E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkimi kombëtar, si parakusht i zhvillimit



Vetëm bashkimi mundëson zhvillim më të shpejtë, më të drejtë, duke krijuar kushte për shtet dhe shtetësi të pavarur, të zhvilluar dhe të sigurt për kombin, qytetarët.

Bashkimi është fuqi endogjene dhe energjike për çdo fushë zhvillimi, sepse këtë e dëshmon historikisht fuqia e ekzistimit të kombit dhe shtetit, pra e dëshmon ekzistenca, fuqia dhe mendja kolektive e tij.

Ekzistojnë një mijë e një arsye se bashkimi për shqiptarët është rruga e vetme e zhvillimit ekonomik, social-shëndetësor, politik dhe i të gjitha lëmive të tjera me interes kombëtar. Bashkimi gjithëkombëtar është me interes regjional-fqinjësor i të gjithëve hapësirës përreth dhe më gjerë.

Bashkimi i shqiptarëve, intencë, qëllim dhe ide shekullore, si edhe i çdo kombi, në fazën e formimit, nuk ka pushuar me shekuj. Kjo përpjekje, për të cilën ekzistojnë një mori arsyesh, ka lindur historikisht me lindjen e shoqërisë në një vazhdimësi gjuhësore, areal homogjen dhe kulturor (pra, me një hapësirë të caktuar territori gjeografik), në marrëdhëniet reciproke në degë të ndryshme ekonomike fisnore, zejtare, tregtare etj. Ilirët, si fise të mëdha (popuj), të shpërndarë për gjatë tërë Gadishullin Ballkanik dhe atij Iberik-Apenin në jug, kur filluan për t’iu kanosur rreziqet, ata u detyruan të formojnë Federatën Ilire, me shumë karakteristika të Shteteve të sotme të Bashkuara të Amerikës. Kuptohet, në rrethana, kohë, hapësirë dhe kushte të tjera të kohës së vjetër. Kurse, sot shqiptarëve nuk u ofrohen asnjëra nga ato rrethana apo kushte që të kenë çfarëdo mundësie për krijimin e shteteve të vogla, pastaj që të kalohet në ndonjë federatë, apo lidhje shtetesh si në kohën e vjetër, kur u themelua Federata Ilire. Mund të jenë vetëm ëndrra të bukura ato, për shumëkënd, por edhe për shqiptarët në këtë milenium.

Ndërkaq, bashkimi si një çështje esenciale e përpjekjeve të shekullit të kaluar, dukshëm më fuqishëm ka depërtuar në kokat e çdo shqiptari, që njeh dhe respekton dinjitetin kombëtar-historik, të paktën nga periudha e luftërave shqiptaro-turke, të gjysmës së dytë të shekullit XV, të udhëhequra nge GJ. K. Skënderbeu, sepse hapësira dhe areali i frymës së këtij populli, qysh atëherë ka ardhur duke u tkurrur me shpërnguljen e madhe të popullit shqiptar në Itali, Dalmacinë Veriore dhe në viset e tjera të Evropës dhe të Azisë. Koha e re dhe kjo më e reja, gjithashtu shqiptarët i ka dëmtuar si në toka, aq më shumë në frymë banorësh. Ngjarjet para, gjatë dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,1878-1881, me gjithë konferencat, kongreset dhe tubimet e tjera, Shqipërinë etnike e dëmtuan mbi 52, për qind të hapësirës të saj. Luftërat Ballkanike 1912-1913, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, 1939-1945, gjithashtu, Shqipërisë etnike i shkëputën gjysmën e hapësirës.

Lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e përkrahur nga të gjitha viset e Kosovës etnike, nga diaspora, shteti amë etj. filloi me një përpjekje dhe shpresë përfundimtare për t`iu bashkuar pjesëve tjera të Shqipërisë londineze, Republikës aktuale Shqiptare. Por, ka një mori faktorësh, të cilët ndikuan në të tri luftërat, Kosovë, Kosovën Lindore dhe në Iliridë, që ato përpjekje të përfundojnë pa u kurorëzuar me idealet, e atyre, të cilët ranë në altarin e lirisë. Në gjithë këtë “mishmash”, së pari ishte faktori ndërkombëtar ai kinse për shkaqe të “gjendjes së ndërlikuar me popujt e shpërndarë në G. Ballkanik, çështjes së kufijve, të cilët paraqesin ndërlikueshmëri etj.” si çështja e Maqedonisë, Malit të Zi, Serbi, Bosnjë dhe Kroaci etj. E vërteta është krejtësisht e qartë dhe e kristaltë, sa u përket shqiptarëve, sepse ata kanë territorin e tyre homogjen gjuhësor, historik, kulturor dhe gjeografik etj.

