E Diel, 1 Nëntor 2026

Karamanlis në Tiranë dhe “faqja e re” e marrëdhënieve dypalëshe



Nga Robert Goro*

Të hënën, Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, mbërrin në Tiranë, në vizitën e parë zyrtare të plotë që bën në vendin fqinj. Por njëkohësisht ai do të jetë dhe i pari kryeministër që do të shkelë tapetin e kuq në kryeqytetin shqiptar, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe në këtë sens vizita ka edhe simbolikën e “këmbës së mbarë”. Turi i tanishëm i Kryeministrit grek, që brenda pesë ditëve - nga e enjtja e kaluar - përshkoi Qipron, Bullgarinë dhe Shqipërinë, synon të dëshmojë forcimin e rolit të Greqisë në rajon, rol që Athina tashmë e koncepton si një raport partneriteti me shtetet fqinje. Në kushtet e moszgjidhjes së kontestit për çështjen e emrit me FYROM dhe me ashpërsimin e qëndrimeve antigreke të udhëheqjes së Shkupit; ndërsa marrëdhëniet me Turqinë kanë hyrë prej shumë kohësh në një periudhë stagnacioni, me produkt të vetëm tensionimet, Shqipëria e Bullgaria janë dy vendet më të preferuara në axhendën diplomatike rajonale të Athinës. Aq më shumë Shqipëria, për shkak të specifikës së minoritetit grek nga njëra anë, dhe numrit të madh të emigrantëve shqiptarë në Greqi, nga ana tjetër. Ky partneritet rajonal që po ravijëzohet është një risi që nuk duhet të kalojë jashtë vëmendjes së opinioneve publike në vendet përkatëse. Muaji prill, që filloi me aktin e anëtarësimit të Shqipërisë e Kroacisë në NATO, ka shënuar në analet e veta takimet e zotit Karamanlis me Presidentin Obama dhe Presidentin Sarkozi, si dhe takimin e së premtes së Kryeministrit Berisha me Presidentin francez. Në mëngjesin e të hënës, 27 prill, Kostas Karamanlis do të presë në Athinë Presidentin e Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso dhe më pas do të fluturojë drejt Tiranës. Përtej koincidencës kohore, gjithë këto takime dypalëshe kanë edhe dimensionin e interesimit në rritje të komunitetit ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila po përjeton një periudhë fatlume të reputacionit të saj. Pranimi i Shqipërisë në NATO, është një tjetër element që e forcon këtë raport partneriteti dhe që nuk duhet të shërbejë si shkas për konservimin dhe rritjen e agresivitetit (mediatik) ndaj Greqisë që vërehet rëndom në Shqipëri. Karamanlis mbërrin në Tiranë në një kohë që marrëdhëniet dypalëshe ndodhen në një stad të konsoliduar pozitiviteti. Gjatë gjithë viteve të fundit, që nga periudha e qeverisjes socialiste, Athina ka qenë në mënyrë të qëndrueshme në përkrahje të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe nuk përjashtohet që zoti Karamanlis të shprehë mbështetjen e Athinës edhe ndaj paraqitjes së aplikimit për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Por ka edhe një sërë zhvillimesh të tjera vitet e fundit, në kahun e konsolidimit të marrëdhënieve të mira: situata e emigrantëve shqiptarë në Greqi është përmirësuar mjaft, krahasuar me vitet e mëparshme. Ky përmirësim, është nga njëra anë meritë e vetë emigrantëve, që kanë treguar vazhdimisht vlerat e tyre më të mira, si komuniteti më i integruar në jetën dhe ekonominë greke; por nga ana tjetër nuk do të mund të arrihej, pa ekzistuar edhe pranimi nga ana e vetë shoqërisë vendase, pse siç dihet, për të vallëzuar tangon duhen patjetër dy vetë. Athina zyrtare ka përsëritur disa herë se në çështjen e minoritetit (që ka qenë një burim i pashtershëm pretendimesh nga ana e palës greke), Shqipëria ka bërë hapa të mëdha pozitive, ndërkohë që thekson nevojën e përmirësimit të mëtejshëm, por pa i kushtëzuar marrëdhëniet nga ky përmirësim. Nga axhenda (ende e papublikuar) e vizitës, rezulton se Berisha e Karamanlis do të nënshkruajnë marrëveshjen mbi përcaktimin e kufirit nënujor (ose Shelfin Kontinental). Burime që deklarohen të mirinformuara në Athinë, thonë se kjo marrëveshje do të përmbajë edhe përcaktimin e kufijve tokësorë, që automatikisht do të thotë njohje e kufijve ekzistues midis të dy shteteve. Nëse kjo është e vërtetë, bëhet fjalë për një akt historik, që do t’u japë një përgjigje të mirë qarqeve të caktuara në të dyja anët e kufirit (sidomos në Greqi), të cilat, gjatë 20 viteve të fundit, i kanë hapur jo pak probleme marrëdhënieve