Krimet e Rënda rrëzojnë kërkesën e Ardian Sulejmanit
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e mbrojtjes së të pandehurit të bandës së Durrësit, Sardian Sulejmani, për ndryshimin e kryetarit të trupit gjykues. Kjo kërkesë u mor në shqyrtim seancën e sotme nga gjykata, e cila në përfundim vendosi rrëzimin e saj. Sardian Sulejmani, 23 vjeç, akuzohet për "vrasje me paramendim në bashkëpunim", në kuadër të organizatës kriminale si dhe "prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Në seancat e mëparshme, Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën e mbrojtjes ligjore të katër të pandehurve të bandës së Durrësit për gjykimin veçmas të të pandehurve të tjerë të këtij procesi. Në vendimin e gjykatës argumentohej se të pandehurit kanë vepruar në kuadër të organizatës kriminale dhe kësisoj duhet të procedohen së bashku.
Masa e sigurisë, rikthehet në qeli ish-polici
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje të lërë në qeli deri në përfundim të hetimeve, ish- punonjësin e policisë së Korçës, Haxhi Qelemini, 47 vjeç, i cili akuzohet për "trafikim të femrave për prostitucion, e mbetur në tentativë”, “marrëdhënie seksuale me të mitur” dhe “shfrytëzim për prostitucion”. Kjo Gjykatë, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda vlerësoi ditën e sotme masën e sigurisë "arrest me burg" për 47-vjeçarin Qelemini, i cili u arrestua para tri ditësh në Tiranë, ndërsa tentonte të rekrutonte për trafikim për qëllime prostitucioni jashtë vendit dy vajza të mitura nga qyteti i Korçës, njëra 13 dhe tjetra 17 vjeç. Shtetasi Hazhi Qelemini dyshohet gjithashtu se ka kryer marrëdhënie seksuale me dy të miturat. Ndërkohë që dyshohet se ka shfrytëzuar më parë për qëllime prostitucioni vajzën 17-vjeçare. Dosja penale në ngarkim të këtij shtetasi po shqyrtohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
13 Shkurt 2008