Vazhdimi i luftës diplomatike (pas humbjeve të të katër luftërave fizike, të Serbisë), tani sidomos me të ashtuquajturën “kërkesë të drejtësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, më qartë se kurdoherë shihen pretendimet e mëtejme të Serbisë. Të paktën për shkëputjen e një pjese të Kosovës, nga shteti i brishtë i saj, pa ushtri, pa kufij të përcaktuar definitivisht, pa ekonomi tregu të zhvilluar, me papunësi dhe varfëri ekstreme, pa ndihma të mjaftueshme investuese etj. Me një luftë tepër të ashpër diplomatike të fqinjit verior, i cili jo më larg se 10 vjet më parë, rrënoi, kalli, vrau dhe ushtroi gjenocid, etnocid, dhunë dhe shkatërrime marramendëse të ekonomisë, xehetarisë energjitikës, mjedisit etj. Të gjitha këto janë shkaqe, elemente, arsye dhe përpjekje, të cilat duhet me mish dhe shpirt për t`i orientuar në një luftë joviolente, diplomatike, politike, të frymës bashkëpunuese shpirtërore drejt bashkimit kombëtar.

Sepse, tendencat e disa elementëve të huaj, të cilët në vazhdimësi përpiqen që Kosova të mos ketë ushtri të saj të rregullt, tendencat e ish-UNMIKU-t, e sidomos tani të EULEX-it, që Kosova të krijojë (deshën shqiptarët apo jo, pra shumica absolute) edhe nja 8-10 komuna të banuara me serbë. Që në Kosovë të kthehen të paktën gjysma e asaj popullsie, nga 600.000 sa ishin paraparë sipas unmikasve, pra 300.000 etj. Kur dihet se Kosova, kurrë në historinë e saj nuk ka pasur më shumë se 180.000 banorë serbo-malazezë. Dhe prej tyre gjysma nuk kanë qenë vendës, por popullsi koloniste e sjellë sipas situatave që i ka krijuar; MSKS, ish-Jugosllavia e parë, 1929-1939 dhe ish-Jugosllavia avnoiste 1945-1999. Historia e këtyre periudhave për shqiptarët e Kosovës natyrore është tepër mosmirënjohëse. Prandaj, ka një mijë e një arsye, që shqiptarët në G. Ballkanik të mendojnë, punojnë, të përpiqen me të gjitha forcat politike, diplomatike, me miqtë, aleatë dhe me atë ekonomi, me të cilën disponojnë brenda dhe jashtë në diasporë, për krijimin e kushteve, rrethanave dhe mundësive për bashkim kombëtar.

Sepse, ata vetëm bashkimi i shpie drejt një prosperiteti, zhvillimi dhe konsolidimi si komb, shtet dhe bashkësi më të fuqishme, më të zhvilluar dhe shumë më të respektuar në botë. Për t`u arritur kjo, nevojitet që së pari të eliminohen partikularizmat, duke u zhdukur interesat partiake, mbi ato kombëtare, vjedhjet, ndërprerjet e ndjekjeve të trurit, kthimin e tij kudo nga kanë ikur ata në diasporë. Shmangien e luftës së egër dhe tepër të pakompromis, të fushatave para, gjatë dhe paszgjedhore, ngritja e vetëdijes votuese etj., që të mos zgjidhën njerëz pa kapital kombëtar, jopatriotë, jonjerëzor e jo human etj. Ka rëndësi jetike se kush ku, dhe nga çfarë familjeje vjen, në vende udhëheqëse shtetërore dhe institucionale etj. Prandaj, nga kjo çështje duhet nisur pastrimi i dosjeve nga e kaluara, i atyre që gjatë gjithë jetës bënë karrierë në frymën servile dhe në dëm të gjeneratave, të cilat vuajtën nëpër burgje dhe kaluan kalvare të tjera mizerabël, vetëm e vetëm për liri, bashkim dhe për demokraci.

Përpjekjet për të ringjallur parullën e “Bashkim-Vëllazërimit”, për të krijuar diç të hibridizuar nga shqiptarët në “kosovarë”. Përpjekjet që të harrohet e kaluara aq e trishtuar e këtij populli, jashtë kufijve të Shqipërisë, madje edhe lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është barazi me kthimin, në ish-Jugosllavinë avnoiste-titiste. Unë, p.sh., kam menduar se para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, nuk ka elemente të shumta të tipit Basri Pllana, me të cilin sot e kësaj dite, edhe për kundër distancimit publik ndaj tij, jo më pak se 80-90.000 shqiptarë të këtij llagapi (mbiemri) vazhdojnë të jenë të nënçmuar! Tani, fare mirë është kuptuar se në Kosovë ka të tillë apo tipa të Basriut, me qindra, në çdo fis, çdo llagap, madje në detyra të niveleve mjaft të larta shtetërore e institucionale etj.

