Përmbarimi: Më problem zbatimi i vendimeve nga shteti se sa me individin
Laureta Rryci
Përmbaruesit e kanë më të vështirë të zbatojnë një vendim gjykate kur palë është shteti se sa kur palë është individi. Këtë fakt e tregon më së miri edhe numri i dosjeve që kanë zënë pluhur në zyrat e Përmbaruesve të Tiranës. Sipas burimeve pranë kësaj zyre, vetëm për rikthim në punë me vendim gjykate të formës së prerë janë rreth 2000 dosje që nuk janë ekzekutuar ende. Të gjitha këto dosje për rikthimet në detyrë falë një vendime gjykate janë kosto e dyfishtë për buxhetin e shtetit. Ndërsa këta nëpunës fitojnë të drejtën të paguhen për pagën që iu është hequr pa të drejtë, sakaq të njëjtën shumë e kanë përfituar dhe të preferuarit e pushtetarëve. Kosto kjo financiare e cila sërish rendon me pa të drejtë në xhepat e qytetarëve. Pas një vendimi të formës së prerë, ish-nëpunësit i njohin me faktin për t’i rimarrë sërish në punë drejtuesit që i kanë hequr me pa të drejtë. Edhe pse ligjërisht vendimet e gjykatës duhet të zbatohen asnjë prej ministrave nuk merr mundimin t’i zbatojë ato. Pikërisht në këtë moment përfshihet edhe Zyra e Përmbarimit. Dosja me vendim të formës së prerë kalon në këtë institucion për zbatim të detyrueshëm.
Përmbarimi
Përmbaruesit e kanë më të lehtë të zbatojnë një dosje që ka palë qytetarët se sa ato që kanë institucionet shtetërore. Megjithë premtimin e Kryeministrit, Sali Berisha se kërkon ekzekutimin me 100 Për qind të dosjeve sërish asnjë nga ministrat nuk e ka zbatuar këtë urdhër të shefit të tyre. Shpesh herë ata që fitojnë një proces të tillë civil, i gëzohen vetëm dëmshpërblimit që fitojnë pasi e dinë që vendim i tillë gjykate do t’iu shërbente për të fituar punën kur në pushtet do të vijë partia e tyre.
Dhjetëra dosje “flenë” nëpër zyrtarët e përmbaruesve duke mos ia gjetur dermanin edhe për zbatim nga Ministria e Financave për dëmshpërblim. Përmbaruesit shprehen se shpesh kanë qenë të detyruar të gjobisin edhe ministri të ndryshme me nga 50 mijë lekë të reja për mos zbatim të vendimeve të gjykatës. Megjithatë edhe kjo mënyrë nuk ka rezultuar pozitive për shkak se vendimet vazhdojnë të mos zbatohen.
Kostoja
Nga reforma politike e deri në një vendim të gjykatës ndodh një proces zinxhir që ka një kosto të dyfishtë për buxhetin e shtetit. Të gjitha largimet e padrejta nga puna për arsye politike ndëshkohen me vendim gjykate duke përfituar kështu nëpunësit e larguar. Menjëherë në këtë moment shtetit kthehet në borxhli ndaj kësaj pjesë që i përkisnin administratës kur në të njëjtën kohë po paguan diletantët e partisë në pushtet. Sakaq dosjet pasi marrin vendimet e formës së prerë qëndrojnë për vite me rradhë në zyrat e përmbaruesit në pritje të zbatimit.
Përmbarimi privat ende i pazbatueshëm në vendin tonë
Hartuesit që zbardhën ligjin për shërbimin privat janë të mendimit se kategoritë e Titujve Ekzekutivë si kontraktuale private, (lirim banese etj), të cilat për momentin mbartin mjaft problematikë për mungesë mjetesh logjistike, do të bëheshin ndoshta më efektive për faktin e sigurimit të këtyre mjeteve. Por nga ana tjetër, duke mos e ndjerë fuqinë shtrënguese të shtetit, subjekte të ndryshme në proces ekzekutimit, do të krijonin një problem serioz në raport me përmbaruesit e vetë-punësuar. Me aplikimin e sistemit privat, Institucionet shtetërore do të trajtohen si çdo kreditor tjetër privat. Ato do të duhet të paguajnë tarifat, në raport me objektin e ekzekutimit. Ndoshta, duke mos përballuar dot nga buxheti i vet pagimin e tarifave, shteti do t'i shmanget ekzekutimit të vendimeve të formës së prerë. Sipas statistikave, çështjet ku shteti është në cilësinë e palës kreditore,( A.T.K, KESH, Firmat Piramidale, të ndryshme, gjobat penale), zënë pjesën më të madh të çështjeve të regjistruara për ekzekutim, pranë zyrave përmbarimore. Çështjet sociale, kryesisht me objekt "Takim, kujdestari fëmije dhe detyrim ushqimor", mund të shpërfillen nga ana e përmbaruesve privat, sepse procedurat e zgjatura, negociatat me prindërit kërkojnë shumë kohë dhe sjellim pak përfitime për ta. Dhjetëra çifte të divorcuara vazhdojnë të kenë ende probleme midis tyre si për pasurinë e luajtshme ashtu edhe atë të paluajtshme. Megjithëse për ta ka një vendim gjykate të formës së prerë sërish përmbarimi shtetërorë e ka pasur të vështirë të zbatojë këto vendime për shumë arsye. Me nisjen e shërbimit privat pritet që shumë nga këto dosje do të zbatohen më shpejt. Kjo për shkak rregullave të reja që do të funksionojë shërbimi privat në këtë mënyrë edhe shtetërori do të ketë më pak ngarkesë pune. Praktika e një Shërbimi Përmbarimor të Liberalizuar ka gjetur zbatim në disa shtete europiane. Bazuar në eksperiencën e këtyre vendeve, është menduar që Shërbimi Përmbarimor të jetë i sistemit të dyfishtë, duke u ushtruar nga dy sisteme paralele ekzekutimi; njëri Shërbimi Përmbarimor Shtetëror dhe tjetri nga Shërbimi Përmbarimor Privat.
14 Gusht 2009