Kurbanë në themelet e teqesë së re të Sarandës
Saranda, një nga qytetet multifetar, ku objektet e kultit janë simbole të bashkëjetesës ndërfetare, u pagëzua dje me një objekt të ri kulti, që nisi të hedhë shtat në një nga kodrat në periferi të Lagjes nr 4 ,ose siç quhet Lagja Baba Rexhep.
Teqeja e projektuar nga baba Sadiku, misionar i fesë bektashiane në Kryegjyshatë, kërkuar nga komuniteti bektashian i Sarandës dhe bekuar nga Kryegjyshi Baba Dede Reshtat Bardhi, nisi punimet, duke i bekuar themelet nga Kryegjyshi dhe përshëndetur nga besimtarë, përfaqësues të pushtetit vendor, personalitete të jetës politike, publike dhe zyrtarë të kulteve në Kryeministri etj. Me këtë rast, pjesëmarrësit dhe grupet folklorike përshëndetën me këngë e dedikime tematike kushtuar figurave të besimit bektashian, duke kaluar më pas në ritin e përgjakjes së themeleve me gjakun e kurbaneve, të cilët u blatuan për të sjellë mbarësi dhe frymë të mirë në teqenë e shenjtëruar. Me interes u ndoq murosja në themelet e teqesë e kokave të kurbaneve dhe ceremoniali i pagëzimit të teqesë me emrin e Reshat Dede Babait. Teqeja ende në themele, që nga 4 qershori do të quhet me këtë emër dhe do të sigurojë një pamje magjepsëse mbi një lartësi parajse mbi Jon dhe do të jetë ballkon i përjetshëm i prehjes së kockave të shenjtit, emrin e të cilit do të mbajë.