E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Policëve: Qeveria të kryejë menjëherë sigurimin e jetës së policëve

Kreu i Shoqatës, Sadetin Fishta, paraqiti dje publikisht kërkesën për sigurimin e jetës së policëve

Shoqata e Policëve ka reaguar dje duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë në Durrës për të bërë një paketë propozimesh lidhur me sigurimin e jetës të policëve që bien në detyrë. “Do të kërkojmë që shuma për çdo punonjës të siguruar, e përcaktuar në formularin e kontratës së sigurimit të jetës, të mos jetë më e ulët se 6 milionë lekë dhe tarifa e primit të sigurimit të mos jetë më e ulët se 0.5 për qind e shumës së siguruar të shënuar në formularin e kontratës së sigurimit. Veç këtyre kërkesave emergjente shohim të domosdoshme të ngremë edhe disa shqetësime të tjera. I kërkojmë qeverisë rikthimin edhe një herë të ligjit për pensionin suplementar të punonjësit të Policisë, duke e parë ligjin e ri si një shkelje të së drejtës kushtetuese. Gjithashtu, i kërkojmë qeverisë që t’u japë punonjësve të Policisë së Shtetit shtesën në pagë për vjetërsi në punë ashtu siç e ka edhe pjesa tjetër e administratës së shtetit, e parashikuar kjo në Kodin e Punës, dhe jo për një vit, siç e ka vendimi i qeverisë, i cili njeh vjetërsinë e kohës së qëndrimit në gradë nga korriku i vitit 2008”, - u shpreh dje gjatë një konference për shtyp kreu i kësaj shoqate, Sadetin Fishta.
Kërkesat
Më tej Fishta ka shtuar se nëpërmjet një propozimi konkret kjo shoqatë do të kërkojë shpërblimin deri në një pagë sipas Ligjit nr. 9749 “Për Policinë e Shtetit”, datë 04.06.2007, Neni 88, pika 5 (paga e 13-të), si dhe trajtimin e gjithë punonjësve të Policisë me një vakt ushqimi sipas Vendimit të Qeverisë nr. 494, datë 01.08.2007 “Për miratimin e normave të trajtimit me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe kursantëve në shkollat e policisë dhe të shtetasve të ndaluar, deri në sqarimin e pozitës së tyre”, i cili vazhdon të jetë në fuqi së bashku me dy urdhrat e përbashkëta, të ministrit të Shëndetësisë, me numër 293/1, datë 31.01.2008 dhe të ministrit të Brendshëm, me numër 76/1, datë 24.01.2008. “Me gjithë çmimin e lartë që po paguajnë forcat e rendit në kushte pune mjaft të vështira materiale dhe financiare në raport me krimin e organizuar dhe me kriminelët që posedojnë fuqi financiare, armë dhe pajisje speciale edhe më të sofistikuara se ato të Policisë së Shtetit, punonjësit e Policisë çdo ditë po riskojnë për zbatimin e detyrave të rendit dhe sigurisë publike. Duke parë këtë situatë, ne na shqetëson fakti nëse shteti shqiptar i vlerëson punonjësit në Policinë e Shtetit”, - deklaroi dje Fishta. Sipas tij, është e pafalshme që punonjësit e Policisë së Shtetit akoma të punojnë dhe të rrezikojnë jetën e tyre pa kontrata sigurimi të jetës së tyre, dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri.
Deklarata
”Askush nuk është marrë deri tani me këtë problem në një kohë që numri i të rënëve në krye të detyrës arrin në 238 punonjës policie, ku vetëm për këtë vit u regjistruan 6 dëshmorë. E asnjë prej tyre nuk ka përfituar siguracion jete, ndryshe nga shumë profesione të tjera në vendin tonë. Kemi vetëm një Vendim Qeverie me numër 552, datë 27.11.1999 ‘Për trajtimin ekonomik e financiar të familjeve të punonjësve të Policisë që humbin jetën ose plagosen për shkak të detyrës‘, i cili trajton vetëm punonjësit e Policisë të rënë pas 1 janarit 1999”, - tha Fishta gjatë konferencës për shtyp. Ndërsa sipas tij, punonjësit e tjerë të Policisë të rënë para vitit 1999 qeveria nuk i trajton fare. “Pika 4 e vendimit: Pjesëtarëve të familjeve të punonjësve të Policisë që kanë humbur jetën në krye të detyrës sipas Ligjit nr. 8030, datë 15.11.1995 ‘Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha’ kur klasifikohen të pastrehë, u jep kredi afatgjatë me interes 1 për qind dhe me përparësi. Përfitim ky mëse i zakonshëm edhe për një deputet apo qeveritar të lartë të shtetit. Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit kërkon nga shteti vëmendje të veçantë ndaj problemeve që kanë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilat janë bërë prezente edhe në media herë pas here dhe që janë të parashikuara me akte ligjore”, - nënvizoi dje kreu i Shoqatës së Policëve.

