Kur vetullat ngrihen jo nga habia, por nga sëmundjet
“Ptosis palpebral” do të thotë “rënie e qepallës”, pak ose deri në mbulimin e bebes në një ose tek të dy sytë. Ne të shumtën e rasteve shkaku i “ptosisit” tek të rriturit është këputja e muskulit “levator” – “ngritës”. Problemi shpesh krijohet gradualisht e ndonjëherë kur personi i është nënshtruar operacionit në sy ose ka pësuar ndonjë lëndim rreth syrit. Një tjetër shkak i mundshëm është dëmtimi i nervit përgjegjës për dërgimin e mesazheve tek muskuli “levator”. Pra problemi krijohet nga mosfunksionimi i nervit, por edhe nga dëmtimi i muskulit kur ky nuk reagon ndaj ngacmimit të nervit. Por studimet kanë treguar se rrallë ndodh që qepalla të bjerë si pasojë dëmtimit të nervit. Në rastet kur mosfunksionimi i nervit është shkaku, sëmundja quhet Sindromë e Hornit dhe simptomat janë; bebja e syrit me qepallë të rëne është më e vogël sesa ajo e syrit tjetër.
Qepalla
Nga vetë emri “ptosis palpebral”, kuptohet se rënia e qepallës është simptoma kryesore. Ndër shenja të tjera përfshihen; për shembull ka njerëz që kur duan të shikojnë diçka ngrenë sytë mbi nivelin e objektit dhe kokën e shtyjnë paksa mbrapa, ose ngrenë një vetull apo të dyja; këtë e bëjnë për hapur sytë. Shenja të tjera janë shikimi i pjesshëm ose i mjegullt, dhimbje koke ose rëndim mbi qepalla; kjo vjen nga përpjekja për t’i mbajtur sytë hapur. Nëse bebja e syrit me qepallë të varur është e zmadhuar, gjendja quhet “hipotrofi” dhe e kundërta, kur bebja e syrit me qepallë të rënë është e zvogëluar, quhet “ekzotropia”; por pacienti duhet të shkojë menjëherë tek mjeku, sepse të dyja këto simptoma mendohet të jenë pasoja të ndonjë sëmundje vdekjeprurëse. Kur mjekët ekzaminojnë një pacient me “ptosis palpebral” ata përpiqen të përcaktojnë arsyen e rënies së qepallës për t'u siguruar që pas saj nuk fshihet ndonjë problem më i madh shëndetësor. Në raste të tilla mjekët masin shkallen e të parit dhe pastaj provojnë ta mbajë lart artificialisht qepallën e pacientit për të kuptuar nëse shikimi mund të përmirësohet duke e ngritur atë me ndërhyrje kirurgjike.
Muskuli
Nëse “ptosis palpebral” është rezultat i ndonjë sëmundjeje të muskulit ose të nervit, në fillim mjekët trajtojnë sëmundjen. Nëse problemi i rënies së qepallës është shkaktuar nga ndërprerja e komunikimit midis muskulit dhe nervit, atëherë mund të kryhet ndërhyrje, gjatë së cilës kirurgu, krijon një hapje të vogël mbi qepallë dhe vendos lidhjen midis nervit dhe muskulit, ose mbyll hendekun duke hequr pjesën e dëmtuar. Në këtë rast, qepalla pëson një shkurtim të vogël. Gjatë operimit që zgjat rreth 30 minuta, mjekët përdorin anestezinë.
Sa kohë zgjat “ptosis palpebral”? Kjo varet nga shkaktarët. Për shembull, nëse rënia e qepallës është pasojë e ndonjë operacioni a dëmtimi të mëparshëm në sy, sëmundja mund të kalojë vetvetiu pa pasur nevojë për trajtim mjekësor. Por kur ajo është shkaktuar nga këputja e lidhjes midis nervit dhe muskulit, ndërhyrja kirurgjike është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e problemit.
Rezultatet e shumë studimeve kanë treguar se çdo rast trajtimi është i veçantë, sepse varet nga shkaku, shkalla e dëmtimit, veçoritë e muskulit Levator dhe nga mosha e pacientit. Gjithashtu, syze të pajisura me mjete për të mbajtur lart qepallat, mund të përdoren, por vetëm si masë e përkohshme, për të mos kufizuar hapje-mbylljen e qepallave, që mund të rezultojë në tharjen e syve.
Problemet me nervat e fytyrës kur vuan nga sëmundje të tjera
Shpeshherë ndodh që nervat që komandojnë fytyrën dhe pjesën e syve dhe vetullave të paralizohen. Nervat luajnë rolin kryesor në shqisat e njeriut, prandaj nëse ndonjë prej tyre sëmuret, ato pjesë të fytyrës që komandohen prej tij bëhen të pandjeshme.
