E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: “Qeveria të reagojë për hetimin e trafikut të organeve”



Presidenti i Nderit të Partisë Republikane, Sabri Godo, ka reaguar në lidhje me akuzat se në Gurrë të Matit janë trafikuar organe jetësore të serbëve. Godo u shpreh se “hetimet e KE-së janë me prapavijë politike”. Pas akuzave të Serbisë për trafikun e organeve të qenieve njerëzore në Kosovë dhe përfshirjen e Shqipërisë në të, studiuesi Sabri Godo fajëson qeverinë shqiptare për mosreagim. “Qëllimi i këtij hetimi është të hidhet hija e dyshimit mbi dy vendet, Shqipërinë e Kosovën”, - u shpreh ai. Godo thotë se gjithçka që ndodhi në fshatin Gurrë, ku banorët bllokuan hetuesit e KE-së të hynin në fshat, ishte provokim me prapavijë politike, ndërsa kritikon heshtjen e qeverisë shqiptare, e cila, sipas Godos, po i mban debatet e hapura në mënyrë artificiale. Në këtë pikë Godo kërkoi nga qeveria që të reagojë në lidhje me debatin e çelur. “Mosreagimi i qeverisë mban debatin e ndezur”, - vijoi Godo, i cili gjithashtu shtoi se “me akte të tilla synohet ngadalësimi i njohjes së Kosovës”. Në fund të fjalës së tij Presidenti i Nderit republikan tha se i mirëkuptonte banorët e Gurrës, të cilët, sipas tij, reaguan sepse u akuzuan si bashkëpunëtorë në trafikimin e organeve. Në një libër të ish-prokurores së Hagës, Karla del Ponte, të titulluar “Gjuetia”, ajo shprehet se gjatë luftës në Kosovë, në Gurrë të Matit, në një banesë shqiptare, civilëve dhe ushtarakëve serbë u hiqeshin organet që më pas trafikoheshin. Prokuroria shqiptare ka hetuar për këtë fakt dhe ka dëshmuar se nuk ka asnjë provë që në banesë të jenë kryer të tilla krime. Para pak ditësh hetues të KE-së, me kërkesë të Serbisë, u nisën në drejtim të Gurrës për të këqyrur banesën, por u bllokuan nga banorët e fshatit për të hyrë në banesë me pretendimin se duhej një mandat kontrolli dhe shoqërimi të bëhej nga prokurorë shqiptarë.

14 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›