Kurbani dhe Shqipëria si vazhdim i pandërprerë i pavazhdimësisë
Nga Gazmend Kapllani*
Kur unë them që më pëlqeu libri Kurban, nuk nënkuptoj që kalova mirë duke e lexuar. Diku qesha, diku u hidhërova, diku pyeta veten nëse është kështu, diku thashë që nuk mund të bëhen për dhjetë vjet gjëra që duhen breza për tu bërë. Në radhë të parë, më pëlqeu libri si shkrimtar. Për shkak të gjuhës, me të cilën është shkruar. Nuk më ndodh shpesh të lexoj libra në shqip që kanë një gjuhë kaq të qartë e kaq të pasur dhe po ashtu të strukturuar. Virtyti i librit është që në pjesën më të madhe, edhe pse flet për shumë gjëra dhe ka shumë fjalë e personazhe, arrin të mos bëhet llafazan. U gëzova për gjuhën e librit, sepse një nga gjërat që kam vënë re gjatë sa herë kthehem pas në Shqipëri është deformimi i gjuhës që ngjan shpesh edhe deformimit të qyteteve dhe qytezave në Shqipëri. Në kohë e komunizmit gjuha shqipe u varfërua shumë, u militarizua, u ngurtësua si fytyra e Sekretarëve të Partisë, u budalleps nga parullat idiote dhe ksenofobe që kultivonte regjimi. Pas rënies së komunizmit, gjuha sikur u shqep e u shqye, por duke ruajtur dhunën e kohës së komunizmit. E sheh këtë shpesh në fjalët e politikanëve shqiptarë dhe atyre që udhëheqin sot e kësaj dite Shqipërinë.
Gjuha e librit të Edi Ramës, gjuha e një ditari dhe programi personal politik, më bëri përshtypje, sepse është e pasionuar, por nuk është gjuhë dhune. Është gjuhë e ashpër, e një ballafaqimi ideologjik dhe vlerash, por asnjëherë denigruese në nivelin personal kundër kundërshtarëve. Arsyeja e dytë që e lexova me kureshtje të madhe librin është sepse nuk kam jetuar kurrë në Tiranë. Unë kam lindur dhe jam rritur në një qytezë provinciale në Shqipëri, Lushnjë dhe kam jetuar gjithashtu pak vite në Shkodër si student. Në Tiranë kam shumicën e miqve sot, por nuk kam jetuar aty më shumë se dy muaj rresht. Identiteti im urban dhe qytetar çështë e vërteta është sajuar në një qytet tjetër ballkanik, në Athinë, për historinë e të cilës kam lexuar shumë gjëra.
Kështu që e lexova librin dhe sidomos pjesën që i takon Tiranës me kureshtjen e një njeriu që ka privilegjin e të qenit emigrant dhe i huaj. Shpesh duke e lexuar më vinin ndërmend krahasime mes Tiranës dhe Athinës, edhe pse janë dy qytete që ndryshojnë mjaft për nga historia dhe struktura. Në të njëjtën kohë janë dy qytete që kanë ngjashmëri. Në radhë të parë, sepse janë qytete, të cilat morën formën e sotme prej emigracionit të brendshëm. Në Athinë, emigracioni i brendshëm nisi pas luftës civile greke që i ndau keqas grekët. Emigrimi në Athinë nuk ishte vetëm një zgjidhje ekonomike për njerëzit, por edhe një përpjekje për të ikur nga fshatrat ku mbizotëronte urrejtja që kishte lënë pas lufta civile. Njerëzit shkonin në Athinë edhe për të humbur dhe për tu harruar në anonimitetin dhe dritat e qytetit të madh. Emigracioni i brendshëm në Tiranë filloi pas rënies së komunizmit dhe vazhdon sot e kësaj dite dhe do të vazhdojë edhe në vitet që vijnë. Athina është një qytet që grumbulloi gjysmën e qytetarëve të Greqisë, Pireu dhe Athina u bashkuan dhe u shtri drejt malit duke e mbushur edhe atë me beton. Nuk e di se si do të bëhet në Shqipëri, nëse Durrësi dhe Tirana do të bashkohen dhe në çfarë mënyre. Athina dhe Tirana ndajnë me njëra-tjetrën disa karakteristika të tjera ballkanike. Janë qytete ku bashkëjetojnë elemente heterogjenë, diku duken si Karaçi dhe diku si Milano, ku bashkëjetojnë të gjitha epokat, nga trashëgimia otomane deri tek shekulli 21. Kjo bashkëjetesë e të gjitha epokave nuk i lë këto qytete të fitojnë një fjalor të tyre të qartë, siç janë qytetet e Europës Perëndimore dhe Qendrore. I bën qytete shumë kontradiktore, pikërisht sepse nuk janë qytete që kishin privilegjin të mbyllnin ciklet e tyre historike, por duhet të rendnin dhe të kalonin nga një epokë tek tjetra në mënyrë të ngutur dhe shpesh kaotike. Por kjo bashkekzistencë e epokave iu jep këtyre qyteteve një energji dhe magji të rrallë. I takon politikës dhe urbanistikës ta nxjerrin në pah diçka të tillë.