Të atillë, të cilët, natë e ditë luftuakan, që të vazhdohet “miqësia e vjetër e kumarisë me komshinjtë, të cilët me shumicë, gjatë luftës ishin vrastarë, të bashkuar me të gjitha njësitë, dhe ordhitë serbe në Kosovë. Pse atëherë, ne jemi duke i vuajtur pasojat e një apo dy-tre vetëve, me shembuj konkretë, dhe me emra apo mbiemra të anatemuar!? Shikoni, asnjë (pllanë) nuk gjendet në Kuvend, asnjë, (pllanë), nuk gjendet në qeveri, asnjë nga ky llagap nuk gjendet në Presidencë! Këtij mbiemri me një numër mjaft të madh banorësh, pavarësisht vuajtjeve, sakrificave, madje sakrificave historike, pavarësisht ngritjes intelektuale, bashkë me llagapet e tjera të një emërtimi të huaj, por të ndodhur e të quajtur muhaxhirë, kurrë më shumë nuk janë lënë anash, sesa në këta dhjetë vjetët e kësaj lirie. Sidomos nga zgjedhjet e fundit dhe shpalljes së shtetit të Kosovës etj.

Edhe pse muhaxhirët qysh nga shpërnguljet e mëdha të vitit 1877-‘78, e deri në qershor të vitit 1999, përherë kanë qenë shumë të ndjekur, persekutuar, burgosur, vrarë etj. në Kosovë! Fundja, kjo ishte dhe edhe sot e kësaj dite, është vepër përqarëse e armikut, jerli-muhaxhirë, që s`do të thotë tjetër pos të ardhur, të shpërngulur dhe vendës etj., edhe pse kjo çështje nuk do të duhej të paraqiste ndonjë paradoks të madh, sepse i ndjeri dr. Sabit Uka e ka shpjeguar bukur mirë në të 4 veprat e tij. Së fundi, s`do dalë nga tema, e cila ka një rëndësi krejtësisht të një natyre tjetër, sepse s`ka grurë pa egjër dhe nuk ka fis pa ndonjë pis, as shtëpi pa tym a dollap, derë a dritare! Shtruarja e temave të tilla në këtë kohë para zgjedhjeve (mendohet në Shqipëri, por dhe ato lokale në Kosovë), për ndokënd mund të duken nga pak absurde! Por, sado-kudo, për ndonjë politikan, diplomat dhe për shqiptarët, të cilët e duan kombin, atdheun, shtetin dhe mirëqenien e popullit të vet, ia vlen prurja dhe shtruarja e këtyre mendimeve, të paktën për t`i zbutur gjakrat e atyre.

Se nuk është gjithçka dhe mbi të gjitha, vetëm karriera përfituese, jokombëtare, pra vetëm përfituese vetjake, familjare, klanore, farefisnore etj., etj. Unë thjesht e them, se vetëm bashkimi na shpie drejt prosperitetit, zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, drejt sigurisë së plotë të të mirave kombëtare etj., pavarësisht pranisë së NATO-s, e cila tashmë ka shkelur në një pjesë të hapësirës kombëtare, e cila prani nuk do të thotë se ka zgjedhur çdo gjë dhe gjithçka do të jetë okej, sepse NATO-ja ka strategjinë e saj politike, diplomatike e në rend të parë atë ushtarake-gjeo-strategjike, sigurinë e një hapësire sa më të gjerë etj. Kurse, shqiptarët duhet të kenë strategjinë e tyre sublime; bashkimin si fuqi të vetme, të ngritjes së mirëqenies, afinitetit, zhvillimit dhe prosperitetit ekonomik urban dhe rural, detar dhe malor, turistik, kulturo-artistik dhe shkencor etj.

Bashkimi është fuqi endogjene dhe energjike...! E këtë e dëshmojnë ekzistimi i SHBA-ve, NASE-së, NATO-s, pra e dëshmojnë ekzistenca e shoqërive kolektive, sociale e grupimeve si të bletëve, thneglave etj., pra e shtetit monolit e kombëtar, jo kaq heterogjen. Zaten, lufta për ekzistencë në natyrë e imponon si të domosdosëëm bashkimin, i cili krijon fuqinë, jo për të dominuar, sa për të ekzistuar! Kjo s`është kurrfarë fshehtësie, por më se e domosdoshme dhe e provuar historikisht me shembuj konkretë të vetë ekzistimit të kombit dhe shtetit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›