E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur të gjykojnë profesionistët



Një nga agjencitë më të njohura në botë për gjykimin e rezultateve ekonomike dhe financiare të të gjitha vendeve të globit dhe korporatave gjigante, agjencia “Moody’s” (në shqip “Mudis”), me seli në Nju Jork. SHBA, vlerësoi këto ditë me notën “B1” Shqipërinë, me cilësimin “vend me gjendje të qëndrueshme” (në anglisht: “stable outlook”). Notat e agjencisë renditen nga B3 (vend problematik) në A1 (vend me përparim të shkëlqyer ekonomik). Nota “B1” konsiderohet një notë shumë pozitive për një shtet në zhvillim e sipër. Ky vlerësim i agjencisë më në emër ndërkombëtare për “rating” (në anglisht: “renditje, klasifikim”) të kompanive dhe shteteve, vjen në kushtet e përkeqësimit të tregjeve financiare globale, të krizës që ka përfshirë pothuajse të gjithë botën. Dhe në këtë kiamet të përgjithshëm, vendi ynë ruan dhe konsolidon një vlerësim të qëndrueshëm. Në një kohë kur shumë vende të rajonit dhe të ngjashme me ne kanë rënë në mënyrë drastike në vlerësimin e “Moody’s”. Prandaj dhe gjykimi i dhënë nga kjo lloj agjencie përbën një dëshmi të garancisë së institucioneve ndërkombëtare të specializuara, se ekonomia shqiptare po ecën në rrugën e duhur. Ai gjithashtu shpreh besueshmërinë dhe efektshmërinë në qeverisjen e vendit dhe përfaqëson vlerësimin më të qartë e të paanshëm të modelit të zhvillimit ekonomik që përqendrohet tek reforma, tek përmirësimi i marrëdhënieve me biznesin dhe tek integrimi euroatlantik dhe evropian. Është një vlerësim konstant në raport me vlerësimin e qershorit 2007 të po kësaj agjencie. Në argumentimin e këtij vlerësimi, “Moody’s” ofron gjykime të tilla si performanca e mirë e ekonomisë me rritje të qëndrueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Vendit (në vitin 2008 rritja ekonomike ishte 8 për qind), niveli i ulët i inflacionit brenda objektivit 2-4 për qind, nivel më i ulët se çdo vend tjetër në tranzicion. “Moody’s” vlerëson po ashtu masat ligjore të natyrës fiskale me orientim pro biznesit dhe drejt uljes së taksave, të cilat vazhdojnë të mbështesin rritjen ekonomike, si dhe reformat me incentiva për investimet e huaja. Një tjetër notë e mirë është marrë nga Shqipëria për mungesën nga ana e sistemit të saj financiar e bankar të investimeve toksike tek kreditë. Kjo shikohet si një lloj mbrojtjeje nga kriza botërore. “Moody’s” po ashtu vëzhgon përpjekjet që po bëhen tek ne në kuadrin e integrimit evropian, si një bosht orientues të politikave të zhvillimit ekonomik, duke përafruar legjislacionin, punën e institucioneve shtetërore e me radhë. “Moody’s” vlerëson investimet publike, sidomos rrugën Durrës-Morinë, investimi publik më i madh i ndërmarrë ndonjëherë nga shteti shqiptar. Përmirësimi i situatës energjetike të vendit (praktikisht dalja nga kriza energjetike) dhe premisat për të investuar me miliarda euro në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë në vend nuk i kanë shpëtuar syrit vëzhgues të kësaj agjencie ndërkombëtare, duke kontribuar jo pak në vlerësimin e saj të përgjithshëm pozitiv. E njëjta gjë mund të thuhet për privatizimet e suksesshme strategjike të kryera kohët e fundit nga shteti ynë. Vlen për t’u theksuar se raporti dhe vlerësimi i “Moody’s” konsiderohen shumë nga bankat ndërkombëtare kur duan të japin kredi për shtete të veçanta. Klasifikimi i kësaj agjencie përbën një element bazë dhe praktikisht garanci për bankat e mëdha që të rrezikojnë qindra milionë euro kredi në një vend të caktuar. Rrjedhimisht, me përsëritjen e vlerësimit “B1”, mund të thuhet se Shqipëria edhe për gjithë këtë vit e ka rrugën e hapur për kredi nga bankat që veprojnë në tregun ndërkombëtar të kredive. Gjykime të tilla të kujtojnë se sa të varfra në përmbajtje dhe sa boshe në alarmin e tyre negativ janë disa gjykime e vlerësime të pseudo-ekspertëve tanë të ekonomisë, të nxitur dhe nga pasione partiake, kur paralajmërojnë mynxyra që nuk do të verifikohen kurrë për ekonominë tonë mirëfilli të shëndetshme.

Fatmir Kovaçi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›