthimit të pronave në Berat, në vend që të zbatojë vendimet e gjykatës, u kërkon, që t’iu shpien dokumentet e arkivave të shtetit!
Parlamenti i ka komisionet të ngritura, të cilët e kanë detyrë funksionale ta kontrollojnë administratën apatike të shtetit dhe vetë qeverinë. Nuk ka nevojë të ngrihen komisione të posaçme që janë si sapuni mbi gunë ose si ata dublantët që dërgoheshin dikur nëpër rrethe. Populli i shkretë i mban sytë nga përfaqësuesit e tij, po mjerë ai që ka hall e nuk ka miq ose para.