Fatos Beja: “Magjistratura mos të pranojë studentët me sistemin e Bolonjës”
Laureta Rryçi
Juristët që kanë nisur studimet e larta në vitin 2005-2006 nuk mund të konkurrojnë këtë vit për në shkollën e Magjistraturës. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja i ka kërkuar zyrtarisht kësaj shkolle që në konkursin që do të zhvillohet këtë vit të mos pranohen këto kandidatë pavarësish rezultateve që mund të kenë arritur në shkollë. E gjithë jo për shkak se ata kanë studiuar sipas programit të Bolonjës dhe për rrjedhojë u duhet të marrin edhe Diplomon e Nivelit të Dytë që është dy-vjeçare dhe më pas të konkurrojnë për në Magjistraturë. E thënë ndryshe, këta studentë do të bëjnë gjithsej shtatë vite universitet plus magjistratura. Ndërsa ata studentë që kanë mbaruar me sistemin e vjetër iu bie të bëjnë vetë gjashtë vite gjithsej për të marrë më pas titullin prokuror ose gjyqtar. Shkesa zyrtare e Bejës mësohet se ka mbërritur vetëm pak ditë më parë në Shkollën e Magjistraturës dhe gazeta “Albania” po e boton atë në numrin e sotëm. Ndërkohë burime zyrtare pranë kësaj shkolle shpjegojnë se Bordi do ta shqyrtojë këtë kërkesë me datën 20 të këtij muaji. Personat që janë të interesuar për këtë çështje duhet të paraqiten pranë kryesekretarisë pas kësaj date për të mësuar se çfarë është vendosur.
Kufizimi
Studentët që kanë vazhduar juridikun me sistemin e Bolonjës rrezikojnë të mos jenë këtë vit pjesë e garës në Magjistraturë. Sistemi i ri i penalizon ata duke iu nënshtruar një tjetër konkurrimi atij për Diplomën e Nivelit të Dytë. Madje edhe gjatë kësaj faze ata duhet të marrin numrin e nevojshme të kreditove për t’u vlerësuar maksimalisht në rezultatin përfundimtar. Ndërkohë sipas informacioneve zyrtare për këtë vit numri i kandidatëve për magjistratë profili gjyqtar që do të ndjekin Shkollën e Magjistraturës për periudhën 2009-2012 do të jetë 8 (tetë) vende dhe në profilin prokuror do të jetë 4 (katër) vende. Konkursi i pranimit të kandidatëve për magjistratë, do të zhvillohet ditën e hënë, datë 14 shtator 2009, ora 8.00, në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Regjistrimet do të kryhen gjatë periudhës 17 gusht - 04 shtator pranë sekretarisë mësimore të kësaj shkolle. Programi i pranimit përmban lëndët: E Drejtë Civile dhe Tregtare, E Drejtë Penale, E Drejtë e Procedurës Civile, E Drejtë e Procedurës Penale, E Drejtë Kushtetuese dhe E Drejtë Administrative, E Drejtë Familjare dhe e Drejta e Punës.
Shkresa
Ministri i Arsimit i ka informuar bordin drejtues të Magjistraturës se këtë vit në Fakultetin e Drejtësisë, diplomohen studentët e parë që përfundojnë studimet sipas sistemit të Bolonjës. Sipas tij këto programe studimi janë hapur si programe të ciklit të parë me kohëzgjatje normale katër vite dhe si maksimum me 240 kredite. Për pasojë diplomat që ata kanë marrë nuk i jep atyre të drejtën të konkurrojnë për një diplomë të nivelit të tretë siç është studimi i diplomës së tretë (Shkolla e Magjistraturës). Për t’u regjistruar në programet e ciklit të tretë, Doktoratë, Master i Nivelit të Dytë, specializime ose Magjistraturë, kandidati duhet të zotërojë një Diplomë të Nivelit të Dytë, ose diplomë tjetër të fituar jashtë shtetit por, të ekuivalente me to e njohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e vendit tonë. Çdo diplomë tjetër nuk do të ishte e vlefshme për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve. Studentët që diplomohen në këto programe studimi do të mund të vijojnë studimet e tyren ciklin e dytë dhe t’i përfundojnë ato pasi t’i kenë realizuar 60 kredite.
Programi që duhet mësuar dhe rregullat për provimin
Sipas burimeve zyrtare nga shkolla e Magjistraturës, tërheqja e programit (ku do të gjeni edhe listën e lëndëve që do të shërbejnë si bazë për testimin) bëhet pranë sekretarisë mësimore të Shkollës. Gjithashtu në bazë të Ligjit Nr.9414 datë 20.05.2005 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.8136 datë 31.07.1996 “Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë”, konkursi do të zhvillohet vetëm në një ditë dhe me shkrim. Për të testuar jo vetëm njohuritë me karakter profesional, por edhe ato të kulturës së përgjithshme dhe të inteligjencës e të mënyrës së të shkruarit, teza do të përmbajë pyetje përshkruese, ese, teste të zakonshme inteligjence si dhe raste praktike. Fitues shpallen kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të pikëve në rend zbritës deri në plotësimin e numrit fitues të përcaktuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm në total për të dy profilet. Për të bërë zgjedhjen e profilit që duan të ndjekin, e drejta e zgjedhjes, i jepet të parit kandidatit me rezultat më të lartë dhe vazhdon në mënyrë zbritëse, deri në zgjedhjen e kandidatit të vendit të fundit. E drejta e zgjedhjes ushtrohet në mënyrë publike dhe shoqërohet me nënshkrimin e një deklarate personale nga secili kandidat.
14 Gusht 2009