Paraliza faciale ose paraliza e fytyrës është një sëmundje që vjen nga prekja e nervit të shtatë të kokës, i cili inervon muskujt e fytyrës (të ballit, të kapakëve të syve, faqeve, buzëve etj). Dëmtimi i tij bëhet nga të ftohtit (korrenti prej erës), infeksionet (gripale, otitet, borrelioza etj.), shtypjet e nervit përgjatë rrugës së tij nga shkaqe të ndryshme, manipulimet e stomatologëve etj. Në shumicën e rasteve dëmtimi i nervit të fytyrës, për pasojë edhe paraliza faciale, ndodh nga inflamacioni (mahisja) i këtij nervi dhe, në këto raste ne nuk arrijmë të gjejmë ndonjë shkak preciz. Në këtë rast, paraliza faciale emërtohet (Ex frigore) nga të ftohtit. Shkaqet e sipërpërmendura janë ato që japin të ashtuquajturën paralizë faciale periferike, sepse ka edhe një lloj tjetër paralize faciale, që quhet paraliza faciale centrale e që ka shkaqe të tjera. Kështu që mjeku fillimisht bën dallimin e paralizës centrale nga ajo periferike. Paraliza faciale periferike është patologji më e shpeshtë. Shenjat klinike të saj janë: vështirësi ose pamundësi për ta rrudhur ballin (nga ana e sëmurë), për të mbyllur syrin, për të fryrë faqet, për të fërshëllyer, si dhe vërehet tërheqje e këndit të gojës nga ana e shëndoshë. Mund të ketë edhe lotim të syrit, prishje të shijes në gjysmën e gjuhës, nga ana e sëmurë, si dhe dhimbje prapa veshit.
Lëvizja e muskujve të fytyrës
Lëvizjet e muskujve të fytyrës arrihen me anë të nervit të fytyrës që quhet nervi facial. Me urdhrat që vijnë nga truri, fytyra jonë merr pamje të ndryshme duke formuar shprehje të ndryshme. Nëse disa sëmundje apo probleme të ndryshme bëhen shkak që kjo lidhje të ndërpritet atëherë edhe lëvizjet fytyrës humbasin plotësisht apo pjesërisht. Në mjekësi kjo gjendje quhet paraliza faciale. Nervi facial fillon nga ponsi dhe pasi kalon nga veshi i brendshëm pastaj i mesëm arrin te muskujt e fytyrës. Por ai gjatë kësaj rruge kalon edhe mes gjëndrave të pështymës. Përgjatë rrugës në veshin e mesëm ka pranë dhe nervin e dëgjimit. Gjithashtu gjatë rrugës nervi facial jep edhe disa degë që kanë detyra të ndryshme. Për shembull, një pjesë e shijes së ushqimeve, lotimi, pështyma realizohen me anë të degëve të nervit facial. Paraliza faciale mund të shkaktohet nga shumë sëmundje apo probleme që prekin zonën mes trurit dhe zonës pons apo mes kësaj zone dhe muskujve të fytyrës. Shkaktari kryesor në rrugën mes trurit dhe ponsit është hemorragjia cerebrale e cila ndiqet në repartin e neurologjisë. Këto paraliza quhen paraliza faciale qendrore. Kurse dëmtimet pas ponsit deri tek muskujt e fytyrës krijojnë paralizën faciale periferike.
Shkaktarët e mosfunksionimit të nervave
Shkaktarët e paralizës periferike janë të shumtë. Paraliza Bell është paraliza faciale më e shpeshtë. Shkaku nuk dihet plotësisht. Mendohet për një ënjtje në veshin e brendshëm. Dihet që ndikohet prej erës dhe të ftohtit. Nuk ka ndonjë shenjë tjetër veç humbjes së funksionit të nervit. Kjo dhe e bën të dallohet nga shkaqet e tjera. Në të shumtën e rasteve shërohet plotësisht. Sindromi Ramsay Hunt shkaktohet prej viruseve. Plus mosfunksionimit të mirë të nervit ka dhimbje dhe disa lezione (plagë) në rrugën e jashtme të veshit. Ka më pak mundësi të shërohet plotësisht në krahasim me paralizën Bell. Infeksionet e veshit të mesëm (otitis media) janë një tjetër rrezik për shfaqjen e paralizës faciale. Tek fëmijët otitis media akut, kurse tek të rriturit kroniku duke arritur tek nervi e dëmton atë. Sëmundjet sistemike si: tensioni i lartë, diabeti, neuritis, mungesa e vitaminave ndikojnë negativisht në paralizën faciale. Edhe tumoret që shkaktohen në zonat e rrugës ku kalon nervi facial mund të shkaktojnë paralizë. Mund të jenë të mirë (bening) ose të këqij (maling). Sidomos tumoret e gjëndrave të pështymës.
Goditjet nga jashtë që vijnë drejt veshit apo fytyrës janë rreziku i radhës për paralizën faciale. Së fundi, përsa i përket shkaktarëve të kësaj sëmundje tepër të rrezikshme, edhe operacionet e ndryshme që realizohen në kokë, vesh apo tek gjëndrat e pështymës mund të shkaktojnë pa dashje dëmtim të nervit.
14 Gusht 2009