Virusi i gripit, ISHP ka ekzaminuar 375 mostra në të gjithë vendin
Emanuela Sako
Që pas zbulimit të rastit të parë në vendin tonë, deri më tani janë marrë analizat e 375 personave për të cilët është dyshuar se janë prekur nga gripi i derrit. Nga këta persona vetëm 12 kanë rezultuar të prekur nga virusi, ndërsa pritet konfirmimi për 9 persona të tjerë. Specialistët shprehen se rastet për persona të dyshuar me virus ka pothuajse çdo ditë, por autoritetet shëndetësore nuk japin shifra deri në momentin e kryerjes së analizave laboratorike në ISHP dhe më pas në Rumani. Specialistët e Shëndetit Publik në vend, në buletinin e radhës, referojnë se nuk ka shpërthim epidemik të infeksioneve respiratore, sëmundjeve të ngjashme me gripin, apo numër të madh rastesh nga gripi pandemik AH1N1. Sipas tyre, situata aktuale është mjaft e qetë dhe virusi nuk ka agresivitet ashtu siç dukej në fillim, por ata paralajmërojnë se në sezonin e vjeshtës pritet një rritje e ndjeshme e numrit të të prekurve nga gripi i derrit, dhe po ashtu violenca e tij pritet të rritet.
Dyshimet
ISHP-ja ka konfirmuar 9 raste të reja me virusin AH1N1 gjatë kësaj jave. Mostrat e marra janë nisur në Rumani për të kryer verifikimet përfundimtare, nëse këta persona janë prekur nga ky virus apo janë simptomat e ndonjë virusi tjetër. Në fillim të javës së ardhshme pritet të kthehen përgjigjet për personat mostrat e të cilëve janë dërguar nga specialistët tanë. Të dhënat publikuar nga ISHP nëpërmjet buletinit të radhës që del posaçërisht për paraqitjen e situatës kundër virusit të gripit të derrit. Mes 9 personave pritet të vijë dhe përgjigja për fëmijën 4-vjeçar që rezulton i prekur nga virusi. Me prekjen e fëmijës, situata në vend duket se është alarmuar, pasi prindërit janë vënë në panik.
Virusi
Specialistët deklarojnë se një person që ka kaluar një herë virusin e gripit të derrit nuk preket më. Ky fakt është bërë i njohur nga Dhimitër Kraja, Shef i Shërbimit Infektiv, pranë QSUT-së, i cili kërkon të qetësojë të gjithë qytetarët përsa i përket frikës nga rikthimi i virusit. Trupi fiton imunitet ndaj virusit dhe përjashton një mundësi tjetër infektimit të të njëjtit person. Ai deklaroi se numri i rasteve krahasuar me 2-3 javët e para ka ardhur në rënie. Virusi në vendin tonë në këtë periudhë ka qenë të lehta, do të ishte i favorizuar ai që e kalon këtë virus gjatë kësaj periudhe. Sipas Krajës, deri më tani pranë këtij shërbimi në QSUT janë trajtuar 5 raste të konfirmuar me grip derri, prej të cilëve 3 kanë marrë edhe medikamentin e Tamiflusë. Po ashtu, ai shpjegon se në Spitalin Infektiv kanë qëndruar të shtruar 36 raste të dyshuar, prej të cilëve katër janë trajtuar me Tamiflu. Virusi i shfaqur tek pacientët ka qenë i formës së lehtë ose të mesme. Ajo që është për t’u theksuar është fakti se deri më tani asnjë rast, i konfirmuar apo i dyshuar me gripin pandemik, nuk është shoqëruar me komplikacione apo pasoja për jetën. Pacientët e dyshuar kanë paraqitur shenja klinike të gripit të zakonshëm, por pas laboratorit të ISHP, konfirmimin përfundimtar nëse këta persona do ta japë laboratori i referencës në Bukuresht. Po në të njëjtën ditë që mbërritën përgjigjet për katër persona të tjerë të prekur nga Bukureshti, në këtë laborator janë nisur mostrat për dy persona të tjerë të dyshuar.
BE: Shkollat nuk duhet të shtyjnë hapjen e vitit shkollor
Komisioni i Sigurisë Shëndetësore në Bashkimin Europian ka deklaruar se nuk është e nevojshme që të shtyhet hapja e shkollave për shkak të alarmit të virusit të gripit të derrave, A/H1N1”. Në një komunikatë për shtyp ekspertët shprehen se “Për momentin nuk është e nevojshme mbyllja e një sërë shkollash”. Sipas tyre, shtetet anëtare mund të vendosin për çdo rast një nga një për një mbyllje të mundshme të shkollave të tyre. E tillë është Greqia, e cila është alarmuar nga përhapja e shpejtë që pati virusi i gripit të derrit. Autoritetet shëndetësore dhe arsimore Greke, po negociojnë për një zgjidhje të mundshme, ku pretendohet shtyrja e vitit të ri shkollor që do të fillojë në shtator. Ndërkohë që një ndër vendet jashtë Europës, që ka ndërmarrë një nismë të tillë që në fillim të përhapjes së gripit pandemik ka qenë Meksika dhe Amerika. Në Meksikë gripi u shfaq mjaft agresiv, ku shumë persona humbën jetën. Meksika është dhe vendi i shfaqjes së gripit AH1N1. Por, edhe Amerika u përfshi nga vala e infektimit dhe shënoi raste të vdekshmërisë, prandaj u dha urdhri për mbylljen e disa shkollave në disa zona. Në të gjithë botën numërohen rreth 800 viktima nga gripi I derrit.
14 Gusht 2009