dypalëshe, ngandonjëherë madje duke i vënë ato përballë sprovash tepër të vështira. Nuk përjashtohet që të njëjtat qarqe të ngrihen përsëri tani e të sulmojnë. Por politika zyrtare e të dy vendeve (dhe, me gjasë dhe opozitat përkatëse) e kanë konsoliduar tashmë vullnetin e tyre për marrëdhënie të ngushta. Kjo u duk edhe në dy debatet parlamentare të paradokohshme, për ratifikimin e MSA-së dhe protokollit të anëtarësimit në NATO, ku dy partitë ë të mëdha, Demokracia e Re në pushtet dhe PASOK-u në opozitë, kishin qëndrim të njëjtë dhe votuan pa asnjë rezervë për miratimin e të dy akteve. Madje edhe reagimet zyrtare për çështjen “Bollano”, në Tiranë e Athinë, dëshmojnë kujdesin e të dy palëve që, siç thotë një fjalë e urtë, “mos të prishet dasma për një limon”. Athina e vlerësoi në sensin e duhur deklaratën e Kryeministrit Berisha, ndërsa qeveria greke nuk u prononcuar fare rreth rastit në fjalë, pikërisht për të treguar se ajo i shtron në një pistë krejt tjetër prioritetet e marrëdhënieve me Shqipërinë. Sigurisht se veprimtaria e qarqeve nacionaliste në Greqi është zbehur mjaft vitet e fundit, falë edhe vendosmërisë së qeveritarëve për t’i injoruar reagimet e këtyre qarqeve. Siç vinte në dukje të dielën (26 prill, “Kathimerini”), kolegu grek, Stavros Tzimas, “Në kohë të tjera, një zhvillim i tillë (çështja Bollano), do të shkaktonte tensionim në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe eventualisht do ta minonte një vizitë në Tiranë të Kryeministrit grek”. Për analistët gjakftohtë e të paanshëm, një trajtim i tillë i çështjeve të nxehta, ndikon në zbehjen e mëtejshme të asaj fryme mosbesuese (ose të rezervuar) që i ka karakterizuar marrëdhëniet midis Shqipërisë e Greqisë, pavarësisht zhvillimeve tepër pozitive. Këto marrëdhënie janë “të dënuara” që të jenë vazhdimësisht të mira, dhe argumentet për këtë i njeh e i pranon sot shumëkush. Pavarësisht problemeve që ekzistojnë dhe që nuk janë shumë më të komplikuara se sa problemet që karakterizojnë edhe një familje normale, brenda katër mureve të shtëpisë. Përtej problemit të pasurive të shtetasve respektivë në të dyja anët e kufirit, për zgjidhjen e të cilit rriten mundësitë pas çdo hapi që hedh Shqipëria në rrugën e integrimit evropian, gjithë problemet e tjera janë më së shumti të karakterit teknik, çka do të thotë se nuk përbëjnë asnjë pengesë për marrëdhëniet dypalëshe. Të kësaj natyre janë edhe problemet me të cilat ndeshen emigrantët shqiptarë në Greqi dhe që kryesisht inkuadrohen në dobësitë e funksionimit të administratës publike vendase, dobësi që, duhet thënë, nuk i vuajnë vetëm dhe ekskluzivisht emigrantët, por edhe vetë qytetarët grekë. Përndryshe, politika greke është përgjithësisht e orientuar drejt pranimit të rolit pozitiv të emigrantëve shqiptarë, gjë që shprehet vazhdimisht nëpërmjet deklaratave zyrtare. Nga ana tjetër, angazhimi i qeverisë greke për të përmirësuar edhe më tej kushtet për emigrantët e ligjshëm që ndodhen prej shumë vitesh në vend, nuk përbën thjesht një vullnet të Athinës, por edhe detyrim ndaj dokumenteve komunitare. Dhe vitet e fundit, pala greke ka pasur një ritëm impresionues (krahasuar me të kaluarën), në përshtatjen e legjislacionit dhe praktikave kombëtare për emigrantët, me ato që rekomandon Bashkimi Evropian. Si përmbyllje, ardhja e Kryeministrit grek në Tiranë, normalisht do të konfirmojë nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve. Në protokollin e shkëmbimeve në nivel kryeministrash midis Tiranës e Athinës, që fillon nga janari i vitit 1991, kjo duhet të jetë vizita e dhjetë zyrtare (Micotakis 1991, 1992; Simitis 1997, 1998; Meksi 1993, Fino 1997, Majko 1998, Meta 1999, Nano 2004, Berisha 2006). Pas çdo vizite, është përsëritur deklarata e rëndomtë se “një faqe e re hapet për marrëdhëniet”, por kjo “faqe e re” më së shumti ka qenë virtuale, pjesë e kortezisë së domosdoshme kryeministrore. Vizita e tanishme, duket se i plotëson të gjitha kriteret që marrëdhëniet Tiranë-Athinë, të hyjnë vërtet në një rrugë të re, shumë më cilësore, dhe me dobi të shumanshme; në plan jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal.

*) Robert Goro është korrespondent i BBC-së në Athinë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›