E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi në Itali, falenderim për mikpritjen e emigrantëve

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Itali, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi është pritur në një takim të veçantë edhe nga kryetari i Bashkisë së qytetit të Torinos, Piero Fasino. Gjatë këtij takimi Presidenti i shprehu zotit Fasino konsideratën e lartë për rolin dhe punën e tij në mbështetje të politikave vendore që nxisin integrimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët, sipas tij tashmë janë një shembull i bashkëjetesës dinjitoze në Itali. “Komuniteti shqiptar në Itali është një urë e fortë lidhëse, komunikimi mes dy vendeve dhe popujve tanë, dhe aftësia e zotësia e këtij komuniteti për t’u integruar në një kohë të shkurtër në jetën e një qyteti të zhvilluar, plot kulturë e histori, siç është Torino, dëshmon për gjenezën dhe identitetin evropian të shqiptarëve, që shprehet qartazi sidomos sot, në aspiratën e mbarë popullit për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane”, - u shpreh Presidenti i Republikës. Gjatë ditës së djeshme, kreu i shtetit shqiptar u takua dhe u përshëndet përzemërsisht edhe me ministrin e ri të Arsimit të qeverisë italiane, Françesko Profumo, me senatoren Ana Maria Serafini, me rektorin e Universitetit Politeknik të Torinos, Ecio Peliceti, si dhe me të tjerë personalitete të botës politike, financiare dhe akademike. Interes të veçantë në këtë ditë të vizitës së presidentit Topi në Torino përbënte edhe pjesëmarrja e tij në përurimin e ekspozitës fotografike “Shqipëria: para dhe pas – vendi i tyre i parë nën këndvështrimin e të rinjve shqiptarë”, që është organizuar nga Bashkia e Torinos dhe Qendra e Kulturës Shqiptare në Qendrën Ndërkulturore të qytetit. Duke i përgëzuar organizuesit për këtë veprimtari të thjeshtë por shumë domethënëse, presidenti Topi theksoi se “kjo foto-ekspozitë na kujton se si ishim, por na shërben edhe për të rikujtuar mikpritjen që ju keni gjetur këtu. Prandaj si qytetar, si politikan, si President i Republikës, mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë se si u hapën zemrat e italianëve, duke ju krijuar juve mundësi që të ndërtoni jetën dhe të ardhmen”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›