Unë, dëshmitari i masakrave serbe në Kosovë
Që të jem i sinqertë, as para luftës dhe as gjatë bombardimeve të NATO-s, unë nuk kisha dëgjuar për batalionin “Atlantiku”. Gjatë kohës sa isha në krye të Misionit Verifikues për Kosovën (MVK)1 në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), (tetor 1998-qershor 1999), kisha për detyrë t’i organizoja shkëmbimet e të burgosurve të luftës, por edhe obligime të tjera operacionale. Disa herë kisha takuar komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por unë nuk e dija se në radhët e veta UÇK-ja kishte pasur një kontingjent me luftëtarë amerikanë, të cilët ishin rekrutuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Është vërtet e çuditshme, por e pamohueshme, që
unë nuk isha i vetmi ndërkombëtar i rangut të lartë, nga të shumtët që punonin në Kosovë, që nuk e dija këtë fakt. As qeveria e Shteteve të Bashkuara e as bashkësia ndërkombëtare nuk e kishin ekspozenë e plotë se çfarë ishte UÇK-ja. Cilët ishin pjesëtarët e saj? Nga çfarë përbëhej struktura e saj? Cila ishte hierarkia ushtarake në fushëbetejë? Cila ishte udhëheqja, pra drejtuesit etj.? Në cilësinë time si kryesues i një misioni ndërkombëtar dhe si oficer sekondar i Shërbimit të Jashtëm të Amerikës, unë kisha qasje të kufizuar në ato çfarë dinin, ose mendonin se dinin mbi UÇK-në agjencitë e inteligjencës të Amerikës dhe të NATO-s. Mbase unë mund të mos kem qenë plotësisht i informuar, porse shpeshherë habitesha nga pyetjet e thjeshta që më bëheshin në Washington, në kryeqytetet e Evropës dhe në selinë e NATO-s në Bruksel, nga personalitete si Madeleine Albright, Javier Solana, gjenerali Wesley Clark dhe të tjerë, që sigurisht ishin të mirinformuar. “Çka është UÇK-ja? Kush e përfaqëson atë? Një nga pyetjet që Sekretarja e Shtetit, Albright, më shtroi në mënyrë direkte, ashtu siç di të pyesë ajo, ishte: “Pa më thuaj Bill, a është UÇK-ja një grusht kriminelësh, xhihadistësh apo janë patriotë të vërtetë?” Nuk mund t’i thosha tjetër përpos të vërtetës. Nga tre a katër persona, me të cilët kisha pasur marrëdhënie dhe disa duzina të tjera që i kisha vërejtur në postblloqet e UÇK-së, asnjë nga ata nuk më kishte lënë përshtypjen të ishin tjetër, përveçse djem të rinj (dhe tek-tuk ndonjë vajzë e re) që po luftonin për një kauzë, në të cilën ata besonin thellësisht. Më 16 janar 1999 u bëra dëshmitar i njërës nga ndodhitë më dramatike dhe me pasojat më të mëdha gjatë gjithë punës sime në Kosovë: vrasjen e mbi 45 burrave dhe djemve në fshatin shqiptar Reçak. Me gjithë faktin që Millosheviçi u orvat, ashtu siç kishte bërë në raste të tjera, t’i paraqiste vrasjet e Reçakut si rezultat i betejës ushtarake me UÇK-në, ajo që pashë në vendngjarje, qenë ca pleq dhe djelmosha, të gjithë në rroba bujqish. Të ekzekutuarit dhe ajo që pashë unë, ishin absolutisht në kundërshti me përshkrimin e Beogradit se në Reçak kishte pasur shkëmbime zjarri. Dëshmitarët më rrëfyen që forcat serbe të sigurimit kishin granatuar për orë të tëra dhe me të hyrë në fshat kishin mbledhur meshkujt që kishin mundur t’i kapnin; pastaj i kishin shpënë përpjetë shtegut të ngrirë, ku disa orë më vonë qenë gjetur të masakruar. Këto pamje ishin evidencë e qartë për mua. Gazetarët dhe të gjithë ne që ecëm atë ditë nëpër atë grykë të ngushtë të vdekjes, e kuptuam gjithë çfarë kishte ndodhur. Sapo u ktheva në Prishtinë, organizova një konferencë shtypi. Fola para botës e thashë se sipas mendimit tim, vrasjet e Reçakut ishin masakër kundër civilëve të paarmatosur dhe krim kundër njerëzimit. I fajësova forcat serbe të sigurimit dhe kërkova që personat përgjegjës të jepnin llogari. Bëra thirrje për hetim të menjëhershëm, i cili duhej të bëhej nga ekspertë të pavarur dhe profesionistë të skenave të krimit. Si kundërreagim, Beogradi e denoncoi incidentin, duke e paraqitur si një komplot të CIA-s amerikane “për ta shkatërruar Serbinë”; kurse mua më shpalli person non grata.