Një krahasim tjetër mes Athinës dhe Tiranës është se Athina është një qytet viktimë e ndërtimit abuziv. Askush dhe në asnjë epokë nuk guxoi ti shembte ndërtimet abuzive.
Lexova me shumë interes në libër pjesët dhe shpjegimet për hapësirën publike të Tiranës. Se si Bashkia u mundua të krijojë këtë ndërgjegje të hapësirës publike dhe të një fati të përbashkët qytetar tek banorët e Tiranës. Duke udhëtuar si gazetar në qytete shumë të ftohta të Europës, kur banorët dalin rrallë nga shtëpitë e tyre, kam pyetur veten: përse në këto qytete kaq të ftohta, ku nuk kanë shumë nevojë për hapësirën publike, për sheshe e parqe mbuluar nga ngrica dhe bora kujdesen shumë për to. Ndërsa tek ne në Mesdhe, në Tiranë dhe në Athinë i keqpërdorim, jemi indiferentë për to, i bëjmë pis, i thyejmë, i mbushim edhe ato me beton.
Në Athinë, paaftësia e qytetarëve të ndajnë hapësirën publike është sot një nga shkaqet kryesore të krizës së rëndë urbane kolapsi ekonomik thjesht e nxori në shesh këtë paaftësi. Kriza e tanishme tregoi se një pjesë e madhe e qytetarëve të Athinës sikur ndjehen të huaj në qytetin ku jetojnë. Dhe, në fakt, shumica e tyre nuk votojnë asfare në Athinë, votojnë ende në fshatrat e braktisura nga erdhën. Kjo jo thjesht për arsye të një nostalgjie të sëmurë, por sepse sistemi politik klientalist e nxiste diçka të tillë. Me pak fjalë, nuk i la banorët e Athinë të ktheheshin në qytetarë të saj.
Nga faqet e librit të Edi Ramës del e qartë se platforma e tij për Tiranën dhe për Shqipërinë është të kalohet nga koncepti banoj në Shqipëri në konceptin jetoj në Shqipëri. Jetoj hapësirën publike, në të gjitha kuptimet e saj do të thotë që të kalosh nga folja zaptoj tek folja ndaj. Ndaj sheshin e lagjes deri tek detyrimet dhe të drejtat. Fatkeqësisht, në Shqipëri, sot mbizotëron mentaliteti i zaptimit: nga zaptimi i tokës deri tek zaptimi i pushtetit.
Deri këtu bëra paralelizime mes Shqipërisë dhe Greqisë, Tiranës dhe Athinës. Krahasimet nuk vlejnë më kur lexon në libër për botën meskine të politikës shqiptare. Aq meskine sa të kall datën. Greqia me sistemin e vet klientalist ngjan parajsë para Shqipërisë, sistemi politik i të cilës nuk ngrihet dot as në nivelin e fjalës politikë.
Këtu dua të ndalem në një pikë, për të cilën personalisht jam pozicionuar në shtypin Shqiptar dhe të cilën Edi Rama e prek shpesh në librin e tij. Jo sepse jam përkrahës i Edi Ramës dhe ai e di mirë që nuk jam, por sepse vjen një ditë që duhet të zgjedhësh çfarë do të mbash dhe çfarë do të hedhësh. Dhe këtu e kam fjalën për sulmet denigruese personale kundër tij, sidomos vitet e fundit. Jam hidhëruar dhe çuditur me kolegë apo miq të mi, të cilët kur u pozicionova publikisht kundër këtyre sulmeve më thoshin çfarë do që ngatërrohesh, ai nuk është shenjt, Shqipëri hesapi, vari hejbet.
Unë nuk mbroj Edi Ramën, mbroj principet e mia. Në asnjë vend të Europës apo të Ballkanit, as kolonelët e pashkollë të juntës ushtarake greke nuk përdornin një fjalor të tillë kundër kundërshtarëve të tyre. Meqenëse folëm për gjuhën, ky fjalor denigrues është vazhdues i fjalorit nazist dhe enverist, i dosjeve të Sigurimit. Kur shoh që tolerohet dhe nuk ndëshkohet ai fjalor kuptoj pse Shqipëria trajtohet ende nga të tjerët si thumb i ngulun në tru tnjerëzimit.
Konkluzioni im në fund të leximit të librit. Një njeri nuk mund ta ndryshojë dot një vend. Shqiptarët nuk duhet të presin shpëtimtarë. Por një politikan mund të japë kontributin e tij që të ndërtohet një rrëfim i ri për Shqipërinë. Sidomos në këto kohë të vështira ku horizonti i Europës po erret përsëri dhe fatkeqësisht Shqipëria, politikisht, ka qenë gjithmonë shumë më sensibël ndaj territ se ndaj dritës.
Ky libër krijon një memorie për Tiranën. Ajo që u mungon ndoshta shqiptarëve është një memorie e vërtetë, transparente, sensi i vazhdimësisë. Shqipëria është një vazhdim i pandërprerë i pavazhdimësisë, i ngjan ndonjëherë legjendës së Kalasë së Rozafatit që çfarë ndërtohet ditën shembet natën. As kurbani i