E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi, dëshmitar për vrasjen e Behar Kastratit

Tiranë - Ministri Sokol Olldashi do të dëshmojë në procesin mbi vrasjen e Behar Kastratit. Në seancën e radhës, përveçse u dëgjuan dy dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja, u pranua dhe kërkesa e të pandehurve. Procesi ku të arrestuar janë dy vëllezërit, Qamil dhe Abedin Rexha, tashmë ka mbërritur në fazën e dëshmitarëve të mbrojtjes. Të akuzuarit për vrasjen e mjekut nga Hasi që në fillim të procesit kanë kërkuar që të dëshmojë ministri Sokol Olldashi. Sipas tyre, Olldashi ka dijeni se ata, gjatë atyre ditëve kanë qenë në Durrës, pasi merreshin me fushatën zgjedhore.
Seanca
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua dje procesi gjyqësor në ngarkim të dy vëllezërve nga Kukësi, Qamil dhe Abedin Rexha, të cilët akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen e mjekut Behar Kastrati në korrik të vitit 2005 në Kukës. Seancën e djeshme, trupi gjykues dëgjoi dy dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja, të cilët folën kryesisht rreth vendndodhjes së dy vëllezërve Rexha fillimin e muajit korrik të vitit 2005-s, kohë kur edhe u deklarua i zhdukur mjeku Behar Kastrati. I pandehur në këtë proces, krahas dy vëllezërve Rexha, është edhe Ibrahim Geci, i cili akuzohet për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Dy vëllezërit Rexha nga Kukësi, me banim në Durrës, u arrestuan disa muaj pas rrëmbimit dhe vrasjes së mjekut Behar Kastrati. Më pas, forcat e policisë vendosën nën pranga edhe shtetasin Ibrahim Geci.
Kërkesa
Kolegji penal i Krimeve të Rënda vendosi të pranojë kërkesën për thirrjen si dëshmitar të ministrit të Transporteve. Kolegji penal bëri publik në seancë gjyqësore se do të përpilohet fletë-thirrja me adresën e saktë për të qenë i pranishëm në sallën e gjyqit Sokol Olldashi, në cilësinë e dëshmitarit. Prezenca e Olldashit do të përcaktojë edhe nëse do të zhvillohet seanca gjyqësore.

L. Rryçi

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›