Propozimi, policët përfitojnë siguracion në rastet kur:

1. Humbin jetën në krye të detyrës.
2. Humbje natyrore të jetës.
3. Përfitim për paaftësi të përhershme totale nga plagosje që çojnë në paaftësi totale për punë.
4. Përfitim për paaftësi të përhershme të pjesshme për punonjësin e Policisë, i cili është aksidentuar në krye të detyrës, përfitim ky i llogaritur në përqindje mbi shumën e sigurimit për jetën.
5. Pagesë për paaftësi të përkohshme në punë t’i jepet punonjësit të Policisë në formë dëmshpërblimi ditor për çdo ditë paaftësie si pasojë e dëmtimit në punë.
6. Përfitim për mbulim të shpenzimeve mjekësore, për blerje ilaçesh, radiografi, skaner apo rehabilitim shëndetësor të tij dhe trajtim që vjen si pasojë e aksidentit.
7. Pagesë për shpenzimet e varrimit.
8. Përfitim për trajtim mjekësor jashtë shtetit, për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve mjekësore, të cilat nuk mund të kryhen brenda vendit.

Deklarata: “Duhet një analizë serioze për shkaqet dhe kushtet e policëve”

“Marrim shkas nga ngjarja e ndodhur në Durrës, duke shprehur njëkohësisht edhe një herë ngushëllimet tona për familjet dhe të afërmit e kolegëve tanë që humbën jetën në mënyrë tragjike në krye të detyrës dhe ju premtojmë se Sindikata do të jetë gjithmonë pranë tyre për të zbutur sadopak dhimbjet e tyre. Gjithë punonjësit e Policisë përkulen me respekt para veprës sublime të tyre duke u angazhuar solemnisht se do të luftojnë pa reshtur krimin dhe rritur performancën e tyre profesionale duke reformuar çdo strukturë policore për të qenë të afta në këtë përballje me sa më pak humbje jete. Kjo ngjarje e rëndë, e paprecedent, kërkon një vlerësim të ri nga të gjitha strukturat e shtetit të gjendjes së forcave të rendit, jo thjesht nga ana profesionale, gjë që e bëjnë vetë strukturat e caktuara të Policisë së Shtetit, por në aspektin e mangësive, kushteve të punës dhe vështirësive logjistike, çështje që përbëjnë një problem serioz për përmbushjen e detyrave nga forcat e rendit, kërkesa këto të ngritura veçanërisht edhe në fushën e armatimit e të pajisjeve speciale, të cilat çuditërisht janë kompensuar me angazhimin e pabesueshëm deri në dhënie jete të punonjësve të Policisë së Shtetit”.

KE-ja i shpreh solidaritet Nishanit pas masakrës së Durrësit

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, mori dje një mesazh ngushëllimi nga Delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë për rënien në detyrë të katër oficerëve të Policisë më 7 gusht 2009, gjatë një aksioni në Durrës për kapjen e super të kërkuarit Dritan Dajti. “Delegacioni i Komisionit Europian në Shqipëri u shpreh ngushëllimet më të sinqerta Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për vdekjen tragjike të katër punonjësve të Policisë që morën pjesë në operacionin policor në Durrës, të premten, më 7 gusht”, - thuhej në mesazhin e Delegacionit të Komisionit Europian drejtuar kreut të dikasterit blu, Bujar Nishani. “Delegacioni i Komisionit Europian u përcjell ngushëllimet më të thella familjeve të të rënëve për humbjen e këtyre burrave të zotë, që dhanë jetën në shërbim të vendit të tyre. Delegacioni i Komisionit Europian përfiton nga rasti që t’i shprehë edhe një herë konsideratën më të lartë Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit”, - përfundon mesazhin e ngushëllimit Delegacioni i Komisionit Europian.

14 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›