Ngjarja e Reçakut çoi drejt në një obligim gjithëbotëror, sipas të cilit duhej bërë diçka për të ndalur dhunimin e Kosovës. Ministrat e jashtëm të Grupit të Kontaktit u mblodhën urgjentisht në Londër, ku Madeleine Albright dhe kolegu i saj rus bënë të ditur se palët në konfliktin e Kosovës do të silleshin në Rambouillet të Francës, që njëherë e mirë të arrinin një zgjidhje. Takimi i Rambouillet-së përfundoi me dështim, sepse Millosheviçi refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e negociuar. NATO-ja filloi bombardimin e Serbisë ca ditë më vonë. Disa muaj pas përfundimit të luftës, pasi u ktheva në Departamentin e Shtetit, u ftova të isha i pranishëm në një festim për çlirimin e Kosovës, që m’u tha se organizohej nga komuniteti shqiptaro-amerikan i New York-ut. Kur arrita në ndërtesën e pranimit, u befasova. Dhjetëra burra me uniforma ushtarake me distinktivë të UÇK-së kishin krijuar dy rreshta. Veç befasisë, u merakosa, sepse lajmi i manifestimit ushtarak do të arrinte t’u binte në vesh eprorëve të mi në Washington, nga të cilët vetëm një pakicë ndiheshin rehat që amerikanët kishin shërbyer në një “ushtri të huaj” - çfarë në esencë ishte UÇK-ja. Isha i sigurt që as Departamenti i Shtetit nuk do ta vlerësonte veprimin e ambasadorit Walker, që me zhurmë e potere demonstronte devotshmërinë e tij për çështjen shqiptare të Kosovës dhe për brigadën “Abraham Lincoln” 6. Beogradi tash do ta paraqiste këtë solemnitet si dëshmi se Walker dhe qeveria amerikane gjithnjë kishin pasur si mision “ta shkatërronin Serbinë”. Në përcjelljen që m’u bë për të shkuar te kryetavolina, shpejt zbulova që mbrëmja festive ishte organizuar për t’i nderuar ushtarët e batalionit “Atlantiku” dhe sakrificën e tyre. Në këtë mënyrë unë mësova se një grusht bijsh të rinj (dhe ca jo edhe aq të rinj me moshë) të diasporës shqiptare kishin ndërprerë karrierat, martesat dhe jetën e mirë në Amerikë, për t’iu bashkuar vëllezërve, motrave, kushërinjve dhe shokëve, - atëbotë, - në përpjekjen e pashpresë kundër armatës jugosllave, që ishte shumë më e madhe, shumë më e armatosur dhe e komanduar nga oficerë profesionistë. Në këtë mbrëmje takova Uk Lushin, një veteran i batalionit “Atlantiku” dhe autor i këtij libri. Programi kaloi me fjalimet e zakonshme të rastit, përfshirë timin, një fjalim goxha i përgjithshëm, sidomos pasi që nuk përmenda asgjë që kisha mësuar aty dhe as cili ishte qëllimi i tubimit. Pastaj çdo anëtari të pranishëm të batalionit “Atlantiku” iu nda nga një dekoratë për shërbim. Kulmi i ceremonisë së dekorimit qe patjetër momenti më dramatik dhe më emocionues i krejt mbrëmjes. Konferencieri nga tribuna tha se dekoratat për tre vëllezërit do t’i prezantoheshin
babait të tyre post mortem, sepse të tre ishin kapur dhe vrarë nga forcat serbe pasi veprimet luftarake ishin ndalur zyrtarisht. Kështu mësova për historinë tragjike të vëllezërve Bytyçi, që ky libër e paraqet me tërë detajet e saj tmerruese. Pak kohë pasi dëgjova për fatin e tre vëllezërve, u ftova nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) për t’iu bashkëngjitur një delegacioni që do të fluturonte për në Prishtinë me babanë e vëllezërve Bytyçi, i cili po shkonte t’i merrte eshtrat e bijve të tij për t’i sjellë e varrosur në Amerikë. Udhëtimi qe i trishtë. Gjatë shërbimeve memoriale në Kosovë dhe pastaj gjatë ceremonisë së varrimit në Yonkers, në Amerikë, babai i tre vëllezërve Bytyçi foli me pasion e tha se ishte krenar që bijtë e tij kishin dhënë jetën që të çlirohej Kosova. Nëna e tyre, duke rrezatuar më shumë dhimbje se krenari, për shkak të ankthit që e kishte kapluar, nuk foli fare. Kur më erdhi radha mua të thosha dy-tri fjalë, unë vetëm mund ta kuptoja gjendjen në të cilën ndodheshin prindërit e tre vëllezërve, eshtrat e të cilëve ishin në arkivolet para nesh. Unë jam baba i tre djemve dhe e kam të vështirë ta imagjinoj ta humbas një nga bijtë e mi, e lëre më tre; sidomos të masakrohen në një mënyrë mizore dhe të pakuptimtë ashtu siç ndodhi me vëllezërit Bytyçi. Që prej takimit të parë me ish-ushtarët e batalionit “Atlantiku” kam pasur rastin t’i njoh mirë një pjesë të madhe të tyre. Ndër ta më së miri njoh Uk Lushin, i cili është miku më i mirë imi. Ndoshta pse ai ka pasur një karrierë të suksesshme dhe ende është i angazhuar në shumë aspekte, për t’ia treguar botës të vërtetën e UÇK-së. Ushtarët e batalionit “Atlantiku” vijnë nga një shumëllojshmëri të kaluarash, nga vende të ndryshme të shoqërisë amerikane ku jetojnë shqiptarët; por jo të gjithë pjesëtarët e “Atlantikut” ishin nga familje me rrënjë stërgjyshore në Kosovë. Shumë nga ata qenë thjesht përfaqësues të diasporës panshqiptare dhe iu bashkuan kauzës pa dallime gjeografike. Faleminderit Zot , shumica u kthyen, disa me plagë, një apo dy nga ata me gjymtyrë të humbura, por të gjithë krenarë për kontributin që dhanë. Ky libër është historia e tyre.
*Ish-ambasador i SHBA-së në Kosovë (Parathënie e librit “Shqiptaro-amerikanët e UÇK-së” të Uk Lushit)